“Pejper mill” gjobitet me 20.000 euro për emetim të PM10, inspektorët në ofensivë kundër ndotësve

Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor e dënoi kompaninë nga Koçani “Pejper mill” me 20.000 euro dhe obligim që për dy muaj të instalojë filter për të ndalur ndotjen e ajrit me PM10 grimca nga oxhaqet e saj. Gjobë mund të fitojë edhe Komuna e Tetovës e cila edhe krahas paralajmërimit që kaptazhi i ujit për pije për qytetin nuk është i mbrojtur dhe nën rrezik nga punimet ndërtimore të hidrocentralit të vogël Leshnicë, nuk ka ndërmarrë asgjë për ta siguruar, shkruan Meta, njofton Portalb.

Drejtoresha e Inspektoratit Ana Petrovska sot informoi që inspektorët në mënyrë aktive kanë punuar në pikën e re të nxehtë në Koçan, fabrika “Pejper mill”. Kompaninë, inspektorët e kanë vizituar muajin e kaluar kur është zbuluar që matjet janë bërë nga laborator i paakredituar dhe kur është bërë matje e jashtëzakonshme me ç’rast kanë konfirmuar që fabrika po ndot me pluhur dhe monoksid karboni mbi limitet e lejuara.

“Fabrika ishte e obliguar ta ndërrojë derivatin nga peleta në metan që të mos ndot. Ndërkohë ata kanë instaluar pajisje për ozonim dhe kanë realizuar korrigjime të pluhurosjes së ujit. Pas matjes së re të emetimeve, rezultatet sërish kanë qenë mbi nivelin e lejuar për çka është shqiptuar gjobë. Si zgjidhje të përhershme Pejper Mill do të duhet që në periudhën e ardhshme të instalojë filter dhe seriozisht t’i zvogëlohë emetimet e PM grimcave”, theksoi Petrovska.

Ajo informoi që në periudhën e kaluar Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor ka realizuar 124 mbikëqyrje nga të cilat 28 janë të jashtëzakonshme dhe ka lëshuar 47 aktvendime për mënjanim të mungesave, dy kallëzime për kundërvajtje, dy ndalesa për djegie të hedhurinave dhe propozime për tre dënime. Mbikëqyrje e jashtëzakonshme është zbatuar edhe në rrethinën e Hekuranës ku është konstatuar që më tepër impjante punojnë pa elaborate, që së shpejti do të duhet t’i përpunojnë.

Inspektorët për mjedis jetësor kanë kërkuar edhe rishqyrtim të elaboratit për mjedis jetësor për trajtim të hedhurinave mjekdësore të firmës “Remondis medison” ose i mëhershmi “Eko klub” nga Manastiri ku janë konstatuar mungesa serioze. Firma është dashur të trajtojë hedhurina të rrezikshme në afërsi të tre kapaciteteve për prodhim dhe grumbullim të ushqimit megjithëse vet prezenca e objektit të këtillë mund të ketë ndikim negativ në industrinë ushqimore.

Petrovska paralajmëroi që hidrocentralet e vogla, që janë në interes të opinionit për shkak të ndikimit të tyre mbi biodiversitetin dhe mbijetesën e natyrës, të kafshëve, do të kontrollohen nga inspektorët, veçanërisht në pjesën e respektimit të emitimit të minimumit të përcaktuar biologjik.

“Kontrolli në ndërtimin e hidrocentralit të vogël në Leshnicë muajin e kaluar zbuloi që kaptazhi për furnizim me ujë për Tetovën nuk është i mbrojtur, ndërsa mekanizimi ndërtimor mund ta ndotë ujin për pije për qytetin. Në mbikëqyrjen në Komunën Tetovë dhe ndërmarrjen publike komunale, komuna nuk ka parashtruar elaborat për zonë mbrojtëse, që është e domosdoshme, ndërsa nëse nuk i parashtron këto vendime, pas skadimit të afatit, inspektori për ekonomi ujore do të shqiptojë gjobë”, thotë Petrovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button