Mariçiq tregoi disa detaje për metodologjinë e “vetingut”, pritet ta miratojë Këshilli Gjyqësor

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq me rastin e shënimit të 100 ditëve të para nga marrja e postit, gjegjësisht formimit të Qeverisë, paralajmëroi se metodologjia për filtrim të gjyqësorit dhe Prokurorisë është nga fundi dhe se pritet që Këshilli Gjyqësor deri në fund të kësaj jave të njëjtën ta shqyrtojë dhe miratojë, njofton Portalb.mk.

Më pas, më 28 dhjetor, metodologjia do të gjendet në seancën e Këshillit për Reforma në Gjyqësor, a në bazë të asaj pas miratimit dhe konfirmimit përfundimtar do të publikohet edhe për opinionin.

“Ajo që mund të them tani, a lidhet me metodologjinë është se një pjesë e vogël prej kritereve për filtrim janë: konstatimi nëse ka zvarritje të paarsyeshme të seancave nga ana e gjykatësve, mosrespektim ose tejkalim të seancave ligjore, vjetërsim të përndjekjes ose zbatimit të sanksioneve në lëndët penale, vendim i padrejtë ose ankesë për vjetërsim nga palët”, theksoi Mariçiq.

Portalb.mk, tentoi të kontaktojë me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev për ta pyetur nëse do ta miratojnë metodologjinë për filtrim të gjyqësorit, por i njëjti nuk ishte i qasshëm për redaksinë tonë.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button