Tetovë, zjarrfikësit “ultimatum” komunës: Komunikim ose radikalizim të protestave! (Video)

“Ultimatum” 3 ditor i kanë dhënë komunës së Tetovës zjarrfikësit protestues, sipas tyre, në qoftë se deri të premten autoritetet komunale nuk i ftojnë për komunikim do të protestojnë para dyerve të objektit të komunës. Heshtje nga autoritet komunale, nuk ju përgjigjen as zjarrfikësve as gazetarit të Portalb.mk.

Goran Ristevski nga Sindikata e Zjarrfikësve në një prononcim për Portalb.mk potencoi se kjo është protesta e fundit e tyre në para objektit të zjarrfikësve, tha se pritet radikalizim i protestave në qoftë se nuk ju pranohen kërkesat.

“Nga sot do të ndalojmë me protestat, me qëllim që të japim hapësirë për dialog me punëdhënësin, që në këtë rast është komuna e Tetovës, në qoftë se nuk na thirrin për komunikim deri të premten, do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm, një prej tyre është dalja në rrugë si një formë më radikale e shprehjes së pakënaqësisë. Megjithatë, ne po lemë hapësirë që me dialog të zgjidhim problemet” tha Goran Ristevski.

Goran Ristevski nga Sindikata e Zjarrfikësve
Goran Ristevski nga Sindikata e Zjarrfikësve

Ristevski edhe njëherë përsëriti qëllimin e protestave të cilat kanë filluar me datë 18 dhjetor, thotë se nuk kërkojnë diçka të jashtëzakonshme përveç respektimin e ligjit nga ana e komunës së Tetovës.

“Sapo përfundoi një nga protestat e radhës të organizuar nga Sindikata e Zjarrfikësve, qëllimi i këtyre protestave është të kërkojmë nga punëdhënësi, që është komuna e Tetovës, të respektoje obligimet ligjore, gjegjësisht ligjin për zjarrfikës, ligjin për marrëdhënie të punës dhe marrëveshjen kolektive të përgjithshme për sektorin publik” tha Goran Ristevski.

Cilat janë kërkesat e zjarrfikësve në Tetovë?

·         Sigurim kolektiv.

·         Korrigjimi i të ardhurave të pagës për punën gjatë natës, festave dhe gjatë vikendit. Të paguhet puna shtesë jashtë orarit të punës.

·         Korrigjimi i pagës bazë për 20%.

·         Pagesa e të ardhurave në të holla, në bazë të vendimit të ligjit, të paguara janë vetëm 20 mijë dënarë në vend që të paguhen 60 mijë denarë.

Edhe pas protestës së tretë, komuna e Tetovës injoron totalisht kërkesat e zjarrfikësve.

Nga Sindikata e Zjarrfikësve na thanë se ende askush nga komuna e Tetovës nuk ka tentuar ti kontaktoje në lidhje me kërkesat e tyre, përkundër faktit që kjo është protesta e tretë me radhë e tyre.

 “Ende nuk na kanë thirre nga komuna e Tetovës askush. Do të presim deri të premten të na thirrin, ne nuk duam të shpallim luftë, jemi të gatshëm për dialog. Në qoftë se nuk na thirrin, do të jemi para objektit të komunës” tha Goran Ristevski.

Një muaj më herët, Arifi “këshillonte” Shilegovin si ti qaset problemit me zjarrfikësit, sot refuzon të njëjtit ti ftoje në takim

Teuta Arifi
Teuta Arifi

Rikujtojmë se një muaj më herët mosmarrëveshje të ngjashme me zjarrfikësit kishte kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, atëherë Arifi këshillonte Shilegovin se duhet “të jetë në një vijë me zjarrfikësit”.

“Sipas meje, Shilegov e ka gabim që nuk është në një vijë me zjarrfikësit. Për shkak se, pjesën që e kërkojnë, është e drejtë e tyre dhe ju takon” tha Teuta Arifi në një emision në TV21, një muaj më herët.

Nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen as në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk për atë se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me kërkesat e zjarrfikësve.

Nga protesta e fundit, zjarrfikësit thonë kanë marrë kërcënime

Një nga zjarrfikësit i cili deshi të qëndroje anonim, gazetarit të Portalb.mk i tha se janë kërcënuar në forma të ndryshme nga persona në pozita të larta në komunën e Tetovës, edhe atë menjëherë pas protestës së parë dhe paralajmërimit për vazhdimin e protestave.

“Na kanë kërcënuar, edhe direkt edhe indirekt, madje duke na përmend vendin e punës” tha ai.

Këtë e konfirmoi edhe Goran Ristevski nga Sindikata e Zjarrfikësve, ai bëri thirrje të gjithë personave të ndalojnë me presionin ndaj zjarrfikësve që kanë vendosur të protestojnë.

“Askush nuk na ka kontaktuar nga protesta e fundit, nga ana tjetër, kolegët zjarrfikës të Tetovës këto ditë më kanë lajmëruar se kanë qenë të kërcënuar nga persona të caktuar. Bëj thirrje të ndalojnë me presionin, kolegët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë e tyre, të tregojnë situatën reale” tha Goran Ristevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button