Messi: Dëshirat e 2013-ës, Vilanova dhe Abidal

Sulmuesi i përfaqësueses së Argjentinës, Lionel Mesi, është padyshim njëri nga personalitetet më të famshme të sportit në planet në ditët e sotme, falë golave të tij të shumtë, që shihen dhe përsëriten me mijëra herë në çdo cep të botës, kurse miliona fëmijë anembanë globit mbajnë veshur fanellat me emrin e tij, madje edhe në vendet më të humbura.

Por ylli i lindur në Rozario, i cili ka mbushur 25 vjeç para pak kohësh, nuk është ndikuar nga kjo gjë. Përkundrazi, intervistat e tij tregojnë se ai është shumë i rezervuar jashtë fushës së blertë– tepër ndryshe nga ai lojtar që na magjeps me lojën e tij të bukur dhe që ndriçon fushën në çdo ndeshje kur luan për Barcelonën ose për Argjentinën.

Vetëm pak momente para se të merrte për të katërtën herë çmimin “FIFA Ballon d’Or”, ky djalë që në vitin 2012 vendosi rekordin e golave për një vit kalendarik, dha një intervistë për FIFA.com për të mirat dhe të papriturat e vitit që shkoi. Në radhët e kësaj interviste interesante mund të lexoni përgjigjet e Mesit për çështje të nxehta, si forma e Argjentinës, ndryshimi i qëndrimit të tifozëve ndaj tij në vendin e tij dhe shpresat që ka Mesi për shërimin e shokut të skuadrës Erik Abidal dhe trajnerit Tito Vilanova.

Është hera e gjashtë që ju jeni i pranishëm në galanë “FIFA Ballon d’Or”. A ju shkakton emocione ky eveniment apo është diçka e zakonshme tashmë?

Të them të drejtën, nuk është e zakonshme për mua. Edhe pse evenimente të tilla janë thuajse të ngjashme çdo vit, prapë për mua është e veçantë përherë. Vetëm prania këtu e bën të duket ndryshe sepse gjithnjë kam një ndjesi të ngrohtë pasi e di se sa të bukura janë ditë të tilla. Dhe për më shumë, është një shenjë që kam bërë një punë të mirë gjatë një viti.

Kur ishit këtu në vitin 2007 për herë të parë, ishit një djalë i turpshëm, me flokë të gjatë, por keni ndryshuar shumë që atëherë apo jo?

Shumë! Është e vërtetë që më kanë ndodhur shumë gjëra dhe sigurisht që jam rritur si lojtar dhe si person. Ka qenë shumë kohë më parë, pasi kam qenë ndoshta 18 ose 19 vjeç. Jam bërë më i pjekur, personaliteti im është zhvilluar dhe karriera ime ka marrë formë. Shumë gjëra kanë ndryshuar.

Diego Maradona shpesh thotë se pas “FIFA Ballon d’Or 2008”, kur zutë vendin e dytë pas Kristiano Ronaldos, ai ju ka thënë se nuk duhet të dilni më kurrë në vend të dytë. A është kështu?

Të them të drejtën, nuk e mban mend se kur ma ka thënë Diego këtë gjë (qesh), por është e vërtetë se pas atij viti e kam fituar tre vite radhazi trofeun. Por mjafton të jesh këtu dhe është spektakolare.

Ju vendosët një rekord të ri duke shënuar 91 gola në vitin 2012. Nëse do të veçonit njërin prej tyre, cili do të ishte?

E kam thënë edhe shumë herë të tjera, më shumë i mbaj mend golat për rëndësinë e tyre sesa për bukurinë. Golat e shënuar në finale, për shembull. Në këtë rast, ai që shënova kundër Atletik Bilbaos në Kupën e Mbretit është më i rëndësishmi.

Dhe në aspektin personal, cili do të ishte momenti më i bukur i vitit?

Mendoj se në përgjithësi ishte një vit i mirë. Edhe pse do të doja të kisha fituar më shumë trofe me klubin tim, mendoj se ishte pozitiv si vit edhe për përfaqësuesen e Argjentinës. Ky vit ishte shumë i rëndësishëm për ne dhe kjo është ajo që dua të veçoj: përfaqësuesja pati një vit shumë të mirë pasi kishte vite që gjërat nuk shkonin mirë.

Çfarë ka ndryshuar që ju jeni tashmë në formën më të mirë me “Albicelestet”?

Skuadra përfaqësuese ka ndryshuar. Që gjërat të shkojnë mirë, duhet të përfshihen të gjithë dhe jo vetëm një lojtar. Por gjërat nuk kanë shkuar keq vetëm për mua më parë, gjërat nuk kanë shkuar mirë për tërë skuadrën përfaqësuese, për disa arsye. Por që kur kemi nisur të fitojmë, gjërat janë përmirësuar dhe bërë më të lehta. Tifozët janë me ne, shtypi nuk është aq kritik si në të shkuarën dhe mund ta bëjmë punën tonë në një atmosferë më të qetë, ndryshe. Si pasojë e kësaj situate pozitive, kundërshtarët na respektojnë më shumë sepse e shohin se jemi shumë në formë. Ndryshimi më i madh ishin rezultatet.

A e ndjeni veten më të vlerësuar në Argjentinë tani?

Po, ashtu është. Kemi qenë me fat që kemi luajtur jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe tifozët më kanë trajtuar me shumë dashuri. Kjo gjë u arrit me lojën tonë, me rezultatet që kemi marrë. Ne kemi ndezur entuziazmin në zemrat e njerëzve dhe mund të them se jemi më të bashkuar se kurrë.

Po le të kthehemi te Barcelona, dyshimet që rrethuan klubin kur u largua Pep Guardiola tashmë janë larguar. A ka pasur ndryshime që kur në krye ka ardhur Tito Vilanova?

Po, sigurisht. Mënyra se si punojmë dhe përgatitemi për ndeshjet është e njëjtë, por ajo që ka ndryshuar është se Guardiola dhe Tito kanë personalitete të ndryshme dhe e drejtojnë ndryshe skuadrën. Ata kanë secili idetë dhe stilin e tyre, por kur vjen fjala te mënyra e të luajturit, është po ajo që kemi bërë katër vitet e fundit.

Ky vit ka qenë një vit testues për gjëra që nuk lidhen me futbollin e luajtur në fushë, si për shembull largimi i Guardiolës dhe problemet shëndetësore të Abidalit dhe Vilanovës. Skuadra e Barçës njihet si një skuadër shumë e bashkuar, por sa fort ju kanë goditur këto ngjarje?

Të jem i sinqertë, na kanë goditur shumë fort. Dukej sikur gjërat po pasonin njëra-tjetrën dhe në fakt janë gjëra që ndikojnë më shumë se rezultatet ose forma. Janë situata shumë të vështira. Sigurisht që u prekëm shumë, por disi ia dolëm mbanë të t’i tejkalonim me sukses duke qenë të bashkuar. Falë Zotit, gjërat duket se po përmirësohen si për Abidalin edhe Titon. Edhe pse Vilanova vazhdon trajtimin, më duket se shenjat janë të mira. Kjo është ajo që ka rëndësi më shumë.

Dhe pyetja e fundit: kur keni ngritur dolli gjatë darkës së Vitit të Ri me të dashurit tuaj, çfarë keni uruar që t’ju sjellë ky vit?

Sigurisht që im bir është prioriteti numër një. Ai është një dnryushim shumë i bukur dhe i madh për ne dhe do të jetë gjithnjë i pari në dollitë tona. Më pas urova që Abidal dhe Tito të shërohen dhe të lënë pas përgjithnjë problemet shëndetësore. Por urova që të kem shëndet vetë dhe familja ime dhe të gjithë ata që dua. Në frontin sportiv, kam uruar që të vazhdoj këtë që po bëj dhe të fitoj më shumë trofe.  /FIFA

Lajme të ngjashme

Back to top button