RMV, papunësia do të ulet për 12.4% brenda 5 viteve, rritja ekonomike do të dyfishohet, premtoi Ministria e Financave

Ministria e Financave në Maqedoninë e Veriut në Strategjinë fiskale vlerësoi se papunësia në pesë vitet e ardhshme do të ulet për 12.4 përqind, derisa shkalla e punësimit do të rritet për 52.1%, transmeton Portalb.mk.

“Norma mesatare e rritjes ekonomike parashikohet të arrijë 5%, papunësia të ulet në 12.4%, ndërsa shkalla e punësimit të rritet në 52.1%. Paga neto në pesë vitet e ardhshme pritet të rritet me normë mesatare prej 4%”, raportojnë nga ministria.

Në Maqedoninë e Veriut ka 1 685 741 qytetarë të aftë të punë, vetëm 785 mijë janë të punësuar, ndërsa 16.5 përqind e popullsisë aktive janë të papunë.

Në bazë të Strategjisë fiskale do të ketë dyfishim të eksportit, ashtu që në vitin 2021 pritet rritje për 14%, me rritje mesatare vjetore 9.1 deri në vitin 2025. Enti shtetëror i statistikave raportoi se sivjet në muajin korrik, gusht e shtator kemi ulje të eksportit (6.8%) dhe importit (3.2%) për mallra dhe shërbime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Dyfishim planifikohet të ketë edhe rritja ekonomike, ashtu që në vitin 2021 planifikohet rritje prej 4.1%, derisa në vitin 2025 rritja ekonomike pritet të arrijë në 5.9%. Ministria planifikoi edhe rritje të investimeve bruto, fillimisht 7.7% në vitin 2021, duke u shoqëruar me rritje të konsumit privat e publik. Në tremujorin e tretë të këtij viti është regjistruar ulje e shkallës së prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për 3.3%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndryshe, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut (BPRMV) projekton rënie të ekonomisë prej 4,9%, edhe pse në prill parashikoi rënie prej 3.5%, tregojnë projektimet e rregullta makroekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button