fbpx

Faton Qerimi, i riu nga Maqedonia i cili po bën bujë në TikTok (VIDEO)

Në Maqedoninë e Veriut, një prej të rinjve që po e përdorin TikTok-un në mënyrë të duhur është 20-vjeçari nga Shkupi, Faton Qerimi, student i arkitekturës, por, që në Tik Tok u prezantua me talentin e tij për të kënduar. Edhe pse veten e sheh në të ardhmen si një arkitekt, megjithatë, ai nuk mundet ta anashkalojë edhe dashurinë që ka ndaj muzikës, flet ai për Portalb.mk.

“Me muzikë kam filluar të merrem diku nga mosha 8-vjeçare. Më interesonin instrumentet muzikore shumë, sidomos tastet e bardha dhe të zeza të pianos më kanë ngjallur interes përherë. Përveç që dëgjoja shumë muzikë si i vogël, hapi më i rëndësishëm që më bëri të merrem me muzikë edhe mëtej ishte kur vendosa që ta mësoj një këngë të tërë në piano. Pastaj mësova çdo këngë që më pëlqente, e kështu muzika u bë shoqëruesja ime më e shpeshtë në kohën time të lirë.” tha Fatoni.

TikTok-u u bë një prej platformave më atraktive dhe që krijon varësi te njerëzit, ku për një kohë shumë të shkurtër arriti të zbulojë shumë talentë të rinj. Këtë mundësi nuk kishte se si ta anashkalojë edhe Fatoni, i cili deri më tani ka arritur të ketë 10.800 ndjekës dhe 76.000 pëlqime.

“Duke qenë se gjithmonë kam dëshiruar të provoj gjëra të reja, të bëj gjëra të ndryshme, të përjetoj dhe të shijoj çdo rast të dhënë, as TikTok-un nuk e lashë dot pa e provuar. Aty u paraqita me muzikë, këndim dhe luajtje në instrument, por me një risi në TikTok-un shqiptar: duetet. Fatmirësisht, kjo risi u prit shumë mirë nga krijuesit e tjerë shqiptarë në TikTok, të cilët më përkrahën me duetet e tyre, gjë që bëri zëri im të dëgjohej edhe më shumë në mbarë audiencën shqiptare në këtë platformë”, tha Fatoni.

Ajo që e bën të lehtë depërtimin te audienca në TikTok është vetë platforma e cila të promovon në faqen kryesore dhe kështu e bën të mundshme që videoja të marrë më shumë klikime. Por, për të qenë të suksesshme videot, Fatoni thotë se ne duhet patjetër të jemi të sinqertë dhe të jemi vetvetja.

“Fenomeni i TikTok-ut vazhdon të jetë mundësia më e mirë për të arritur të gjesh një audiencë më të gjërë, krahasuar me mediet e tjera të internetit. Kemi parë raste kur nuk kërkohet talent shumë i veçantë ose ndonjë punë shumë e përkushtuar për të depërtuar në ujërat e gjerë TikTok-ut. Ajo çfarë vlerësohet është veçantia e secilit person që nxjerr diçka në atë platformë. Në qoftë se ekziston truk për të marrë vëmendje, ai mendoj që është sinqeriteti. Njerëzit duan të shohin gjëra të reja, andaj kur vendosim të jemi vetvetja, të tjerët shohin diçka që nuk e kanë parë kurrë. Këtu ndodhet çelësi.” shtoi ai.

Ndryshe nga platformat e tjera sociale, ku njerëzit shtirren dhe nuk janë vetvetja, TikTok-u njihet si një prej platformave ku përdoruesit janë pa filtra.

“TikTok-u është një nga mediet ku mund të shfaqim copëza të krijimeve tona, e të cilat mund të bëhen shkas që ne të lidhemi, pra të njoftohemi me shumë njerëz të tjerë që thjesht u pëlqejnë ato që ne bëjmë. Qoftë talent apo mendim i yni, përderisa duam ta ndajmë me të tjerët, TikTok-u është platformë mjaft e mirë për ta bërë atë. Interneti mbetet të jetë sa i mrekullueshëm, aq edhe i frikshëm, por dëshira jonë për ta shfrytëzuar atë për të mirë duhet të mbisundojë mbi të gjitha arsyet dhe frikat që na bëjnë të hezitojmë.” e përmbylli Fatoni.

TikTok-u u krijua që në vitin, 2016, por, përdorimi më i madh ndodhi këtë vit. Deri më tani numëron rreth 800 milionë përdorues dhe njihet si një prej platformave që po rritet me një shpejtësi të madhe. TikTok-u ju jep hapësirë njerëzve që ta shprehin kreativitetin e tyre përmes videove të shkurtra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button