MOTTO

Këtë radhë, pas disa shkrimeve me frymë më akademike, vendosëm që lexuesit t’i ofrojmë një tekst më të shkurtër, që konsumon më pak kohë për lexim dhe më tepër për mendim, ku do gjeni pak fjalë, që nxit ide e komente shumë. I kthehemi pas një vjeti e gjysmë mendimtarit të dalluar Dyxhane Xhyndiogllu, këtij “intelektuali të  pashkollë”, i cili vazhdon të jetojë në një botë të veçantë, të urtësisë, të filozofisë, të thellësisë së kuptimit të fjalës.

Do të japim një përzgjedhje të thënieve nga vepra Motto (2019), ku autori  mendimet, përvojat e autorit rreth jetës, urtësisë, të vërtetës i distilon përmes lambikut të gjuhës dhe të njëjtat ia prezanton lexuesit në formën e tyre më të thjeshtë. Motto është një thurje e hollë e përbërë nga fjali simetrike, që llogarisin njëra-tjetrën, që pasqyrojnë fytyrat tona në rrugëtimin e kësaj bote, në kërkimin e virtytit eternal. Është një hartë ideore që e fton lexuesin t’i kapërcejë muret e mendjes, të ndërgjegjësohet për detin në të cilin po lundron. Në çdo stacion të Motto-s do të dilni në një udhëtim rreth të cilit do të mendoni gjatë; tani e tutje “të qenët në rrugë” si përvojë e kushtit absolut të të qenit njeri do ta shikoni nga një dritare tjetërfare. (Idefix, 2020)

Më poshtë do të shpalosim disa nga reflektimet e tij magjepsëse,  nga vepra e zënën ngoje, që frymëzojnë paçka se thuhen në mënyrë konçize, secila më e thellë se tjetra. Në thëniet e tij që frymojnë filozofi autori na jep mësime për shpresëthyerjen, për disidencën, relacionin dije-etikë, për principialitetin, konfliktet fetare, propagandën, për destruktivitetin e qytetërimit të betonit, për horr-politikanizmin, dijen tradicionale e të ngjashme. Ne nuk do të komentojmë që të mos ju çojmë në një kahje të caktuar, do t’ju lëmë që vetë t’i zbërtheni sipas të kuptuatit tuaj. Ndoshta kështu do t’i kapërceni më shpejt por do të kridheni në mendime dhe deduksione më origjinale. Ja Dyxhaneja vetë:

“Mos u dëshpëro, mes të tjerash, këtu jemi edhe për të përjetuar disfata.”

“Duhet t’ia mbash anën së vërtetës, të jesh i gatshëm për të mbetur i vetmuar.”

“Thelbi i dijes nuk është informacioni, por sjellja; injoranti pa dije ka nevojë për arsimim, kurse i pakarakteri ka nevojë për edukim.”

“Nëse duhet, hiq dorë nga jeta, ama jo nga vetvetja.”

“S’është marifet të memorizosh atë që e kanë prodhuar të tjerët, por ta interpretosh atë.”

“Robëria politike është vetëvrasje e shpirtit.”

“Pasojat e përplasjes mes fetarëve dhe kundërshtarëve të tyre janë dramatike, kurse ballafaqimet mes vetë fetarëve gjithmonë janë tragjike.”

“Ligj i pandryshueshëm: sa më shumë forcohen sloganet dhe klishetë, aq më shumë dobësohet inteligjenca.”

“Ata që s’ia dinë vlerën paqes dhe jetës, këto dy fenomene ua mëson lufta dhe vdekja.”

“Njeri, kapitalizmi është duke të batisur në beton, e ti s’je kah i bie në fije!”

“Rri larg politikanëve që besojnë se kanë bërë më të mirën e gjërave, hiqu intelektualëve që mendojnë se e dinë më të saktën e çdo gjëje.”

“Karakteret e dobëta, për të mbijetuar, kanë nevojë për ndjenja të hakmarrjes.’

“Besimi varfërohet sa më tepër që largohet nga mendimi.”

“Madhërimi i së kaluarës, është ngushëllim për mosdhënien e hakut ndaj së tashmes.”

“Pasi bëhet çekan, njeriu gjithë botën e sheh si gozhdë.”

“Më shajnë pse s’ia dal të gjej lumturinë në parajsën e budallenjve, ç’më duhet një lumturi e tillë, largqoftë!”

“Ligjërata në të cilën shtohet përmasa politike humb përmbajtjen e vet morale.”

“Metoda vjen para parimit; në artin politik, bazike është të jesh me edukatë e jo të kesh të drejtë, sepse ai që s’di ta menaxhojë gjuhën e vet, s’mund t’i prijë popullit.”

“Askush nuk mund ta zaptojë shtetin, në fund shteti pushton çdokënd.”

“Urtësia është dyshimi në pohimin se të vërtetat e mësuara janë vërtet të vërteta.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button