Shkup, projekti për modernizimin e tregut të gjelbër “Bit Pazar” assesi të përfundojë

I premtuar prej shumë vitesh, projekti për modernizimin e tregut të gjelbër “Bit Pazar” assesi të përfundojë, ndërtimet po zvarriten me vite dhe janë shkelur afatet e parashikuara, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Çairit që e ka premtuar këtë projekt, ka hequr përgjegjësinë nga vetja, me arsyetimin se përgjegjës për realizimin e projektit është SHA “Skopski Pazar”, shoqatë që brenda viteve ka ndryshuar pronarët.

Edhe pse ndërtimet filluan para më shumë se dy viteve, kjo kohë nuk u ka mjaftuar që të përfundojnë projektin që premtohet për rreth10 vite. Pjesa e tregut të grave që është në kuadër të këtij tregu, vazhdon të jetë e parregulluar dhe kaotike.

Të pyetur nga Portalb.mk, prej shoqatës Skopski Pazar thanë se së shpejti pritet të filloj edhe ndërtimi i fazës së fundit të Bit Pazarit, por nuk kanë shpalosur shumë detaje rreth kostos së projektit.

“Ndërtimet pritet të fillojnë tani në fillim të janarit dhe do të zgjasin deri në muajin prill. Gjatë kësaj periudhe nuk do të punoj tregu. Kështu që pritet që në maj të jetë e përfunduar dhe të filloj me punë.Nuk mund ta them tani se sa do të kushtoj kjo fazë, nuk mundem ta them në mënyrë precize. Ajo që është punuar deri më tani ka kushtuar rreth 5 milionë euro”, thanë nga Skopski Pazar.

Ndërkohë, Ekrem Dolek nga Oda e Tregtarëve deklaroi për Portalb.mk se afatet për këtë projekt janë shkelur pasi është ndërruar pronësia e SHA “Skopski Pazar”. Ai tha se pritet që deri në muajin mars të përfundojë pjesa e fundit sa i përket tregut të gjelbër dhe më pas, të ndërtohet edhe parkingu që është paraparë të jetë mbi tregun.

“Është vonuar, janë shkelur afatet e parapara, sepse në ndërkohë një tjetër kompani ka marrë pronësinë e “Skopski Pazarit” si kompani dhe gati një vit ka shkuar ashtu. Po këto pronarët e ri po punojnë më mirë pak. Tash aksionet i ka blerë tjetër kush, pasi pronari paraprak, ka humbur 50% e aksioneve dhe tash ka pronar të ri të cilët e menaxhojnë Skopski Pazarin si firmë. Ndërtimi ka vazhduar, nuk ka pas ndonjë problem. Por, është edhe pak ndërtim specifik sepse, duhet të merren tezgat të largohen nga një vend në vend tjetër, të rregullohen këtë pjesë, është problematike. Është faza e katërt, faza e fundit dhe më pas duhet të rregullohet parkingu i paraparë mbi tregun. Deri në mars duhet të përfundojë kjo pjesë, sepse nuk ka shumë punë tani është edhe një pjesë te tregu i grave që duhet të shtohet”, tha Dolek.

Modernizimi i tregut të Bit Pazarit është premtuar për rreth 10 vite. Në vitin 2013, kryetari i atëhershëm i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, prezantoi projektin për ndryshimin e pamjes së Bit Pazarit në Shkup, duke thënë se projekti duhet të fillojë të realizohet pas tre muajve, ai do të kushtojë 10 milionë euro para të siguruara nga Skopski Pazar.

Por ky projekt filloi të realizohet 5 vite më vonë,  në vitin 2018 dhe  u promovua pothuajse në çdo fushatë parazgjedhore nga kandidatët e partisë se BDI-së të cilët garuan për të parin e kësaj komunë.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button