Biden pritet të emërojë ish rivalin e tij Buttigieg, sekretar të transportit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden i ka kërkuar Pete Buttigieg, një nga ish rivalët e tij në fushatën presidenciale mes demokratëve, që ta emërojë për sekretar të Departamentit të Transportit në administratën e tij të re, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

“Jam i nderuar që Presidenti i zgjedhur Joe Biden më kërkoi që t’i shërbej kombit tonë si sekretar i Transportit, duke u bashkuar me ekipin e jashtëzakonshëm që ai dhe zëvendës presidentja e zgjedhur Kamala Harris po formojnë për të udhëhequr vendin tonë. Nëse konfirmohet, unë do të punoj çdo ditë për të dhënë këtë vizion për popullin amerikan”, ka shkruar Buttiggieng në Facebook.

Buttigieg, ish-kryetar bashkie i qytetit Sauth Bend të shtetit Indiana, ishte një pretendent surprizë në garën e demokratëve vitin e kaluar. Ai ishte kandidati i parë haptas homoseksual që fitoi delegatë në kuvendin demokrat gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë.

Por fushata e tij përfundimisht nuk pati sukses, dhe ai doli nga gara para zgjedhjeve të Partisë Demokrate në fillim të marsit. Më pas Buttigieg shprehu mbështetje për Bidenin.

Biden e ka krahasuar 38-vjeçarin me djalin e tij të ndjerë, Beau.

“Për mua, është komplimenti më i madh që mund t’i bëj çdo burri apo gruaje. Ashtu si Beau, ai ka një shtyllë kurrizore të fortë,” tha ai për Buttigieg.

Buttigieg është i martuar me bashkëshortin e tij, Chasten, që nga viti 2018.

Nëse emërohet dhe më pas konfirmohet në krye të Departamentit të Transportit, Buttigieg do të kishte nën mbikëqyrje sistemin e autostradave të vendit, aeroplanët, trenat dhe sistemet e transportit masiv.

Biden është zotuar të shpenzojë miliarda dollarë për të bërë përmirësime të mëdha në infrastrukturë, pjesë e përpjekjes së presidentit të ri për të rritur ekonominë që është dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ndërkaq, Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të emërojë ish guvernatoren e Miçiganit Jennifer Granholm si sekretare të energjisë në administratën e tij, sipas dy personave që kishin dijeni për vendimin.

Granholm, 61 vjeç, u bë guvernatorja e parë grua e Miçiganit dhe qëndroi në këtë post për dy mandate, nga viti 2003 deri në 2011. Ajo punoi me Bidenin, kur ai ishte nënpresident për paketën e ndihmës të vitit 2009 për prodhuesit e automobikëve General Motors dhe Chrysler.

Pavarësisht shqetësimeve nga disa punonjës të kësaj industrie, ajo mbështeti përpjekjet për të ndërtuar impiante moderne të baterive për makinat elektrike në Miçigan. Ajo gjithashtu vendosi një standard të ri për energjinë, me kërkesën që një pjesë e energjisë së këtij shteti të prodhohej nga burime të rinovueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button