Pendarovski: Do të ishte çmenduri po të pranonim diskutim për gjuhën dhe identitetin

Shtylla e identitetit tonë është gjuha jonë, ndërsa pastaj historia jonë e përbashkët, tha Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë me “Euobserver”. Sipas Pendarovskit, nuk është sekret që gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, por është një gjuhë e veçantë, e ngjashme me bullgarishten, por “nuk është dhe nuk ishte bullgare”, transmeton Portalb.mk.

Kodifikimi zuri vend në fund të Luftës së Dytë Botërore kur Republika Popullore e Maqedonisë u formua si pjesë e Jugosllavisë. Para kësaj, territori ishte qeverisur nga Bullgaria, Serbia dhe, duke shkuar pas në të kaluarën, nga Perandoria Osmane.Përkundër kësaj, njerëzit që jetuan atje, sipas Pendarovski, gjithmonë kishin identitetin e tyre etnik.

Por, bullgarët pretendojnë se e gjithë historia jonë deri në 1945 ishte bullgare dhe se gjithçka, nga shekulli i 10-të deri në 1945 ishte bullgare, është e pakuptimtë, theksoi Pendarovski.

“Ata thonë se maqedonasit etnikë ekzistojnë… por që një mëngjes në vitin 1944 u zgjuam dhe thamë “Po, ne me të vërtetë jemi maqedonas etnikë tani, por dje ishim bullgarë etnikë. Kjo është marrëzi absolute historike”, shpjegon Pendarovski.

Sipas Euobserver, nuk do të kishte rëndësi se çfarë mendon Bullgaria për këtë çështje, nëse Sofja nuk bllokon negociatat e pranimit derisa Maqedonia e Veriut të pranojë zyrtarisht pikëpamjet e saj.

Lidhur me qëndrimin bullgar se “gjuha dhe identiteti maqedonas nuk ekzistonin deri më 2 shtator 1944 dhe se krijimi i tyre ishte pjesë e formimit gjithëpërfshirës të një identiteti të veçantë jo-bullgar me qëllim të ndërprerjes së lidhjeve midis popullsisë lokale dhe Bullgarisë”, Pendarovski tha “nuk mund të pranojmë diskutim për këtë çështje … është çmenduri”.

Pavarësisht se çfarë ndodh, askush në qeverinë aktuale nuk ka të njëjtat “prirje autoritare”, vuri në dukje Pendarovski.

Por, paralajmëroi Pendarovski, edhe nëse udhëheqësit e vendit pro-BE-së u përmbahen vlerave të tyre, votuesit mund të humbin besimin tek ata me kalimin e kohës dhe të kthehen drejt politikanëve populistë në vend të tyre.

“A mendoni se do të kemi të njëjtin besueshmëri duke folur për BE-në, reformat dhe mbështetjen e miqve tanë evropianë në Bruksel, nëse jemi të bllokuar?”, tha Pendarovski.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button