FENIKSI BANON NË ZEMRËN E POETIT

Lajmi për botimin e përzgjedhjes poetike të poetit Mirko Gashi për mua, si adhurues i poezisë, është shumë më i rëndësishëm se sa lajmet mbi dukuritë tjera kalimtare, për sa kohë krijimtaria letrare e tij, mjerisht, nuk njihet aq sa e meriton, veçanërisht nga lexuesit e brezit më të ri, sepse vepra e tij nuk ribotohet dhe nuk gjendet nëpër librari.

Vepra “Polipet e vdekjes” (poezi të zgjedhura dhe me parathënie nga studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha, që kam shpresë se së shpejti do të jetë në dorë të lexuesit) është edhe ftesë që i bëhet brezit të ri për ta shijuar bukurinë e perlave shpirtërore që bohemi i letërsisë shqipe na i ka falur ndër vite. Është ftesë edhe për studiuesit letërsisë sonë.

Disa studiues të rinj, së fundmi, kanë filluar ta studiojnë krijimtarinë e “bohemit të parafundit” të letërsisë shqipe dhe ky është lajm i mirë, sepse e rikthejnë vëmendjen tek “e lehta dhe flatërorja” e Gashit; te vepra e tij madhështore dhe me horizont të hapur pritjeje.

Poetët mund të dalin nga “vëmendja” e një kohe, e cila nxjerr në plan të parë nevoja të tjera dhe u jep më shumë rëndësi dukurive kalimtare, por ata rikthehen (edhe pse nuk kanë ikur), falë feniksit që banon në zemrën e tyre.

Mirko Gashi nuk ka lindur për të ikur. Ai flijoi gjithçka që të mbetej përgjithmonë në botën e paskajshme të letërsisë.

Shumë të rinj sot mahniten kur lexojnë poezi të Mirko Gashit. Mosnjohja e kësaj krijimtarie madhështore letrare është pasojë se, sikurse thamë, veprat e poetëve më të mirë shqiptarë nuk ribotohen dhe për to kanë njohuri vetëm ata që merren profesionalisht me letërsi…

Mirko Gashi ka shkruar poezi të veçanta, por edhe jeta e tij ishte e veçantë. Poeti nuk jetonte pa pirë dhe pa shkruar. Ai bënte jetë të veçantë edhe në kohën kur nga poeti pritej që të ishte njëfarë autoriteti me kollare. Njerëzit e zhgënjyer prej princave i shihnin poetët si autoritete morale.

Poeti ynë nuk moralizonte. Ai jetonte me poezinë dhe për poezinë. Ishte poet. Poet i madh. Poet i përkushtuar.

Aty ku ka adhurim për artin, shpiken edhe epitete kreative për poetin.

Poeti nuk quhet “normal”, sepse me veprimet e tij nuk duket i tillë. Nuk quhet “jonormal”, sepse krijon perla, që nuk mund t’i krijojnë të tjerët. Poeti është “më normal se sa normalët”. Dhe Mirko Gashi ishte i tillë. Ai kishte jetë të vështirë, por jetoi siç deshi. Me dinjitet. Jetoi si poet. Jetoi si njeri i lirë dhe ishte ndër më mendjekthjellëtit e kohës. Nëpërmjet poezisë i tha të vërtetat më të trishta dhe më të rrezikshme. Ishte i krisur, si çdo poet.

Mirko Gashi jetoi sipas orës së tij. Edhe në kushte terrori i sfidonte Kalorësit e Apokalipsës. Disa poezi të tij janë himn për lirinë. Në poezinë “Liria”, kushtuar Lumit, sugarit të tij, thotë: “Eu çfarë djali kam, / eu çfarë Lumi kam. / Sa kafshata, / sa një pëllëmbë / s’e ka mjekrën / s’ka as dhëmbë, / mallkon yje, / shkatërron pyje / edhe në muajin e vet të tetë / s’don të lidhet në djep”.

Kur edhe një foshnje nuk e pranon robërinë, si mund të pretendojë dikush dikë ta mbajë të robëruar?

Poezia e Gashit shpesh ngjan si sentencë e gatuar jo vetëm nëpërmjet mendimit, por edhe ndjenjës së thellë. Ai arriti që të krijonte një simbolikë të re mbi jetën nëpërmjet figurës së ujit.

Në poezinë e tij ka shumë muzikë dhe dhimbje. Për poetin dhimbja është kudo. Është poetike. “Në kohën kur vërshon gëzimi / në vorbullën e tij është edhe pikëllimi”.

Bohemi i letërsisë shqipe krijoi poezi të veçantë edhe si formë. Si përmbajtje pa asnjë dyshim. Aty “vallëzojnë” spontanisht rima e ritmi.

Mirko Gashi njihet si poet që krijoi variante të ndryshme të një poezie dhe secili variant është poezi në vete. (“Kali i varreve” është poezi që lexohet në disa mënyra).

Mirko Gashi është sojli i artit. Ai para se t’i botonte poezitë i “përpunonte” në kokën e tij me muaj e vite. Dhe botoi poezi antologjike, për të cilat duhen bërë studime, magjistratura e doktorata, por para së gjithash vepra e tij duhet të ribotohet.

Poezia e Mirko Gashit do të lexohet përgjithmonë, falë shtresave të saj universale.

Mirko Gashi ishte edhe përkthyes i poezisë shqipe, njëkohësisht solli në sistemin tonë kulturor perla poetike nga sistemet tjera kulturore.

Besoj se do të vijë koha kur do të dalë një president që do të ndajë dekorata me emrin e këngëtarëve të lirisë.

Besoj se do të vijë koha kur të tjerë emra do të sillen në kokën e njerëzve. Njëri prej tyre do të jetë Mirko Gashi.

Botimi i vëllimit poetik “Polipet e vdekjes” është njëri nga librat e domosdoshëm për kulturën tonë. Botimi i këtij libri është një lajm që i duhen çdo kohe, veçanërisht kohës sonë, të cilës i zihet fryma nga klishetë, refrenet, nga humbja e gjuhës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button