fbpx

Vetura, mbeturina dhe gropa në vend të trotuareve, rruga e nxënësve të Tetovës për në shkollat fillore, tejet e rrezikshme (VIDEO)

Nga tetori i vitit 2020, gazetari i Portalb.mk ka vizituar të gjitha shkollat fillore në Komunën e Tetovës për të hulumtuar se sa e sigurt është infrastruktura përreth këtyre shkollave, për jetët e nxënësve. Nga gjithsej tetë shkolla fillore, vetëm në dy prej tyre ishte e mundshme që nxënësit të ecin në trotuare, në shkollat tjera, përderisa nxënësit ecnin në rrugë, trotuaret ishin shndërruar në parkingje për vetura të shoferëve të pandërgjegjshëm, shkruan Portalb.mk.

Edukimi është e drejta themelore për të gjithë njerëzit në shekullin 21, kjo është paraparë si e tillë nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në vitin 1948, e nënshkruar edhe nga RMV-ja. Kjo e drejtë, në mes të tjerash, garanton infrastrukturë të sigurt dhe humane për të gjithë nxënësit në botë.

Megjithatë, nga 8 shkolla të cilat i vizitoi gazetari i Portalb.mk, rezultoi që vetëm dy prej tyre kishin infrastrukturë të sigurt për nxënësit. Edhe atë SHF “Liria” dhe SHF “Migjeni 2”.

19.10.2020 – Tetovë, trotuaret e shkollës fillore “Naim Frashëri” parking për vetura, nxënësit të detyruar të ecin në rrugë

Përderisa në trotuaret e shkollës fillore “Naim Frashëri” ka vetura, dru që shfrytëzohen për nxehje, biçikleta, nxënësit detyrohen të ecin në rrugë dhe kjo përbën rrezik për sigurinë e tyre. Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan se ky problem do të zgjidhet brenda 1 jave ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, informojnë se për katër vite gjithsej 308 këmbësorë janë lënduar nga veturat.

Kështu duket trotuari ngjitur me shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë:

Trotuaret në shkollën fillore “Naim Frashëri”, Tetovë, foto: 03,11,2020.
Trotuaret në shkollën fillore “Naim Frashëri”, Tetovë, foto: 03,11,2020.

22.10.2020 – Tetovë, edhe nxënësit e shkollës “Istikball” çdo ditë detyrohen të ecin në rrugë për të shkuar atje

Njëra nga rrugët kryesore në të cilën çdo ditë kalojnë nxënësit e shkollës fillore “Istikball” në Tetovë, është shndërruar në parking. Si pasojë, për të shkuar në shkollë, nxënësit rrezikohen duke ecur në rrugë. Autoritetet komunale premtuan se ky problem do të zgjidhet.

Kështu duket trotuari i shkollës fillore “Istikball” në Tetovë.

Hyrja e dytë e shkollës fillore "Istikball" në Tetovë.
Hyrja e dytë e shkollës fillore “Istikball” në Tetovë.

25.10.2020 – Tetovë, nxënësit e shkollës “Kirili dhe Metodi” duhet të ecin në rrugë me gropa e papastërti të arrijnë te objekti

Edhe pse Komuna e Tetovës ka vendosur bllokada në trotuarin rreth shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, ato nuk përfshijnë gjithë rrugët. Për të mbërritur në këtë shkollë, nxënësit sërish duhet të ecin në rrugë.

Kjo është lagjja ku nxënësit e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” kalojnë çdo ditë për të arritur në institucionin arsimor.

Trotuaret rreth shkollës fillore "Kirili dhe Metodi".
Trotuaret rreth shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”.

11.11.2020 – Për nxënësit e SHF “Migjeni” në Tetovë as trotuar nuk ka, ecin në rrugë për në shkollë

Nuk ka trotuare të cilat do të mundësonin nxënësve të shkojnë të sigurt në shkollë në shkollën fillore “Migjeni” në Tetovë. Në të gjitha anët ku domosdo kalojnë çdo ditë nxënësit e kësaj shkolle, kishte vetura dhe rrugë por jo edhe vende për këmbësorë.

Komuna e Tetovës ka dështuar të sigurojë për nxënësit rrugëtim të sigurt dhe pa rrezik për në shkollë, pjesa më e madhe e trotuareve përreth shkollave fillore janë shndërruar në parking për vetura, madje disa shkolla nuk kanë fare trotuare.

Kështu duket rruga që kalojnë çdo ditë nxënësit e shkollës fillore “Migjeni”:

Lagja përreth shkollës fillore "Migjeni", Tetovë.
Lagja përreth shkollës fillore “Migjeni”, Tetovë.

2.12.2020 – Tetovë, nxënësit e SHF “Goce Delçev” ecin në rrugë për në shkollë, trotuaret “e rezervuara” për vetura

Edhe nxënësit e shkollës fillore “Goce Delçev” në Tetovë çdo ditë shkojnë në shkollë duke rrezikuar jetën e tyre, për shkak se të njëjtit detyrohen të ecin në rrugë sepse në trotuaret përreth shkollës, ka vetura të parkuara nga persona të pandërgjegjshëm. Për këtë dhe shkollat tjera, autoritet komunale njëherë premtuan se do të vendosen bllokada në ditët e para të vitit 2021.

Theksojmë faktin se kjo shkollë është vetëm disa metra larg Byrosë për Zhvillim të Arsimit, edhe pse përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës çdo ditë dëshmojnë se si nxënësit ecin në rrugë për të arritur në shkollë, deri tani, nuk ka pasur asnjë reagim nga ata.

Kështu dukej  trotuari përreth shkollës fillore “Goce Delçev”:

Trotuaret rreth shkollës fillore "Goce Delçev", Tetovë.
Trotuaret rreth shkollës fillore “Goce Delçev”, Tetovë.

7.12.2020 – Tetovë, trotuaret në shkollën e muzikës me vetura dhe kosha për mbeturina, nxënësit në rrugë!

Të stërmbushura me vetura të parkuara dhe kosha për mbeturina ishin trotuaret rreth shkollës së muzikës “Todor Skallovski” në Tetovë. Nga mungesa e infrastrukturës së sigurt, nxënësit e kësaj shkolle rrezikojnë jetët e tyre për të arritur deri te objekti.

Në shkollën e muzikës “Todor Skallovski” në Tetovë përveç nxënësve të shkollave të mesme, ka edhe filloristë të cilët janë të regjistruar dhe ndjekin çdo ditë orët e tyre. Bëhet fjalë për fëmijë të moshën nën 14 vjeç që çdo ditë detyrohen të ecin në rrugë, për shkak se trotuaret i kanë të mbushura me vetura.

Kështu duket trotuari i kësaj shkolle:

Trotuaret rreth shkollës së muzikës "Todor Skallovski", Tetovë.
Trotuaret rreth shkollës së muzikës “Todor Skallovski”, Tetovë.

12.12.2020 – Tetovë, vetëm 2 shkolla fillore me infrastrukturë të sigurt, përreth SHF “Qiqish” plot mbeturina, gropa dhe vetura

Për vizitë ishim në SH.F. “Andreja Saveski Qiqish”, përveç mungesës së trotuareve të sigurta, përreth kësaj shkolle kishte grumbuj mbeturinash që rrezikojnë shëndetin e nxënësve, rrugë të shkatërruara dhe vetura të parkuara kudo,

Kështu dukej infrastruktura përreth SH.F. “Andreja Saveski Qiqish”:

Infrastruktura përreth SHF "Andreja Saveski Qiqish", Tetovë.
Infrastruktura përreth SHF “Andreja Saveski Qiqish”, Tetovë.

Çfarë thonë kompetentët?

Për të gjitha shkollat fillore për të cilat hulumtimi i Portalb.mk vërtetoi se nuk kanë infrastrukturë të sigurt përreth tyre, për jetët e nxënësve, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan se në ditët e para të vitit 2021, ky problem do të zgjiedhet, gjegjësisht do të vendosen bllokada të cilat paranadalojnë parkimin e veturave.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Aktualisht na kanë mbaruar sasitë e materialeve që i vendosim për të bllokuar veturat nga parkimi në trotuaret përreth shkollave fillore, e kemi në plan ti vendosim edhe te disa shkolla tjera mirëpo ngelet për vitin e ardhshëm, apo në një afat prej 1 muaji, ditët e para të vitit të ardhshëm” thanë nga Komuna e Tetovës me datë 9 tetor, 2020.

Ndërsa nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) na informuan se tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.

  • 2017 –dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2018 –një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2019 –dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2020 – 38 këmbësorë me lëndime të lehta dhe të rlnda trupore.

Ndërkaq, në një prononcim, drejtori i Shkollës Fillore “Naim Frashëri”, Xhelal Alili potencoi se disa here ka kërkuar që përreth shkollave të ketë sa më shumë polic të cilët do mbrojnë nxënësit nga dukuritë negative, ai tha se kjo gjë, thuajse është e pamundur dhe se kërkesat e tij gjithmonë kanë hasur në vesh të shurdhër.

Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore "Naim Frashëri", Tetovë.
Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri”, Tetovë.

“Nga viti i kaluar kam qenë anëtar i një komisioni për komunikacionin në Tetovë, dhashë dorëheqje pa marrë pjesë në mbledhje fare për shkak se e pashë të pamundur që unë si qytetar i thjeshtë mund të ndikoj në përmirësimin e situatës me komunikacionin në Tetovë. Për këtë arsye edhe i pyeta të Sektorit për Punë të Brendshme për atë se çfarë bëjnë ata? Ata mund të bëjnë shumë, por si duket o nuk kanë mjete të duhura o nuk duan.  Çdo fillim të vitit shkollor unë dërgoj kërkesë në organet kompetentë për këtë që të kemi policë në shkollë, kam kërkuar të vendoset sinjalizimi duhur, sinjalizimi u vendos mirëpo polic nuk shoh. Ne kemi nevojë për policë lokal që ti njohim dhe ti njohim kush janë” tha Xhelal Alili, drejtor i “Naim Frashëri”.

Ndryshe, situata me kryerjen e veprave penale, gjegjësisht të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në dhe përreth shkollave vit pas viti vjen duke u përmirësuar, kështu flasin të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme. Gjatë vitit 2013 në dhe përreth shkollave gjithsej ishin regjistruar 40 vepra të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në vitin 2018-2019 gjithsej 6 prishje të rendit dhe qetësisë publike ndërkaq në vitin 2020 asnjë rast i tillë nuk është regjistruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button