RMV, votohet për kryetar të ri në komunën e Shtipit dhe Pllasnicës

Në Komunën e Shtipit dhe Pllasnicës sot deri në ora 19:00 pritet të mbyllen kutitë e votimit për Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës, transmeton Portalb.mk. Komisioni shtetërore zgjedhor (KSHZ) raportoi se procesi zgjedhor filloi në rregull dhe në kohë.

KSHZ-ja njoftoi se deri në ora 15:00 në Shtip kanë votuar 9620 qytetarë (23.03%), ndërsa në Pllasnicë kanë votuar 1658 qytetarë (33.47%).

Komisioni deri më tani nuk ka raportuar për ndonjë parregullsi të regjistruar.

Dalja në zgjedhje deri në ora 13:00 në komunën e Shtipit ka qënë 16.61% pasi votuan 6938 votues, derisa në Pllasnicë votuan 1107 votues (22.35%).

KSHZ-ja njoftoi se deri në ora 11:00 në Shtip kanë votuar 3561 qytetarë (8.52%), ndërsa në Pllasnicë 650 qytetarë (13.12%).

“Gjithë vendvotimet në komunën e Shtipit dhe Pllasnicës janë hapur në kohë, votimi realizohet pa ndonjë problem. Votimi ka filluar në ora 07:00 dhe do të zgjasë deri në ora 19:00”, njoftojnë sot nga Komisioni.

KSHZ-ja sqaroi se deri në ora 09:00 në Shtip kanë dalur të votojnë 1227 votues (2.94%), ndërsa në Pllasnicë 365 votues (7.37%).

“Dita e zgjedhjeve në komunën e Shtipit dhe Pllasnicës filloi qetë dhe në kohë. Vëzhguesit e CIVIL njoftuan se ka pasur disa raste ku janë vërejtur mosrespektim të protokolleve shëndetësore”, njoftuan nga Civil, duke theksuar edhe raste kur janë larguar grafite nga vendvotimet dhe mosrespektim të heshtjes zgjedhorë në mbrëmje.

Mandati i këtyre kryetarëve pritet të jetë deri në zgjedhjet e rregullta lokale që planifikohen të mbahen në muajin tetor të vitit 2021. KSHZ-ja ka raportuar se në Shtip të drejtë vote kanë 41 177 votues, derisa në Pllasnicë 4 954 votues.

Në Shtip janë paraqitur pesë kandidatë për kryetar, ku asnjëri prej tyre nuk është nga VMRO-DPMNE-ja, e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak situatës epidemiologjike.

Të drejtën për për votuar në këto dy komuna dje e kanë shfrytëzuar personat që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm.

Përndryshe, mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të komunave Shtip dhe Pllasnicë është si rezultat i zgjedhjes së kryetarit të deritanishëm të Shtipit, Bllagov Boçvarski për ministër të Transportit dhe Lidhjeve në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, derisa Ismail Jahoski vendosi që ta lëshojë funksionin e kryetarit të komunës pasi që u zgjodh deputet nga radhët e BDI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në vendin e tyre, në komunat Shtip dhe Pllasnicë, janë vendosur kryetar të rinj si ushtrues të detyrës, të cilët do ta mbajnë këtë pozitë deri në zgjedhje. Në Shtip, për u.d. kryetar u vendos Jane Millanov, derisa në Pllasnicë këtë funksion e kryen Elsan Nurçeski. Në pajtueshmëri me zgjidhjen aktuale ligjore, një komunë mund të ketë u.d. kryetar më së shumti gjashtë muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button