ÇIPI

Kthehem nga dyqani i ngarkuar me qese. I afrohem derës së asensorit të vjetër. Pas meje vijnë me ngut edhe katër veta. Të gjithë pa maska. Të gjithë të rinj tridhjetë e sa vjeç. Apo hyp  o ti? më pyet njëri. Jo, i përgjigjem, shkoni ju. Po deshët mbylleni derën e asensorit kur të arrini atje ku po shkoni. Mbyllet dera. Brenda dëgjoj të qeshura deri në shkallën e gajasjes. E pe atë njeriun?… Pastaj asensori i vjetër dëgjohet si zë mureve ding-dang, ding-dang… Pastaj heshtje. Pres me qeset me harxhe të domosdoshme. Asensori nuk vjen. Ndërkohë vjen një djalë nja njëzet vjeç. A doni të hipni lart? më pyet.  Po i them. A s’po e sheh se i kanë lënë dyert e asensorëve hapur? E di, por çfarë të bëj. Ai më shikon me habi, pastaj thotë: Po hipi ta gjej asensorin e po ta lëshoj. Ai hipën shkallëve të dymbëdhjetëkatëshes. Unë pres me qeset në duar. Dikur e dëgjoj rang-dangun e asensorëve të vjetër. Pa arritur asensori poshtë vjen edhe një njeri me dy gra. Pa maska kuptohet.  Zbret asensori. Brenda në asensor është edhe ai djali i cili hipi ta gjejë asensorin atje ku e kanë lënë derën hapur. Njeriu dhe dy gratë hipin para meje ngase unë përpiqem të mbaj distancë prej dy metrash prej tyre. Bashkë me djalin bëhen katër. Djali më thotë: a s’po vjen ti, a? Po unë për ty shkova e gjeta asensorin. Faleminderit, i them, kurse njeriu që erdh me dy gratë e përplas derën e asensorit. Dëgjohet përsëri zhurma rang-dang, rang-dang. dhe para asesnsorit ku pres unë vijnë njerëz të tjerë, i rralli prej tyre me maskë. Bëhen tre, katër, pesë dhe kur vjen asensori ata e hapin derën sepse unë vazhdoj të mundohem ta mbaj distancën ashtu siç është protokolli i Ministrisë së shëndetësisë. Ata që vijnë e vijnë hipin herë pas here duke komentuar me habi pse ky njeri rri ashtu e s’do të hipë me ta. Ej, a do të hipish, ore?! Jo, jo, shkoni ju, u them. Lere ore, qafën e theftë! e dëgjoj njërin nga ai kallaballëk duke e mbyllur derën e asensorit. Pastaj vijnë dy veta të tjerë. Zhurma e asensorit nuk dëgjohet. Ndërkohë nga mbajtja e qeseve lodhem. Shkoj në një qosh të hyrjes e cila është mjaft e gjerë. I lëshoj qeset të pushoj pak. Njëri nga të sapoardhurit kollitet keq. Dhe, e shtyp sustën e asensorit. Dëgjohet zhurma. Pastaj ndalet diku, në ndonjërin prej dymbëshjetë katëve. Edhe ata shkojnë, pa më pyetur pse rri ashtu. Pastaj vijnë nga dy pesëdhjetë- pesëdhjetë e pesë vjeç do të jenë. Të parët që janë me maska. Dy njerëzit bisedojnë. Njëri thotë: e di, po thonë se do të vijnë vaksinat kundra kësaj lëngjyre, si i thonë koronë a si. Kovid, i përgjigjet tjetri. Eh, kovid, tamam, pohon i pari dhe vazhdon: e kam dëgjuar punën e këtij kovidit prej një njeriu që i di këto punë… thotë. Çfarë ke dëgjuar? Kam dëgjuar thotë se këto vaksina paskan çipa… Pastaj e shtyp sustën e asensorit. Zhurma e asensorit nuk dëgjohet. E çfarë janë çipat? Çipat janë disa gjëra të imta me të cilat pastaj do të na përcjellin hap pas hapi, do të na ndjekin edhe në nevojtore kur të shkojmë, me nder me thanë. Aman bre! ia preu bashkëbiseduesi. Po, po… të jesh i sigurt për këtë punë! O Durmo, e ngriti zërin bashkëbiseduesi, mos u bën axhami! Pse flet kështu? Ku i dëgjove këto muhabete koti? Dëgjomë, Shitë, kjo është e vërtetë, thotë ai i çipave. Të thashë se ma ka thënë njeriu që i di mirë këto punë e që punon në administratë. Durmo, dëgjo këtu, nisi të flasë me një ton serioz Shita. Ishin mbledhur këto ditë parsimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Rusisë, të Kinës e të Anglisë… Francën nuk e kishin thërritur në këtë mbledhje nuk e di pse, thotë Shita. Mbledhja kishte zgjatur shumë. Nja pesë orë të mira. E kishin folur për këta çipat që po thua ti Durmo. Gjatë kohë ishin hëngër mes vetes parësimi i këtyre shteteve gjigante si t’ia bëjnë, si të gjejnë një çare nga ky virus i mallkuar. Për t’i dhënë këta çipa me vaksinat po se po, po kujt t’ia japin më së pari? Kjo ishte dilema.  A Ukës së Përshefcës, a Sulës së Sllatinës, Jahës së Orashës, Starafilit të Gorancës apo Durmos së Vishticës apo Tërpkos së Zelenikovës. Amerika kërkonte që më së pari çipi t’i njektohet Sulës së Sllatinës, Rusia – Ukës, Anglia Starafilit të Gorancës, kurse Kina kishte ngulur këmbë që ty të ta japë pikërisht ty, pse je Durmoja prej Vishtice. Tërkon e Zelenikovës e kishin harruar. Të tjerët thanë mirë, po ia japim Durmos sepse ashtu e kërkon demokracia. Më shumë vota dilnin në Kinë me miljarda e krejt për ty Durmo!… Ti ta marrësh vaksinë e bashkë me vaksinën, kuptohet, edhe çipin. Po tallesh me mua, Shitë!… thotë Durmoja. Po çka mendove ti?! Se s’kanë punë tjetër fuqitë e mëdha e t’u venë çipa Ukës së Përshefcës e Starafilit të Gorancës. Ata çipa, për të cilat flet ti Durmo ne i kemi në telefonat celularë e s’ju duhet çip tjetër. Kur të duan na gjejnë edhe në birë të miut. Mirëpo, mor Durë, mor shoku im i dashur, fuqitë e mëdha e dinë shumë mirë se Uka, Sula, Starafili, unë e ti, ka mëse njëqind vjet që vdesim pak nga pak e s’lodhen e as e çajnë kryet me ne se ku shkojmë e kah vijmë, ku rrimë dhe a jemi gjallë a s’jemi. Shumë do ta çajnë kryet për Ukën e Përshefcës ose për Tërpkon e Zelenikovës. S’kanë punë tjetër!… Rri rehat Durmo! Ne për ata as që ekzistojmë. Lere çipin, shoku im Durmo, ruaju prej kovidit! Dhe, në mbërriftë vaksina, ngutu e merre, shpëtoje veten… Kjo është punë e fellë, thotë Durmoja “i çarmatosur”, por duke u munduar ta ruajë krenarinë. Pastaj zbret asensori. Pesë veta dalin. Shita e hap derën e thotë le të ajroset pak se të gjithë këta burra ishin pas maska. Pastaj më drejtohet mua: Hipni ju zotëri se qenkeni me shumë harxhe. Unë e ky shoku im do të hipim pastaj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button