Mbi 70 mijë njerëz erdhën në Kosovë në fundjavë

Gjatë fundjavës, mbi 70 mijë persona kanë hyrë në territorin e Kosovës, nga kufijtë tokësorë dhe ajrorë, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.

Sipas masave në fuqi, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk kanë nevojë të paraqesin testin PCR për koronavirus dhe as të izolohen. Paraqitja e testit vlen vetëm për personat që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe për ata që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë të përhapjes së koronavirusit, sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Megjithatë, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje diasporës që të respektojë masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj tha se me ardhjen e diasporës, nevojitet kujdes i shtuar dhe që institucionet të mbikëqyrin zbatimin e masave në mënyrë rigoroze edhe në pikat kufitare, por edhe në brendi të territorit të shtetit.

“Në kuadër të koordinimit dhe aktiviteteve, nuk guxon dhe nuk guxojmë që të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes sepse atëherë dështojmë të gjithë për të njëjtën situatë”, ka deklaruar të hënën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Raportohet se rreth 700 milionë euro janë dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës edhe gjatë pandemisë COVID-19, me gjithë faktin se pandemia ka prekur edhe shtetet ku punojnë dhe jetojnë emigrantët nga Kosova.

Ndryshe, disa shtete të Evropës, si Gjermania, Holanda, Italia, Britania e Madhe dhe Franca ku jetojnë edhe një pjesë e madhe e diasporës së Kosovës, kanë paralajmëruar izolim gjatë Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button