Zaev: Jam i gatshëm që në pllakat përkujtimore ku shkruan okupatori fashist bullgar të mbetet vetëm okupatori fashist

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot nga Manastiri deklaroi se vendi dhe Bullgaria janë miq dhe se ai është i gatshëm që të zgjidh kontestin me Bullgarinë. Ai tha se kanë definuar që,  emri i gjatë dhe i shkurtër i shtetit është një gjë e njëjtë – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe se “nuk kemi pretendime territoriale, jemi miq dhe kemi përcjellë besim të plotë”, transmeton Portalb.mk.

“Për ne, Bashkimi Evropian është i shenjtë, evropianizimin duam ta arrijmë me ndërtimin e vlerave evropiane në shtëpi dhe ne atë do ta bëjmë me ose pa bllokada. Ne jemi miq me Bullgarinë, duhet ta zgjidhim problemin, por unë tashmë nuk di cili është problemi”, deklaroi Zaev.

Kryeministri ka shtuar se janë të gatshëm edhe të heqin termin “okupatori fashist bullgar” nga pllakat përkujtimore.

“Jam i gatshëm që nëse duhet edhe njëherë t’i definojë gjërat që janë shkruar në Marrëveshje, ndërsa ajo është mos ndërhyrja në punët e brendshme përfshirë edhe të drejtat e pakicave sepse ato zgjidhen në nivel ndërkombëtar para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Realisht, edhe pse kam kritika në opinionin vendor, jam i gatshëm që në pllakat përkujtimore ku shkruan okupatori fashist bullgar të mbetet vetëm okupatori fashist. Në frymën e miqësisë duhet të kemi kujdes dhe ashtu siç kanë zgjidhur problemin Polonia dhe Gjermania, apo siç e kanë bërë atë Gjermani dhe Franca, të shohim përmes prizmit të miqësisë”, deklaroi Zaev”, theksoi ai.

Ndërkohë, MPJ-ja bullgare thënë së fundmi për të përditshmen bullgare Trud  se Bullgaria nuk do të ndryshojë pozicionin e saj drejt Maqedonisë së Veriut në muaj e ardhshëm.  Në pyetjen e kësaj gazete se, çfarë aktivitete do të ndërmerr Sofja në 6 muajt e ardhshëm që të gjejë zgjidhje për Maqedoninë e Veriut, nga ministria thanë se nuk do të ishte e mençur të pritet ndryshim i pozicionit bullgar.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button