Mbi 5 mijë studentë të RMV-së jashtë vendit, Dauti: Në RMV rruga drejt suksesit të vështirësohet, në vend të lehtësimit!

Në Maqedoninë e Veriut studentët nuk vlerësohen për punën e tyre, përkundrazi, rruga drejt suksesit ju vështirësohet ende më shumë, kështu u shpreh studentja Fisnike Dauti në një intervistë për Portalb.mk, e cila shpjegoi disa nga arsyet pse vendosi të studioje jashtë RMV-së dhe se a planifikon të kthehet. Ndërkaq, aktualisht ka 5.704 student të RMV-së në botë, shkruan Portalb.mk.

Mbi 5.700 të rinj nga Maqedonia e Veriut, pasi e kanë mbaruar shkollimin e mesëm, janë larguar jashtë vendit për të studiuar, kështu tregon raporti i një prej organizatave më kredibile në botë, UNESCO, apo Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.

E intervistuar këtë javë nga Portalb.mk, është studentja Fisnike Dauti, ajo aktualisht studion në Fakultetin e Mjekësisë në Turqi. Dauti theksoi se atje ku është aktualisht ndjehet mire, për shkak të arsimit cilësor dhe vlerësimit që i bëhet.

“Atëherë unë u largova nga Maqedonia e Veriut vitin e kaluar. Shkova ne Turqi për studime te mjekësisë. Unë mendoj se po. Sepse sigurisht kushtet janë me te mira. Arsimimi është me cilësor dhe vlerësohesh për punën e bërë. Nuk ka hile ne provime”, tha Fisnike Dauti, studente.

Fisnike Dauti, studente.
Fisnike Dauti, studente.

Rruga drejt suksesit sipas studentes Fisnike Dauti, në RMV përveç që është e vështirë, ajo vështirësohet edhe një herë më shumë nga padrejtësitë e ndryshme dhe vlerësimi jo i duhur nga ana e mësimdhënësve dhe stafit akademik.

“Sipas meje ajo çka nuk shkon me arsimimin ne vendin tonë është në të shumtën e rasteve mos vlerësimi i nxënësit për punën e bërë. Ne vend qe te lehtësojnë punën e nxënësit dhe të ndihmojnë atë në rrugën  studimore, të ndihmojnë atë që të bëhet një profesionist në lëmine e tij, siç kam dëgjuar vështirësohet sa më shumë kjo rruge. Dhe gjatë kësaj rruge shpesh humbet motivimi i nxënësit për të arritur sukses, dhe për tu bë dikush. Dhe prandaj kur ti nuk e gjen ketë në vendin tënd mundohesh te gjesh mënyra për ta kërkuar në një shtet tjetër. Sepse njeriu shkon aty ku ndjehet se puna e tij vlerësohet”, tha Fisnike Dauti, studente.

Megjithatë, ajo thotë se dëshiron të kthehet në vend menjëherë pas studimeve, në mënyrë që siç thotë ajo, të japë kontribut në përmirësimin e situatës aktuale në vendin tonë.

“Pasi të kryej studimet e nevojshme për tu specializuar në degën time mendoj te kthehem. Sepse dua të jap një kontribut për vendin tim. Dua te ndihmoj që RMV te përmirësohet, të bëjmë vendin tonë një vend më të mirë. Edhe pse duket se duhet shumë punë. Me vendosmëri dhe guxim duke u përpjekur së bashku mendoj se ne mund të bëjmë RMV-në një vend më të suksesshëm dhe më cilësor” shtoi Fisnike Dauti.

RMV investon, shtetet “tjera ua shohin hajrin”: Mbi 5.700 studentë studiojnë jashtë vendit 

Maqedonia e Veriut, nëpërmjet taksave të qytetarëve çdo vit harxhon miliarda denarë për nxënësit filloristë, të shkollave të mesme, por edhe të fakulteteve me qëllim që të sigurojë zbatim të procesit arsimor, ndërkaq pret që nga kuadrot në të cilët ka investuar, nesër të kyçen në sistemin shtetëror ku do të kontribuonin për shtetin amë. Megjithatë, një pjesë e tyre, pasi mbarojnë shkollimin e mesëm, për shkak dëshirave të tyre për hapjen e perspektivave, nëpërmjet bursave të ndryshme shtetërore, të fakulteteve të ndryshme, por edhe me mjete private largohen nga vendi për të studiuar e më pas për t’u punësuar jashtë vendit. Kjo shtetit i kushton humbje financiare, pasi që kuadrin ia ka bërë gati që një shtet tjetër ta shfrytëzojë, pa investuar asgjë në atë.

Studentët nga RMV studiojnë në shumë shtete të botës e më së shumti, në Turqi, Bullgari dhe Slloveni.

Portalb.mk përgatiti një infografik për këtë:

Për çdo student të larguar, shteti humb para

Sipas raportit të UNESCO-s, studentët e larguar nuk dëshirojnë të kthehen në vendin amë dhe kjo shkon në dëm të shtetit, për shkak se shteti atyre studentëve u ka paguar mësues e profesorë për të shkolluar, u ka siguruar libra, mjete për mësim, ngrohje, trajnime e gjithçka që nevojitet për mjedisin arsimor, ndërkaq shteti që ata kanë shkuar për të studiuar, i ka pranuar si kuadro të përgatitur deri në një shkallë të caktuar ku janë të aftë që pas mbarimit të shkollimit të lartë të punojnë për atë shtet që nuk ka investuar në ato.

Arsimi në vend, jo kualitativ

Mbase një ndër arsyet e ikjes, sipas asaj që kemi hulumtuar është dhe mungesa e ofrimit të arsimit cilësor. Këtë e dëshmuan edhe në hulumtimin tonë, ku studentët pa mësuar i blejnë temat e diplomave të baçelorit e magjistraturës – në këtë mënyrë ata nesër kanë diploma të barasvlershme me kuadrin që me dije ka mbaruar shkollimin. Sipas analizave tona, mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. 

Shteti në gjumë ndaj këtij fenomeni. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend. Një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button