fbpx

Për dallim nga ai komunal, vetëm për një ditë inspektorati shtetëror evidentoi një sërë shkeljesh në Tetovë

Djegie të vajit të mbeturinave që rezulton në nxjerrjen e materieve kancerogjene, parregullsi në funksionimin e hidrocentraleve të vogla që potencialisht e ndotin ujin e Tetovës, veprim jo i rregullt me mbeturinat e rrezikshme dhe disa parregullsi tjera Inspektorati Shtetëror i RMV-së i evidentoi në Tetovë vetëm për një ditë. Për dallim nga ai shtetëror, për një vit, inspektorati komunal në Tetovë ka shqiptuar vetëm 24 sanksione, shkruan Portalb.mk.

Inspektorët e Inspektoratit Shtetërorë të RMV-së ishin në Tetovë javën që shkoi për inspektim të jashtëzakonshëm, gjegjësisht, për të parë se si veprohet me vajin e rrezikshëm të mbeturinave dhe të tjerë.

Nga gjithsej pesë punëtori që kanë qenë objekt i mbikëqyrjes, vetëm dy prej tyre kanë qenë në rregull me dokumentacionin, gjegjësisht me formularët për transport të mbeturinave të rrezikshme.

“Është me rëndësi të theksojmë se vetëm dy punëtori nga pesë që ishin objekt i mbikëqyrjes, posedonin formularë valide për transport që i dorëzuan tek inspektorët. Ato formularë plotësohen gjatë çdo marrjes të vajrave mbeturinë, aty shihet sasia e vajit mbeturinë, cila kompani e merr dhe ku dërgohet për trajtim” njoftojnë nga Inspektorati Shtetërorë për ambientin jetësor.

Çfarë evidentuan inspektorët?

“Në dy punëtoritë u vërtetua se vaji i mbeturinave i dorëzohet personit juridik i cili posedon leje për transport të mbeturinave të ngurta dhe u vërtetua se vaji nuk digjet në këto lokacione.

Foto: Inspektorati Shtetërorë i Mjedisit.
Foto: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.

Në një nga punëtoritë, inspektorët vërtetuan se një sasi e madhe e vajit të mbeturinave mblidhet në vetë lokacionin, gjegjësisht ajo nuk i dorëzohet personit juridik me të cilin ekziston një marrëveshje paraprakë për marrje dhe transport të mbeturinave të ngurta. Rezervuari për djegie të vajit të mbeturinave është gjetur në bodrumet e punëtorisë, i shprazur, ndërsa në momentin e inspektimit, filloi mbushja e tij nga cisterna e cila arriti në lokacionin. Këtu u vërtetua se vaji i mbeturinave as nuk digjet, as nuk i shitet personit të autorizuar ndërsa pronarit të punëtorisë ju tha se duhet të përmirësoje marrëveshjen ekzistuese për transport të vajit të mbeturinave apo të nënshkruaje marrëveshje të re në afat prej 7 ditësh.

Në dy punëtoritë, ku nuk kishin formularë për transport dhe marrje të vajit të mbeturinave për vitin 2020, në këto lokacioni kjo e fundit nuk mbahej në mënyrën e duhur. Në një nga dy punëtoritë, u vërtetua se vaji i mbeturinave digjet. Djegia e vajit të mbeturinave rezulton në materie kancerogjene. Ky person juridik do të sanksionohet për këtë.

Të gjitha pesë punëtoritë të cilat i kontrolluam nuk punojnë si duhet me filtrat e mbeturinave dhe të njëjtit u detyruan që mbeturinat e ngurta ti slelektojnë dhe dorëzojnë kompanive të autorizuara” njoftojnë nga Inspektorati Shtetërorë për Mjedisin.

Djegie të mbeturinave dhe parregullsi në funksionimin e hidrocentraleve të vogla

“Mbikëqyrja e koordinuar që zbuloi djegien e mbeturinave të kompensatës dhe mobileve, ku u vendosën dy ndalime për djegien e mbeturinave.

Inspektimi në Hidrocentralin LESHNNICA zbuloi se ujëmbledhësi për furnizimin me ujë të qytetit të Tetovës është plotësisht i pambrojtur dhe se prania e makinerive të ndërtimit mund të ndotë ujin e pijshëm në qytet dhe zonën përreth, ata janë të detyruar të paraqesin një raport dhe një vendim për krijimin e zonave të mbrojtjes në burime, nëse ato nëse jo, inspektori do të shqiptojë një dënim të paraparë ligjërisht” njoftojnë nga Inspektorati Shtetërorë për Mjedisin.

Inspektorati komunal, joefektiv

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk njoftojnë se për një vit, gjegjësisht gjatë vitit 2020, inspektorati komunale për mjedisin jetësor në Tetovë ka shqiptuar gjithsej 24 sanksione.

“Numri i dënimeve të shqiptuara nga ana e Inspektoratit Komunal është 24” njoftojnë nga Komuna e Tetovës.

Përkundër kësaj, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, disa ditë më herët tha se është e vetëdijshme për periudhën kritike aktuale në lidhje me ndotjen e ajrit në raport me pandeminë Kovid-19, megjithatë, ajo tha se aktualisht ka vetëm 5 inspektorë ekologjik dhe nuk u përgjigj për atë se a planifikon të bëje rritjen e këtij numri.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Ne si komunë në 5 inspektorë ekologjik kemi ardhur pas rritjes që e kemi bë për katër persona, meqenëse se deri para disa vitesh ka pasur vetëm një inspektor ambienti, ne kemi shtuar vendimet për inspektor dhe kemi arritur në këtë numër. Normalisht jemi të vetëdijshëm që kjo periudhë është periudhë më problematike, duke pasur parasysh faktin që te virusi ndikojnë më shumë elemente, ndikon edhe ndotja e madhe e ajrit për shkak të nxehjes edhe përdorimit të mënyrave të ndryshme për nxehje, ndikojnë ambientet e mbyllura, është një kompleks i rrethanave të cilat krijojnë probleme” tha Teuta Arifi për Portalb.mk.

Shumë raste të krimeve kundër natyrës, kanë përfunduar pa epilog

Rikujtojmë se disa ditë më herët, Portalb.mk dëshmoi djegien e mbeturinave te lagjja e romëve, për këtë informuam edhe drejtorin e inspektoratit komunal për ekologji, Gezim Ganiu, ndërkaq asnjë masë nuk u ndërmor për zbardhjen e atij rasti.

Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Ndryshe, kujtojmë se në Tetovë gjatë vitit 2019 ka pasur vetëm 88 ditë kur ajri ka qenë i pastër, për 120 ditë ajri ka qenë i ndotur mbi të lejuarën kurse për 157 ditët tjera nuk janë shfaqur të dhëna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button