RMV, edhe pas përfundimit të afatit, është zgjatur shqyrtimi i propozim-ligjit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar

Afati për shqyrtimin e projektligjit për shpalljen e malit Sharr, park kombëtar përfundoi më 20 nëntor, por dhe pas përfundimit të tij për vërejtje me shkrim dhe me gojë, MMJPH njoftoi se edhe më tej kishte vazhduar të analizojë komentet nga publiku dhe organizoi një seri të re takimesh të drejtpërdrejta me palët e interesit për të shqyrtuar dhe harmonizuar propozimin, transmeton Portalb.mk.

“Me kërkesë të Ministrit Nuredini, ekipi i ekspertëve i përbërë nga ekspertë të MMJPH-së, ekspertë që përgatitën Studimin e Vlerësimit, përfaqësues të UNEP-it dhe ekipit nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili është përgjegjës për hartimin e Planit të Menaxhimit për zonën e ardhshme, ndërmerr vazhdimisht aktivitete në terren dhe në negociata të drejtpërdrejta me palët e interesuara shqyrtojnë dhe zgjidhin çështjet e propozim-ligjit që janë me interes për popullatën lokale, subjektet aktive të biznesit në zonë, si dhe publikun e gjerë”, thuhet në njoftimin e MMJPH-së.

Siç njoftojnë tutje nga kjo ministri, një raund i dytë i takimeve u mbajt me palët më kritike të interesit, me ç’rastë tanimë janë afruar qëndrimet për çështjet e diskutueshme.

“Gjatë aktiviteteve në terren, takime konstruktive dhe inspektime të përbashkëta u kryen me kryetarët e komunave dhe ekspertët e komunave Tearcë, Vrapçisht, Bogovinë, NP Pyjet Kombëtare, sektorët e gjuetisë, ujërave dhe pyjeve të Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, ELEM Turs DOOEL Shkup dhe Termocentralet e Maqedonisë (ESM). U diskutuan çështjet që do të duhet të adresohen në versionin e reviduar të propozim-ligjit, si dhe mënyra e përfshirjes së palëve të interesuara dhe nevojat e popullatës lokale në Planin e Menaxhimit të Parkut të ardhshëm kombëtar-Mali Sharr, ku aktivitetet e ndaluara dhe të lejuara në zonë përcaktohen më hollësisht”, thuhet në komunikatën e MMJPH-së.

Pikëpamja e përbashkët, sipas tyre,  është e nevoja e informimit më tej popullata për atë që shpallja e Sharrit si park kombëtar dhe mundësitë për zhvillimin socio-ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës – furnizimi me ujë, shërbimet, infrastruktura rrugore, mundësitë për zhvillimin e ekonomisë lokale përmes zhvillimit të shërbimeve të turizmit dhe shërbimeve turistike, por edhe mundësitë që hapen për shfrytëzimin e fondeve ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim, ekipi i ekspertëve dhe përfaqësuesit e lartë të MMJPH-së do të vazhdojnë komunikimin e drejtpërdrejtë me palët e interesit dhe komunitetet lokale deri në finalizimin e propozim-ligjit të harmonizuar për shpalljen e Malit Sharr park kombëtar”, shpjegojnë nga kjo ministri.

Duket se reagimet e opinionit kanë ndikuar që Ministria e mjedisit jetësor të shtyjë konsultimet për harmonizimin e këtij projektligji, pasi më 30 nëntor, 44 iniciativa dhe shoqata qytetare bënë thirrje për mbrojtjen e malit Sharr nga ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël dhe harmonizimin e projektligjit për shpalljen e malit Sharr park kombëtar, me ligjet përkatëse, strategjitë, programet dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“Më 20 nëntor përfundoi afati për mbledhjen e komenteve mbi Projektligjin për shpalljen e një pjese të malit Sharr park kombëtar. Nëse miratohet siç është propozuar, ky ligj do të mundësojë ndërtimin e hidrocentraleve të rinj të vegjël në Sharr, në kushtet kur ndihet shumë ndikimi negativ i hidrocentraleve ekzistues në vlerat natyrore, por edhe në jetën e popullatës lokale. Nëse planet e planifikuara realizohen, do të ketë të paktën 40 hidrocentrale të vegjël në parkun e ardhshëm kombëtar!”, thuhej në reagimin e përbashkët të 44 OJQ-ve.

Ndërkohë edhe drejtoresha e Inspektoratit për ambient jetësor Ana Petrovska, deklaroi se ekziston mundësi potenciale për ndotjen e ujërave të qytetit të Tetovës nga një prej hidrocentraleve të vegjël që po ndërtohen në lumin Shkumbin, pra nga një hidrocentral që është më i përparuari në ndërtim dhe është i vendosur më lart në mal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button