Çështja maqedonase, planet ndërkombëtare dhe CIA amerikane

Për të shkruar për historinë komplekse të Ballkanit me të vërtetë duhet rishikuar edhe njëherë raportet informative të shteteve të huaja për rrethanat e atëhershme ndërkombëtare dhe rajonale. Për t’i integruar të gjitha ngjarjet dhe datat historike në kontekst të politikës së jashtme, kërkohet një angazhim i pavarur dhe qasje profesionale në përzgjedhjen e materialeve që kanë peshë dhe vlerë në raportet ndërshtetërore dhe që shpien drejt zgjidhjeve të problemeve. Këtë punë mund ta bëjnë shumë më mirë Komisionet ndërshtetërore dhe natyrisht se zgjidhja do të ishte më afër sa mendohet nga politikanët në Shkup dhe Sofje. Pothuajse tetë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (LDB)-së, po të njëjtit aktorë na paraqiten sot në drejtim të refuzimeve dhe pengesave të reja për shtetet e ish Federatës Jugosllave.

.

Historikisht Maqedonia Osmane nuk dominohej nga maqedonasit e sotëm, por nga një masë heterogjene dhe pa pushtet. Luftërat Ballkanike nxorën një realitet të ri gjeopolitik, duke i favorizuar serbët në jug, me krijimin e Banovinës së Vardarit sipas modelit të vjetër serb të principatave. Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (SKS). Vazhdimi i represionit dhe i dominimit serb, ndikoi në rritjen e ndjenjave nacionaliste tek pjesa ortodokse e popullsisë në territorin e Maqedonisë Osmane dhe pas. Sipas burimeve ndërkombëtare dhe Raportit mbi Shkaqet e Luftërave Ballkanike të “Carnegie Endowement for International Peace” të vitit 1913, kryengritësit e zonave të Maqedonisë me përkatësi bullgare dhe ato që pretendonin se ishin maqedonas etnikë, i themeluan organizatat e para duke organizuar atentate ndaj figurave të larta të Jugosllavisë së atëhershme. Atentati kundër Aleksandër Karagjorgjeviqit në Marsejë të Francës në vitin 1934 nga Vllado Çernozemski, e dëshmoi frymën dhe natyrën e kryengritjes së popullatës e cila kërkonte pavarësi nga mbretëria SKS. Fillimi i LDB-së e përkeqësoi gjendjen në jug të Ballkanit duke u bërë fushë -betëjë e Forcave Aleate dhe Fuqive të Aksit.

Çështja maqedonase si prodhim ndërkombëtar detyroi Svetozar V. Tempo, në vitin 1943 nën udhëzimin e Titos që partitë komuniste ballkanike përveç organizimit politik të kishin edhe një qendër ushtarake të përbashkët. Ai mbriti në Maqedoni për riorganizimin e luftës dhe të Partisë Komuniste Maqedonase. Në luftën e brendshme midis çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë, këto të fundit u ndihmuan nga vendimi i kryeministrit britanik Uinston Çerçil për të kaluar mbështetjen logjistike nga Drazha Mihailloviçi te Titoja, dhe në fund siç dihet ishte Ushtria e Kuqe e BRSS-së që çliroi Jugosllavinë. Pasojat e çlirimit rus të Beogradit lanë pasoja në organizimin jugosllav të pushtetit deri në ndarjen ideologjike në mes Titos dhe Stalinit në vitin 1948, dhe poashtu me Gjeorgji Dimitrovin menjëherë pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Moskën. Ideja për një republikë maqedonase dhe komb ishte gjithashtu projekt ndërkombëtar dhe lokal për të dënuar Bullgarinë e cila ishte aleate e Gjermanisë në LDB-së.

Raporti i ri i forcave i krijuar pas përfundimit të LDB-së shkoi në favor të forcimit të Federatës Jugosllave, kurse forcimi i komunistëve në Evropën Lindore i dha një pamje të re rënditjes së forcave në jug të Ballkanit e cila sigurisht se shkonte në favor të idesë për shtet maqedonas etnik me kufijë të rinj. Nuk ka dilema se komunisti bullgar dhe lojtari rus Gjeorgji Dimitrov në vitet e para të pas LDB-së ishte në kontrollin e sovjetikëve, pasi kthimi i tij nga Moska në Sofje në vitin 1946 për të ndërtuar Bullgarinë sovjetike, ishte një lëvizje e mirëpritur nga Stalini. Loja me figurën e Goce Dellçevit ishte preludë i skenës së sotme në mes dy shteteve, ku Rusia putiniste po mban një faktor brenda për nxitje të reja dhe mosmarrëveshje në mes shteteve. Marrëveshja e Bledit e vitit 1947 në mes Titos dhe Dimitrovit për bashkimin e dy shteteve duke përfshirë këtu Maqedoninë e Pirinit dhe të Egjeut nuk zgjati shumë. Përplasja në mes jugosllavëve dhe sovjetikëve në vitin 1948 në fakt shkaktoi një ndarje të re në mes Titos dhe Dimitrovit. Dimitrovi mori anën e Stalinit duke i dhënë fund projektit për një Konfederatë Ballkanike. Pas këtij momenti diplomatik, Republika Popullore Socialiste e Maqedonisë ra nën ndikim e plotë të Beogradit të cilët e ndihmuan republikën e re në ndërtimin e institucioneve të para arsimore, shëndetësore dhe padyshim të gjithë sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes popullore të Maqedonisë Socialiste-së, duke përfshirë këtu zyrat e OZNA-ës dhe UDB-së. Thjesht, republika e re ra nën ndikim serb deri në vitin 1991 kur klasa politike maqedonase e shpalli pavarësinë nga Federata Jugosllave me mundësi për bashkim në të ardhmen. Ndikimi serb vazhdoi deri në dekadën e dytë të këtij shekulli dhe është ende e paqartë se a do të vazhdojë edhe më tej dhe në çfarë forme.

Meqenëse vendimet historike ka qenë të padrejta për popujt e Ballkanit dhe shqiptarët dhe maqedonasit u detyruan të jetojnë në një republikë, por kjo jo e barabartë për shqiptarët, atëherë duke i parë rrethanat rajonale dhe pozicionimin e aktorëve global në sistemin ndërkombëtar, qeveria maqedonase duhet të ndërmarrë aktivitete serioze për kthim e mirëbesimit. Në rast së një figurë historike është konsideruar dhe identifikuar si bullgar ai nuk duhet të bëhet pjesë e historisë së MV-së dhe e kundërta vlen për Bullgarinë. Vetëm kështu mund të kemi një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë. Një hap para u bë me deklaratën befasuese të kryeministrit Zaev për ndarjen shekullore që ka shkaktuar regjimi komunist në mes dy shteteve. Kjo duhet përshëndetur, pasi largimi nga sfera serbe, Shkupin e bën të pavarur dhe më të fortë në të gjitha mosmarrëveshjet. Ndryshimet duhet të fillojnë që tani, për një të ardhme të re të rajonit dhe mundësi që gjatë 2021-ës, MV-ja t’i hapë kapitujt me BE-në. Më poshtë është raporti informativ i CIA-s, 1948 i deklasifikuar në vitin 2011, që tregon për raportet në mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë për rajonin siç e quajnë ata “Jugosllavo-Maqedon”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button