“Normaliteti i ri” prej kohësh është përditshmëri për mijëra bashkëqytetarë tanë

Andrej Pavlovski

Në këtë (jo)kohë të çmendur të pandemisë dhe izolimit, ne kemi një mundësi për të bërë diçka për ata që janë në lloj-lloj izolimigjatë gjithë jetës së tyre.

Shprehja se koronavirusi ka ndryshuar jetën tonë rrënjësisht dëshmohet të jetë e saktë në mënyrën të pamëshirshme. Duhej të na kishte ndodhur kjo katastrofë e madhe (pandemia) në mënyrë që të mund të fillonim t’i shikonim gjërat nga një kënd tjetër, me dhembshuri, me më shumë ndjeshmëri dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Brenda natës duhej të mësoheshim me marrëdhëniet dhe shprehitë e reja. Frika na detyroi të distancohemi nga njëri-tjetri dhe të “harrojmë” jetën shoqërore.

Masat e karantinës dhe orës policore fillimisht në disa çaste dukeshin argëtuese. Ishte interesante të gjenim mënyra të ndryshme për të “kaluar” kohën, por edhe për të vëzhguar rrugët e zbrazëta dhe të qeta. Përkundër pakënaqësive dhe reagimeve më të zëshme ndaj orës policore, i kaluam disi dy-tre muajt e parë. Fatkeqësisht, të qenit i mbyllur në shtëpi bëri që shumica e qytetarëve të ndiheshin të shqetësuar dhe klaustrofobikë, dhe karantina për to ishte një përjetësi. Por kjo mënyrë e jetës prej kohësh është përditshmëri për mijëra bashkëqytetarë tanë. Dikush jeton tërë jetën e tij/saj në një izolim të tillë. Këta janë të gjithë persona me invaliditet dhe aftësi të kufizuara, persona me ngecje ose pengesa në zhvillim, njerëz që jo me vullnetin e tyre jetojnë në karantinë për çdo ditë.

Rutina e përditshme e të tjerëve, për ta është një betejë e përditshme, madje edhe me aktivitetet më të thjeshta. Pamundësia për të lëvizur lirshëm (në këtë rast nuk mendoj për barrierat dhe pengesat e njohura fizike, por për gjendjen shëndetësore) dhe stigmatizimi i vazhdueshëm nga rrethina e bëjnë edhe daljen më të zakonshme një sfidë që duhet paraprakisht të planifikohet mirë dhe plotësisht. Për fat të mirë, shumica e kësaj kategorie njerëzish janë persona me një dëshirë të hekurt, karakter dhe vullnet për një jetë më cilësore.

Por, nën presionin e pamëshirshëm nga paragjykimet e rrethinës, ata diskriminohen dhe pothuajse përjashtohen nga jeta publike. Pa mbështetje të vërtetë, ne për to mendojmë vetëm në mënyrë periodike kur ka një fushatë ose një ngjarje promovuese. Në mënyrë paradoksale, ora policore ishte një mundësi e shkëlqyeshme që të gjithë ne të ishim në lëkurën e tyre, të paktën për një ditë. Ta shohim dhe ta ndiejmë se si duket të jesh i/e mbyllur mes katër mureve, i/e tjetërsuar, vetëm.

Punë nga shtëpia si një domosdoshmëri për këta persona

Sipas të dhënave të Lidhjes kombëtare të personave me invaliditet – Mobilnost Maqedoni, numri i anëtarëve të tyre është 6152, por numri i vërtetë është për 3-4 herë më i madh, sepse shumica prej tyre nuk janë anëtarë në asnjë shoqatë. Të gjithë ata, një nga një kanë të njëjtin ankth dhe problem, që në thelb është mungesa e të kuptuarit të nevojave dhe mundësive të tyre specifike. Aktivitetet e përditshme, rutinore dhe më të thjeshta të njerëzve „të zakonshëm”, për personat me invaliditet/aftësi të kufizuara janë një rëndesë e vështirë dhe e komplikuar. Përpiquni të dilni nga zona juaj e rehatisë/komforit e të menduarit dhe shikojeni botën nga këndi i tyre. Është vështirë të kuptohet. Megjithatë, pikërisht kjo mungesë e të kuptuarit shpesh sjell deri te pamundësia e ushtrimit të drejtës së tyre fundamentale, të drejtës për punë. Respektivisht, mungesa e të kuptuarit se obligimi për të ardhur në punë për ta është një problem i madh.

Për fat të keq, duke ndjekur vijën e rezistencës më të vogël dhe duke u frikësuar se ata do të bien dakord për diçka kundër ligjit, punëdhënësit nuk po përpiqen të ndryshojnë asgjë në lidhje me orarin dhe vendet tradicionale të punës dhe t’u ofrojnë personave me aftësi të kufizuara mundësi të reja (punë nga shtëpia ose distanca/largësia). Përkundrazi, “pronarët” mundësinë për të punuar nga shtëpia shpesh e shohin vetëm si një alibi për të mos punuar.

Novoto normalno e odamna sekojdnevie za iljadnici nasi sograganiBurimi: makfax.com.mk

Sidoqoftë, mundësia (gjegjësisht pamundësia) e “shkuarjes në vendin e punës” nuk ndikon aspak në produktivitetin e këtyre njerëzve. Në fakt, produktiviteti nuk duhet të shihet vetëm përmes prizmit të pranisë fizike në vendin e punës. Kriteret e vetme duhet të jenë vëllimi, cilësia dhe afatet kohore të kryerjes së punës. Për këtë arsye është e nevojshme mënyra fleksibile e punës, respektivisht zgjedhja e punës nga shtëpia ose nga distanca/largësia. Përparësitë e punonjësve të tillë me aftësi të kufizuara do të ishin të shumëfishta, natyrisht rritja e produktivitetit (mund të punoni më shumë se tetë orë), fleksibiliteti, ndërsa për kënaqësinë dhe motivimin as të mos diskutojmë. Nga ana tjetër, punëdhënësit do të kishin punëtorë të kënaqur dhe të përkushtuar dhe si rrjedhojë të ardhura më të larta, shpenzime më të vogla dhe një imazh pozitiv shoqëror.

Puna nga largësia – një e ardhme e largët?

Të shtypur nga ligje, akte ligjore, norma të ndryshme, punëdhënësit ende nuk e pranojnë sfidën e ndryshimit të marrëdhënies së punës për këta persona, kryesisht duke mundësuar punën nga shtëpia. Fatkeqësisht, edhe legjislacioni ynë për këtë çështje është ende shumë shterp dhe i pamjaftueshëm. Në Ligjin për marrëdhëniet e punës eksziston Neni 50, i cili e rregullon këtë çështje shumë shkurtër dhe pamjaftueshëm, duke iu lënë hapësirë punëdhënësve dhe punëtorëve të negociojnë dhe të bien dakord vetë. Prandaj, ne të gjithë duhet të diskutojmë dhe përshtatim legjislacionin aktual së bashku dhe puna nga shtëpia të përcaktohet, por gjithashtu edhe të përfshihet në ligj si një opsion (mundësi) për personat me aftësi të kufizuara.

Duke pritur një ligj të ri për marrëdhëniet e punës, Konfederata e Biznesit e Maqedonisë ka botuar një “Doracak për punë nga shtëpia si një përgjigje ndaj pandemisë me KOVID-19”. Megjithëse është i vonuar, ky doracak është një mundësi dhe udhëzues i shkëlqyeshëm për ndërmarrjet tona që së pari të bëjnë tranzicionin e tyre mendor për të siguruar punë nga distanca personave me aftësi të kufizuara. Nuk duhet shumë, por është e nevojshme të kesh një vizion, ide dhe dëshirë për ndryshim drejt më të mirës. Disa ndërmarrje kanë ndryshuar mënyrën e tyre të punës dhe kanë futur punën nga shtëpia pa pritur ndryshime ligjore. Ky shembull duhet të përsëritet në një nivel shumë më të gjerë. Çdo ndërmarrje (publike ose private) duhet që me vendosmëri, guxim dhe kreativitet të merr hapa duke u bazuar në ndërmarrjet e huaja, të gjejë një mënyrë që punonjësit të mund të punojnë nga distanca.

Normaliteti i ri me ndryshime të reja

Normaliteti i ri solli mundësi për marrëdhënie të reja pune për personat me aftësi të kufizuara ose me nevoja të veçanta, në fakt i quani si të doni (dhe po, ne jemi dakord që ata janë persona me mundësi të veçanta, e jo nevoja). Në situatën e re, lëvizshmëria e tyre e kufizuar nuk ka pse të jetë më pengesë. Përkundrazi, nuk ka nevojë për mund të madh për të arritur në një vend të caktuar, nga planifikimi intensiv i gjërave më banale (“ka shumë shkallë”, ose trajtimi me rojen dhe përgjigjen joserioze – “hyrja është nga ana tjetër”) dhe lëvizja e mundimshme përmes kësaj “xhunglës sonë në asfalt”. Në të njëjtën kohë, të shkosh në punë për këtë kategori njerëzish është një ditë e plotë dhe e vështirë pune, madje para se të fillojë orari 8-orësh i punës. Të çliruar nga kjo situatë stresuese, puna nga distanca u jep atyre të drejtën për të punuar në kuptimin e vërtetë të saj.

Në këtë drejtim, të dhënat nga hulumtimi i kryer nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë tingëllojnë dështuese dhe të pakuptueshme, ku madje 80% e ndërmarrjeve janë deklaruar se nuk kanë mundësi të bëjnë punën e tyre nga shtëpia apo online, dhe 70% prej tyre kanë thënë se nuk janë në gjendje që ta kryejnë veprimtarinë e tyre në një mënyrë tjetër alternative!? E pra, jo të gjithë punonjësit janë minatorë në një minierë (pa synuar të ofendoj askënd, shumë urime për ta) në mënyrë që të paktën disa punonjës ose një pjesë e procesit të mos mund të funksionojnë nga distanca? Përkundër këtyre numrave të zymtë, të drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve nuk duhet të jenë mbi të drejtat humane themelore të njeriut dhe të mbizotërojnë mbi realitetin e ri.

Nevoja për ndryshim është e dukshme dhe e qartë, dhe nëse tani nuk përdorim çastin e ndjeshmërisë dhe dhembshurisë së përgjithshme, nuk ndërmarrim veprime dhe nuk marrim vendime, e gjithë kjo do të mbetet vetëm një dëshirë e shkruar në një copë letër. Ne të gjithë së bashku (përfshi edhe shtetin) duhet të ndryshojmë për më mirë, të kuptojmë nevojat e këtyre njerëzve dhe të përshtatemi për punë nga distanca dhe shtëpia. Gjatë periudhës së kaluar janë zhvilluar diskutime të panumërta, janë marrë masa të llojllojshme, por askush nuk ka ngrit zërin lart dhe qartë që personat me aftësi të kufizuara të kenë të drejtën për të punuar nga shtëpia.

Në ditët e sotme, në këtë (jo)kohë të çmendur të pandemisë dhe izolimit, ne kemi një mundësi për të bërë diçka për ata që janë në lloj-lloj izolimi gjatë gjithë jetës së tyre. Le të mos fshihemi pas inkurajimit nga peripecitë ligjore, por të tundim kokën dhe të shohim brenda vetes. Le të mos qëndrojmë, si gjithmonë, vetëm me fjalë, por të angazhohemi dhe të marrim një vendim njerëzor në interes të të gjithëve. Në realitet, madhësia e një vendi shihet në aftësinë e tij për të krijuar qytetarë të kënaqur, të lumtur dhe të shëndetshëm. Dhe jam i bindur që do të na kthehet një ditë, si një shoqëri moderne, e pasur, por mbi të gjitha njerëzore.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button