Platforma “CareerHub” do të lidhë kompanitë dhe të rinjtë që kërkojnë punë

Ka filluar funksionimi i platformës së re CareerHub, e cila shërben për të lidhur të rinjtë me kompani ose institucione që ofrojnë ndonjë lloj angazhimi. Platforma është punuar në kuadër të projektit “MladiHub – Rinia Digjitale”, financuar nga Ambasada britanike, ndërsa implementuar nga Këshilli kombëtar rinor i Maqedonisë në partneritet me MASIT-in, njofton Portalb.mk.

“CareerHub” është platformë maqedonase, funksioni i së cilës është të lidhë njerëz që kërkojnë punë, me kohë të pjesshme, vullnetarë ose angazhim praktik dhe kompanitë, organizatat dhe institucionet që kanë nevojë për përforcim të ekipit të tyre.

Në “CareerHub” mund të regjistrohet kushdo që kërkon çfarëdo lloj angazhimi profesional- pavarësisht nga vendi ku jetojnë, mosha, niveli i arsimit, statusi i punës, përvoja dhe të ngjashme. Regjistrimi është i thjeshtë dhe falas dhe mund të bëhet në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Kjo platformë pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e të rinjve në vend në angazhimin profesional që ata dëshirojnë, si dhe kompanitë në stafin për të cilin kanë nevojë, thotë Vesna Radinovska, koordinatore e projektit “MladiHub – Rinia Digjitale”.

“CareerHub do t’u japë të rinjve akses në kategori të ndryshme angazhimi: praktikë, honorar, me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë, me vetëm një regjistrim u sigurohet të rinjve një gamë e gjerë mundësishë për të filluar karrierën e tyre dhe për të marrë hapat e parë drejt pavarësisë ekonomike”, shpjegon Radinovska.

Kandidatët që do të regjistrohen në platformë mund të kërkojnë dhe të aplikojnë në çdo kohë për ndonjë prej vendeve të punës, praktikë ose vullnetarizëm të shpallura në platformë. Punëdhënësit e regjistruar gjithashtu mund të postojnë shpallje në çdo kohë, të ndjekin statistikat e pjesëmarrjes në shpalljet që ata kanë publikuar  dhe të kërkojnë përmes aplikacioneve të paraqitura në shpallje.

Radinovska thotë se për fillim ata do të fillojnë me lidhjen e kandidatëve dhe punëdhënësve të vendit, por me kalimin e kohës, me përparimin e CareerHub, në planë është zgjerimi i platformës përtej kufijve të vendit tonë.

“Edhe pse platformën e lançuam publikisht disa ditë më parë, ne tashmë kemi regjistruar një numër solid të punëdhënësve nga sektori privat, por edhe nga ai jo-qeveritar të cilët gjithashtu kanë nevojë për përforcim të kuadrit”,  tha Radinovska.

Sipas saj, kërkesë më të madhe të platformës pritet të ketë për aftësitë që mbulohen nga trajnimet në kuadër të projektit “MladiHub – Rinia digjitale”, të tilla si dizajni, marketingu digjital, menaxhment projekti, programim, por edhe për aftësi që lidhen me përkthimin, juridikun, kontabiliteti dhe të ngjashme.

Platforma automatikisht llogarit se sa një profil i ndonjë kandidati i plotëson kërkesat për ndonjë pozicion konkret  të ofruar nga ndonjë punëdhënës. Përdoruesit e platformës mund të komunikojnë përmes mesazheve dhe të vlerësojnë performancën e palës tjetër.

“Platforma gjithashtu ofron mundësinë për të lënë rekomandime, të cilat sigurisht do të jenë aset domethënës në procesin e kërkimit të angazhimit profesional”, shpjegon Radinovska.

Përdorimi i CareerHub është falas. Më shumë rreth projektit, si dhe shpalljeve aktuale të vendeve të punës ose praktikave mund të gjenden në ueb-faqen zyrtare të “CareerHub”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button