ANTROPOLOGJI: QEVERISJA DHE (I)MORALITETI (2)

Autorët Blanton, Feinman, Kowalewsky dhe Fargher në këtë hulumtim (“Moral Collapse and State Failure: A View Form the Past”, 2020) si shembull të liderit amoral nga kohët kur shtetndërtimi dhe qeverisja ishin autokratike, despotike, e japin atë të perandorit romak Commodus. Pararardhësit e tij Jul Qesari dhe Augusti kishin bërë reforma qeveritare dhe investime infrastrukturore që kishin rritur standarin material në të gjithë sektorët socialë dhe në territoret imperiale për 200 vitet vijuese (p.sh. 85000 km. kishin ndërtuar rrugë për të lidhur Romën me provincat). Pas tyre timonin e shtetit e mori Mark Aureli, që kishte ndjekur shembullin e dy të sipërpëmendurve, e më vonë pasoi Commodusi që u ballafaqua me “gropë fiskale”, probleme me mobilizimin e ushtarëve, me rebelime e shumë telashe të tjera. Commodusi, në vend që të merrej me këto probleme parapëlqente performimet si gladiatior dhe identifikimin me Herkulin. Si përfundim i hapave të pamenduar mirë, ai qe vrarë në një atentat dhe kështu shteti me famë kaloi në një periudhë të krizës dhe dërrmimit. Mes viteve 235 dhe 260 ishte shfaqur një anarki e vërtetë, 51 individë kishin pretenduar titullin e perandorit romak. Ndërkohë, praktikat si shitja e pozitave shtetërore ishin shndërruar në një normale të re.

Republika e Venecies (shek. XII-XIV deri më 1797, kur kapitulloi para Napoelonit), qendër tregtare Afro-Euro-Aziatike, shteti më i shkëlqyeshëm në Europë rreth viteve 1400, shoqëri stabile në saje të tre parimeve kyç (neutraliteti religjioz, anti-autokracia dhe bindja se pasuria individuale ka ndikim negativ në proceset politike), u rrënua kur u shkelën parimet bazike (G. Corner u zgodh kryetar vetëm pse ishte nga një familje e pasur, pasardhësi i tij merrej me biznese të palejuara, ndërsa njëri nga djemtë e tij u emërua peshkop i Bergamos, me çka u thye parimi i asnjanësisë apo laicitetit të shtetit).

Raste të këtilla shënohen edhe sot kur liderë të paaftë kërcënojnë parimet bërthamë dhe stabilitetin e vendeve që i qeverisin. Pabarazia, përqendrimi i pushtetit politik, evazioni fiskal, gërryerja e institucioneve demokratke, dërrmimi i infrastrukturës, dobësimi i shërbimeve publike janë dukuri që shënohen tek kombet demokratike të kohës sonë. Sipas autorëve, çdo ditë lexojmë për rritjen e fuqisë së autokratëve, për disfunksionalitet zgjedhor, për korrupsionin zyrtar dhe mosbesimin në rritje ndaj institucioneve qeverisëse. (Levitsky & Ziblatt, 2018)

Autorët përveç ngjajshmërive shënojnë edhe dallimet mes shoqërive-shteteve që kanë jetuar me qindra apo në disa raste me mijëra vite më parë, kur qytetarët pasivë janë dominuar nga autoritarianët e vetë-interesuar (self-interested authoritarians) dhe demokracive moderne që konsiderohen kulm i politikbëries. Pavarësisht nëse shoqëritë drejtohen nga diktatorë të pamëshirshëm ose përfaqësues qëllimmirë, ato rrënohen me kalimin e kohës. Ky është fati final i tyre. “Gjetjet tona tregojnë se shoqëritë e mëdha edhe të mirëqeverisurat, ato me mirëqenie dhe të shumë-respektuarat nga qytetarët janë konstrukte njerëzore fragjile dhe mund të dështojnë” – thekson Blanton. Shembull më konkret nga historia e afërt është Jugosllavia, e cila merrej si ekzemplar global i mirëfunksionimit të shtetit, që vetëm disa vite pas vdekjes së liderit tregoi shenja të dobësimt dhe shpërbërjes, që edhe ndodhi pak më vonë (vitet 1990). Padrejtësitë, dhuna dhe diktatura që synohej të imponohej ndaj entiteteve joserbe ia morën shpirtin një ngrehine të madhe.

Teza kryesore e këtij artikulli që trajton shtetndërtimin paramodern, është se shtetet zhbëhen nëse liderët i shkelin parimet dhe idealet shoqërore thelbësore, se historia ka shumë gjëra për të na mësuar, se duhet t’i bëjmë zgjedhjet më të mira, më të drejta, më etike, jo ato të interesave parciale. Benefitet e ndërsjella maksimizohen kur anëtarët e shoqërisë pranojnë përgjegjësinë morale dhe veprojnë përtej egozimit, me përgjegjësi në prodhimin dhe menaxhimin e burimeve të përbashkëta. Sot, në shumë vende, sondazhet mbi vlerat flasin për rënie në besimin te idealet dhe institucionet demokratike. (Howe, 2017), për lëkundje në besimin qytetar te shteti si pasojë e veprimeve jo kompetente, jopopullore dhe destruktive të lidershpit të majës së piramidës shoqërore. (Blanton et.al, 2020) Andaj shumë me rëndësi është teoria e aksionit kolektiv ku theksohet prodhimi i përbashkët (joint production), taksapgimi racional përkundër atij pasiv premodern dhe përgjegjësia morale e ndërsjellë (mutual moral accountability). Siç shprehet Feinman, në një qeverisje të mirë shfaqet infrastrukturë komunikimi efikase, bukrokraci që i mbledh taksat, që e mbështet popullin dhe i shpërndan të mirat publike, krijohet një ekonomi ku populli e financon qeverinë, një mjedis ku rrjetet dhe institucionet shoqërore janë fuqishëm të lidhura ekonomikisht, shoqërisht dhe politikisht. “Në shoqërinë me qeverisje të mirë, lideri moral i ndjek parimet thelbësore, etosin, bindjet dhe vlerat e tërë shoqërisë.” Pasojat e dekadencës ose më e keqja, shkatërrimi i një shteti mund të anticipohen dhe të pengohen nëse ka gardianë moralë institucionalë dhe të jashtëm, nëse çdo qytetar kupton se respektimi i ligjit është vetë liria dhe nëse veprohet konform parimit kantian të respektimit të “qiellit me yje mbi ne dhe ligjit moral në ne”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button