Pesëmbëdhjetë vjet

Sot shënohen pesëmbëdhjetë vjet nga dita kur ky shtet fitoi statusin e vendit kandidat për integrim në Unionin Evropian. Viti 2005 duket vërtetë larg dhe vitet kanë kaluar shpejt, ndërsa ne ende jemi të ngujuar në këtë status kandidati, pa mundësi për të hapur negociata aderimi edhe sot e kësaj dite. Gjatë atyre pesëmbëdhjetë viteve kaluam përmes një regjimi dhe demoralizimeve të njëpasnjëshme. Dhjetë nga ato pesëmbëdhjetë vjet i kaluam brenda një sistemi të asaj që shkenca politike e quan demokraci joliberale. Kjo kishte pasoja serioze mbi vendin dhe mbi të gjithë ne. Vitet më të mira, më kreative dhe më produktive të gjeneratave të tëra u humbën në atë dhjetëvjeçar gjatë së cilit luftohej për të drejtat themelore civile të njeriut dhe për parimet bazë të demokracisë parlamentare. Sot e kësaj dite ende përballemi me pasojat e atij dhjetëvjeçari të çuditshëm kur lëvizëm nga antikiteti në totalitarizëm dhe gjithmonë në regres prej vlerave evropiane. Edhe vetë vlerat evropiane patën regres të theksuar gjatë kësaj kohe, me shumë vende brenda vetë Bashkimit Evropian të cilat zhyten thellë e më thellë në demokraci joliberale, duke e zgjeruar mbrojten e tyre të azilit ndaj diktatorëve tanë të vegjël dhe duke e zhvendosur gjithë skenën politike evropiane ngadalë por sigurtë nga qendra në të djathtë.

Tani pas 15 vitesh dhe pas disa ndryshimeve të mundimshme dhe këmbëngulëse që na mundësuan anëtarësimin në NATO, Evropa mbetet ende e largët për ne. Sërish jemi në qorrsokak. Kësaj rradhe nuk jemi ne fajtorët por megjatë mbetemi në qorrsokak. Sado apsurde qofshin kërkesat e Bullgarisë, ajo nuk ka pasoja, pasojat i heqim ne. Sado frustruese të jetë situata të frustruar mbetemi vetëm ne. Edhe pse e gjithë bota e civilizuar në këtë rast e përkrah Maqedoninë e Veriut, sërish, bota u kthehet halleve të veta e ne mbesim me hallin tonë që nuk ka fund.

Deri sa jemi jashtë procesit të negociatave evropiane të gjitha proceset e reformave do të jenë të vështira dhe më të mundimshme. I vështirë është reformimi i sistemit arsimor jashta kornizave të negociatave evropiane. Deri sa jemi jashta proceseve të gjithë do të shohin me frikë ndaj reformave e jo me gatishmëri për ndryshim. Dhe si shoqëri e frikësuar që është kjo e këtij shteti, ajo gjithkund sheh rrezik dhe frikësohet nga çdo ndryshim. Kështu, në kombinimin e historisë dhe gjeografisë në shkenca shoqërore disa filluan të shohin pranim të kërkesave bullgare për ndryshimin e librave të historisë. Ky është reagim i nxitur nga frika dhe jo nga realiteti. Shumë shtete kanë shkenca të përbashkëta shoqërore dhe shkenca të përbashkëta natyrore. Bëhet fjalë në fund të fundit për arsim fillor dhe jo për arsim universitar ku specializimi është i domosdoshëm. Por frika është emocion i fuqishëm dhe nxit reaksione të çuditshme.

Edhe marrëdhëniet ndëretnike gjatë gjithë kohës janë të përcjellura me emocione frike. Rregullimi i këtyre marrëdhënieve do të ishte shumë më i natyrshëm brenda kornizës së negociimit me Bashkimin Evropian. Në këto kushte, jashtë këtyre negociatave, sërish frika e mer fjalën kryesore, veçanërisht kur kombinohet me emocionin tjetër: urrejtjen. Kështu nxiten menjëherë komente negative kur një komunë e populluar me shqiptarë mer pjesë të konsiderushme të buxhetit dhe menjëherë paraqitet mosbesim dhe paranojë të cilën nuk e shohim të jetë prezente te analiza e punës së komunave tjera që marrin po të njëjtin buxhet. Komentet raciste vazhdojnë më tej sapo inicohet debat lidhur me Ligjin për shtetësi dhe menjëherë të frikësuarit bëjnë hesapet se sa shqiptarë pa shtetësi do të mund ta marrin të njejtën nëse eventualisht ndonjëherë liberalizohet ky proces dhe vendoset drejtësi lidhur me të njejtin.

Në kornizat e negociatave evropiane edhe krimet e urrejtjes do të fillonin të dënohen në mënyrë efektive. Aktgjykimi që e shpalli të pafajshëm Milenko Nedellkovskin për gjuhë të urrejtjes do të ishte më vështirë të sillet në një shtet që ka hapur negociata për aderim në Bashkimin Evropian. Është apsurde që njeriu që secilën fjalë të dytë e ka shprehje të urrejtjes të mundet kaq lehtësisht ta anashkalojë ligjin dhe të mos bartë përgjegjësi për urrejtjen që e mbjell çdo ditë, në mënyrë publike përmes mediave.

Shumë ndryshime të nevojshme do të ishin më të lehta brenda kronizës se negociatave me Bashkimin Evropian. Por si duket ne asnjëherë nuk do kalojmë përmes rrugës më të lehtë. Ndonjëherë me fajin tonë ndonjëher për faj të dikujt tjetër, ne mbetemi edhe më tej të izoluar. Është e mundimshme të gjesh forcë për të ecur më tej në këto kushte. Prandaj duhen respektuar ata që megjithatë nuk lëkunden në kursin e tyre edhe përskaj këtyre vështirësive dhe vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje edhe kur situata duket e pashpresë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button