RMV, u arrit pjesëmarrja e nevojshme e votuesve në Shtip dhe Pllasnicë, Nikollov dhe Jaoski kryetarë të rinj

Zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat e Shtipit dhe Pllasnicës përfunduan në rrethin e parë. Në Shtip fitoi Sashko Nikollov nga LSDM-ja, ndërsa në Pllasnicë Alija Jaoski nga BDI-ja. Në të dy komunat, veçanërisht në Shtip, çështja nuk ishte kush do të fitonte, por nëse do të arrihej pjesëmarrja minimale e paraparë ligjërisht e një të tretës së votuesve të regjistruar. Në fund, në të dy vendet pjesëmarrja shkoi mbi 33.33%, njofton Portalb.mk.

Kryetari i ri i komunës, Nikollov tha se qytetarët e Shtipit zgjodhën rrugën evropiane dhe treguan përgjegjësi shoqërore.

“Ne, qytetarët, sot demonstruam përgjegjësi dhe politikë evropiane. Bashkëqytetarët e mi më kanë dhënë një detyrim që unë personalisht e marr përsipër, që është të kem barazi, kujdes dhe mbështetje për çdo qytetar. Përkundër të gjitha pengesave të VMRO-DPMNE-së, të cilat nuk kishin guximin të nxirrte një kandidat, treguam se mbetemi në rrugën evropiane. Ditën e kaluam duke qëndruar në kafe, pa presione dhe pengesa, kjo do të thotë që demokracia në Shtip është kthyer “, tha Nikollov.

Kryeministri dhe udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev, uroi Nikollovin dhe tha se me këto zgjedhjet të, qytetarët e Shtipit ndëshkuan udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij zgjedhjet ishin të drejta, të lira dhe demokratike, dhe më e rëndësishmja të sigurta.

Në Pllasnica, fitoi kandidati i BDI-së, Alija Jahoski, të cilin i pari e përgëzoi udhëheqësi i partisë Ali Ahmeti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti tha se fitorja e Jaoskit është një konfirmim i vullnetit të qytetarëve dhe mbështetje për politikat e BDI-së.

Jaoski tha se do të jetë kryetari i të gjithëve dhe se do të punojë 24 orë në komunë.

“Unë do ta kryej funksionin me sinqeritet dhe do të vazhdoj aty ku është ka ndaluar kryetari i mëparshëm, do të vazhdoj të realizoj projektet e filluara për këto 10 muaj. Falënderoj të gjithë ata që votuan, por edhe ata që nuk votuan, unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të punoj 24 orë në Komunën e Pllasnicës”, tha Jaoski.

Alija Jaoski është vëllai i Ismail Jaoski, kryetar shumëvjeçar i Plasnicës, i cili u zgjodh deputet nga lista e BDI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në zgjedhjet e parakohshme lokale të drejtë vote kishin 41.777 votues, prej të cilëve 39.605 nga qyteti i Shtipit. Në pjesën e veçantë të Listës Zgjedhore ishin edhe 2.101 qytetarë të cilët punonin ose qëndronin përkohësisht jashtë vendit. Në Komunën e Pllasnicës të drejtë vote kishin 4.954 persona.

Zgjedhjet në këto komuna mbahet pasi që krerët e tyre u emëruan me poste në pushtetin ekzekutiv. Mandati i tyre do të zgjasë deri në zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button