RMV, ueb-platforma e re “Intervenim i hershëm” ofron shërbime për fëmijë me pengesa dhe me zhvillim të vonuar

Me përkrahje nga UNICEF dhe në bashkëpunim me Lidhjen e edukatorëve dhe rehabilitues special, është krijuar ueb platforma e re “Intervenim i hershëm” që është në dispozicion në maqedonisht dhe shqip, ndërsa është e dedikuar për prind dhe kujdestar të fëmijëve me vonesë në zhvillim dhe të fëmijëve me pengesa në moshën nga 0 deri 6 vjeç, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga UNICEF informojnë që platforma shërben për t’u ndihmuar prindërve dhe kujdestarëve t’i kuptojnë treguesit kyç zhvillimor në fëmijërinë e hershme, t’i identifikojnë shenjat e para të vonesës në zhvillim dhe ta stimulojnë zhvillimin e fëmijës përmed lojërave dhe ushtrimeve.

“Gjithashtu, platforma ofron qasje të lehtë tek udhëzimet dhe intervenimet profesionale të individualizuara, duke përfshirë opsionin që prindërit të parashtrojnë onlajn-kërkesë, sipas të cilës profesionistët nga Lidhja e edukatorëve dhe rehabilituesve special do të bëjnë vlerësim të nevojave individuale të fëmijës dhe do të përpunojnë plan individual për zhvillim. Me këtë opsion, prindërve, pavarësisht ku jetojnë, u mundësohet qasje dhe përkrahje si dhe udhëzime për stimulim të shkathtësive, aftësive dhe dhuntive të fëmijës tyre,” thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricija Di Xhovani ka thënë që fëmijëria e hershme është periudhë e mundësive të mëdha për zhvillim të fëmijës, por edhe periudhë e lëndueshmërisë.

“Duke e pasur parasysh që fëmijët me pengesa janë ndër më të lëndueshmit, veçanërisht në kohën e pandemisë së kovid-19, me rëndësi vitale është që familjet të kenë qasje te shërbimet, veçanërisht për përkrahje të zhvillimit të hershëm fëmijëror”, ka shtuar ajo.

Ambasadorja britanike, Rejçël Gallouej theksoi që Britania e Madhe angazhohet për përmirësim të politikave dhe praktikave për kohezion social dhe diversitet në Maqedoninë e Veriut, për çka edhe më kënaqësi i mbështet shërbimet në komunitet, të adaptuara për fëmijët me pengesa, si pikë hyrëse për inkuadrimin e tyre në shoqëri.

“Qendra për intervenime të hershme është pjesë e përpjekjeve tona më të gjera për përmirësimin e jetës së të gjithë fëmijëve dhe për përkrahje të reformave në sistemin arsimor dhe social”, ka thënë Gallouej.

Ueb-platforma paraqet shërbim të zgjeruar të Qendrës për intervenime të hershme e hapur në Shkup në fillim të këtij viti, e themeluar me përkrahje nga UNICEF-i dhe e financuar nga Qeveria e Britanisë së Madhe

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button