RMV, paralajmërimi për legalizim të kanabisit, ASH-AAA: Nuk do të votojmë një ligj të tillë

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë reaguar nga konferencës për media të kryeministrit, Zoran Zaev, ku ai paralajmëroi legalizim të kanabisit. Nga ky subjekt akuzuan kryeministrin se, “më shumë ishte i interesuar për përfitimet nga legalizimi I kësaj  industrie, që do të kishte Qeveria”, duke mos llogaritur pasojat dhe problemet që mund të shkaktoj ky ligj te qytetarët e vendit, transmeton Portalb.mk. 

“Ai si duket përshpejton përpjekjet e tij që ky ligj sa më shpejt të kalojë në kuvend dhe me këtë tenton të fsheh edhe rastet e fundit me kapjen e lëndëve narkotike dhe rasteve tjera kriminale që po ndodhin çdo ditë me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Prandaj, ne pyesim Kryeministrin Zaev, a është gjithçka te përfitimi material i Qeverisë? Koalicioni ASH-AAA nuk mbështet idenë për legalizimin të lëndëve narkotike dhe nuk do të votojmë një ligj të tillë, sepse përveç tjerash dilema jonë është nëse Kryeministri Zaev e ka hallin e ekonomisë familjare apo ekonomisë së shtetit? A jemi të përgatitur ne si shoqëri dhe si shtet për të kaluar një ligj të tillë, i cili do të legalizoj përdorimin e lëndëve narkotike nga qytetarët?”, thuhet në reagim.

Nga ky koalicion më tej kanë shtuar se, fillimisht, kryeministri Zaev dhe MPB duhet pastruar rastet kriminale me narkotikët, me çka do të duhej një siguri më e madhe për qytetarët në rast legalizimi të kultivimit dhe përdorimit të mjeteve narkotike në vend.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të aksioneve të ndryshme për kapjen e lëndëve narkotike në vend, ku pas rastit të Haraçinës, para disa ditëve kishim rastin më flagrant të kapjes së familjarit të zëvendësministrit për Punë të Brendshme, Nazim Bushit, të cilit iu kapën mbi 100 kg lëndë narkotike. Këto aksione vijnë pas paralajmërimeve për propozim ligjit për legalizimin e kultivimit të lëndëve narkotike në Maqedoninë e Veriut, të paralajmëruara nga kjo Qeveri dhe nga vet Kryeministri Zoran Zaev. Nga ana e MPB deri më sot nuk kemi të dhëna të hollësishme rreth këtyre aksioneve dhe përgjegjësve të tyre, por rasti i fundit i kapjes me lëndë narkotike të një të afërmi të Zv. Ministrit Bushi, na çon të mendojmë se këtu janë të përfshirë edhe eksponent të pushtetit”, qëndron në reagim.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkoi dorëheqje nga ana e zëvendësministrit të MPB, për arsye morale, por edhe për arsye që i njëjti mund të ndikojë në zbardhjen e rastit gjatë hetimeve dhe gjykimit të të njëjtit për veprën penale.

Kujtojmë se kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e sotme për media për planin qeveritar “aksion 21 – standarde evropiane në shtëpi”, paralajmëroi se, pasi të lejohet eksporti i lules së kanabisit për qëllime mjekësore me ndryshimet e ligjit për kontroll të drogave narkotike, në vend do të fillojë debat i gjerë për legalizim të tërësishëm të kanabisit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button