ÇFARË PO NDODH?

Po bëhen shumë dhjetëvjetsha që i ka kaluar shteti shqiptar pas asaj garniture historike e cila i vuri themelet e shtetit. Ata i vunë nëvizje mekanizmat për ndryshimin e vendit dhe vendosmërinë e tyre për një shtet evropian. Përpjekjet e tyre janë për respekt dhe ne kurrsesi nuk duhet të lejojmë që ata burra të bien në humnerën e harresës. Ata do të qëndrojnë në kreun e parë të librit të madh të lirisë për të cilën populli ynë dhe me miljona dëshmorë e viktima të pafajshme të cilët e lanë me gjakun e tyre një pjesë të madhe të Ballkanit perëndimor ku kanë qenë vatrat e etërve, gjyshërve e katragjyshërve tonë. Ata janë dhe do të mbeten krenaria jonë.

Kjo njëherësh na e imponon detyrimin të thuhet ndonjë fjalë për politikanët të cilët i solli në pushtet stuhia e Luftës së dytë botërore kur Evropa perëndimore ia dorëzoi shumë lehtë Shqipërinë bllokut lindor të udhëhequr nga Stalini. Dhe, natyrisht edhe për udhëheqësin komunist i cili erdhi në pushtet përmes Jugosllavis – Enver Hoxhës.

Evropa, duke u udhëhequr nga interesat e veta e mbrojti nga komunizmi vetëm Greqinë dhe nuk lejoi që ai shtet t’i  bashkohej Paktit lindor. Ky “mëkat” i aleatëve perëndimorë popllit tonë i kushtoi shumë. Komunistët kryesisht e vranë dhe pjesën më të vogël e hodhën nëpër burgje e kazamate të tmerrshme. Një pjesë fare e vogël u hodh në greminën e heshtjes ku ishte e detyruar që çdo punë intelektuale që bënte ta niste me formula lajkatuese për “prijësin legjendar”, “birin më të mirë e më të madh të popullit shqiptar”, “xhaxhin e dashur”, “mësuesin e madh” etj. etj. Kështu në historinë e shtetit, por edhe të mbarë popullit shqiptar u hap faqja më e errët e historisë.  Ligësia e parë, kuptohet, është ajo që u tha: eliminimi i aristokracisë dhe shtresës intelektuale shqiptare dhe largimi i pak atyre që mbetën e që i mbrojti fati diku në anonimitet duke punuar nëpër bodrume ose vende të cilat vazhdimisht ua përkujtonin shpatën e Damokleut mbi kokë. Pastaj u ngrit muri i tmerrshëm rreth e më rreth Shqipërisë i mbështjellë me tela me gjemba e me rrymë elektrike. Pastaj iu pamundësua Shqiptarëve etnikë të mbetur jashtë shtetit shqiptar që të shkonin ta vizitonin Shqipërinë. Kjo ndalesë vlente edhe për arbëreshët, edhe për arbneshët, edhe për shqiptarët e Turqisë, edhe për shqiptarët e katundeve ukrainase. Pastaj u shpik termi “familje e prekur” fëmijët e të cilëve s’kishin të drejtë të shkollohen dhe që në fëmijëri ndiqeshin hap pas hapi. Pastaj u grabit prona e qytetarëve duke e shndërruar atë në kolhoze, sovhoze, kooperativa dhe vende hataje ku ushtrohej egërsia e internimit. Pastaj u shpik izolimi i popullit shqiptar nga bota normale. Pastaj u bë e detyrueshme që kultura tërësisht të jetë në shërbim të Partisë, pastaj të kontrollohet çdo shkrim gazetaresk, pastaj edhe çdi poezi.  Pastaj u imponua varfëria e skajshme, ndërtimi i një lloj ndërtesash në tërë Shqipërinë ku edhe mobilimi ishte i njëjtë në çdo shtëpi. Përveç këtij yrneku i cili e kapërcen edhe imagjinatën e Kafkës, tmerri ecte natën derë më derë dhe çdokush frikësohej nga çdokush mos po akuzohet vetëm nëse ka lexuar ndonjë libër të ndaluar.  Pastaj u vunë në veprim hafijet që të krijonin “njeriun besnik” i cili do të jetonte vetëm për partinë. Të gjitha këto, ndërkaq, nuk e pengonin imagjinatën e njerëzve që kërkonin shtigje për ekzistencë, imagjinatën që kërkonte ndonjë derëz për  dinjitet. Komunizmi megjithatë nuk mundi ta vrasë ëndrrën e shqiptarëve për liri dhe prosperitet. Dhe, kjo ëndërr filloi të realizohet pas ramjes së komunizmit dhe me fillimin e hapave të parë të demokraizimit të vendit. Ishte kjo një eufori e cila u ndez flakë brenda dhe jashtë Shqipërisë që fliste për një shpresë të madhe për ndryshimet e mëdha ekonomike, politike, kulturore dhe, natyrisht, edhe të integrimeve ndërshqiptare. Punët në këtë drejtim kanë shkuar mjaft mirë deri në vitin 1997 kur ndodhi një hata – rebelimi i vitit 1997 i njohur ndryshe edhe si Kriza piramidale, Anarkia në Shqipëri, që në fakt  ishte një lëvizje antiqeveritare që filloi më 24 janar në Lushnjë dhe përfundoi më 24 korrik 1997, pas dorëheqjes së Sali Berishës si President i vendit. Si ndodhi që të ketë aq dezertime në ushtri, në polici, si ndodhi që policia të mos mund t’i mbrojë qytetarët, pronat e tyre, institucionet, ende mbetet e paqartë. Por mund të supozojmë se atëherë elementi i jashtëm ka pasur dorë në këtë katastrofë. Dhe, u desh kohë që vendi përsëri t’i shërojë plagët e marra. Pas atëherë askujt s’ia ka marrë mendja se përsëri në Shqipëri do të ketë përpjekje për një skenar të ngjashëm të asaj kohe. Kësaj radhe, përveç institucioneve qytetare, fatkeqësisht po sulmohen institucionet si biblioteka dhe muzeu, vende ku ruhet memorja kombëtare, dokumentet ku ruhet vula e identitetit shqiptar.

Keq. Fatkeqësisht kësaj radhe ka gjasa të ketë përpjekje që përmes këtyre veprimeve të mbrohet korrupsioni, ngjashëm si më 1997 kur kishte përpjekje për t’u arsyetuar grabitja e madhe e qytetarëve shqiptarë me primidat.

Në fund mbetet vetëm habia pse këto gjera ndodhin në atë kohë kur Shqipëria po u afrohet preceseve evrointegruese, kur raportet e Maqedonisë dhe të Bullgarisë u ftohën dhe kur Serbia bën çmos ta shtojë praninë e saj në Mal të Zi. Çfarë po ndodh, vëlla?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button