Në pritje…. të konkluzioneve

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në orët e hershme të mëngjesit, saktë para 15 viteve, Republika e Maqedonisë (atëherë me referencën e përkohshme) fitoi status të kandidatit. Këto ditë, pesëmbëdhjetë vite më vonë pritej fillim i negociatave me BE-në. Megjithatë, kjo nuk ndodhi, madje edhe pas kompromiseve të rënda për t’u mënjanuar bllokada greke, duke e përfshirë edhe ndryshimin e emrit të shtetit.

Nga viti 2005 e deri sot, çdo gjashtë muaj, kur zakonisht Këshilli i BE-së për punë të përgjithshme shqyrton çështje lidhur me zgjerimin, te ne, atmosfera nxehet. Nëse do të kishim biseduar për çështjen kur do të bëhemi vend-anëtar atëherë kur e merrnim statusin kandidat, për një kohë të shkurtë, temë debati u bë vetëm fillimi i negociatave. A do të ketë rekomandim për negociata? E datë a do të fitojmë? Jo, ka rekomandim për fillim të negociatave… Po datë? Kush është fajtor? Ndërkohë, ngecja në procesin e eurointegrimeve, në kombinim me faktorët vendas, kishte pasoja negative për Maqedoninë. Megjithatë e rrotulluam rrotën. Me të drejtë pritej – jo shpërblim, por fillim i vonuar i asaj që ishte merituar – fillim i negociatave. Ndërkaq, ato filluan të paraqiten vet sikur zgjidhje e problemeve tona. Ndërkohë, vet negociatat u bënë shumë më ndryshe nga ato që ishin në vitin 2005. U bënë më të vështira jo vetëm për shkak të ngritjes objektive dhe ashpërsimit të kritereve për anëtarësim, por për shkak se “u pasuruan” me shumë hapa të ndërmjetëm procedural, efikasiteti i të cilave ende nuk mund të dëshmohet – së paku sipas përvojës së Malit të Zi dhe Serbisë.

Nuk u plotësuan pritshmëritë nga këshilli i ministrave në qershor të vitit 2018, kur nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës duhej të sillte së paku datë të kushtëzuar për negociata. Metodologjinë e re për negociata, të propozuar nga Franca me moton kryesore – kredibilitet i procesit – e morëm në kombinim me kërkesat joracionale bullgare nga Pozita e tyre kornizë për fillim të negociatave nga tetori i vitit 2019 që në tërësi e çrregulluan kredibilitetin e procesit.

Sot përsëri jemi në pritje të konkluzioneve nga Këshilli për punë të përgjithshme. Së pari, nuk do të ishin, për shkak të bllokadës nga Bullgaria, pastaj, kryesimi këmbëngulës gjerman u përpoq të na shpëtojë me konkluzione të reviduara, për të cilat ka arritur kompromis. Kjo fjalë kruciale “kompromis” tani më e ngriti nervozizmin te ne. Megjithatë, në këtë propozim nuk bëhej fjalë për “kompromis” ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë por është publikuar që ndërmjet vendeve anëtare të BE-së është arritur kompromis për tekstin. Sipas lajmeve më të reja edhe ai kompromis nuk ka qenë kompromis, për shkak se disa vende janë kundër formulimit “Këta dy hapa të mëdhenj duhet t’u japin fund efektiv të gjitha llojeve të pohimeve të bazuara në interpretim të gabuar të historisë” (lidhur me Marrëveshjen nga Prespa dhe Marrëveshjen me Bullgarinë) – edhe atë me të drejtë. Problematik është edhe përkujtimi “i rëndësisë për arritje të rezultateve të dukshme dhe zbatim të marrëveshjeve bilaterale me qëllim të mirë, duke e përfshirë edhe Marrëveshjen nga Prespa edhe Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë, si pjesë e procesit të zgjerimit”. Megjithëse për hir të vërtetës, bëhet fjalë për formulime të ndërmarra nga konkluzionet e mëparshme (nga qershori 2018 dhe mars 2020), pastaj të zhvendosura në pjesën e përgjithshme përkatësisht të posaçme të tekstit–konteksti është ndryshe, ndërsa dukshëm nuk duhet të dyshojmë që Bullgaria do ta lexojë në mënyrën e vet. Dhe – po, Këshilli i BE-së, nga Marrëveshja e Prespës e më tej e përdor vetëm emrin e gjatë për shtetin tonë (Republika e Maqedonisë së Veriut), për dallim nga Komisioni Evropian, që e përdor emrin e shkurtë – Maqedonia e Veriut. Praktika e Këshillit është vija e kërkesave të Bullgarisë nga pozita e tyre kornizë. Kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, mirëpo – kompromisi është kompromis, qoftë edhe në dëm të kompromisit të arritur.

Sido që të jetë, është e sigurt se nuk do të miratohet Korniza për negociata (në të cilën shtetet anëtare nuk lejuan të futen kërkesat bullgare) dhe nuk do të fillojnë negociatat. Shkaku është bllokada nga Bullgaria, për shkak se nuk janë përmbushur kërkesat e saj – të cilat jo vetëm që janë jashtë legjislacionit së BE-së dhe kritereve të Kopenhagës, por edhe në kundërshtim me ato.

Ndërkohë, kanë kaluar 15 vite nga statusi i kandidatit. Ndryshoi Bashkimi Evropian, kemi ndryshuar edhe ne. Minimumi që mund të bëjmë është të mendojmë së paku për 15 vitet e ardhshme, në mënyrë objektive duke i vlerësuar të gjitha mundësitë dhe rreziqet, si dhe çmimin dhe përfitimet dhe të shohim çka mund të bëjmë së pari për vete. Mbase jo si alternativë e anëtarësisë në BE, por gjithsesi si alternativë për jetë në pritje të konkluzioneve nga Këshilli për punë të përgjithshme të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button