Posti i presidentit dhe kriza politike në Kosovë

Krizat politike në Kosovë gjatë këtyre viteve të fundit kanë ndodhur për shkak të egos së tepruar të disa politikanëve të cilët interesat e tyre personale i kanë vendosur para atyre shtetërore. Aktualisht, Kosova është në krizë politike për shkak të postit të presidentit të shtetit, kjo për arsye se Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani është ajo që duhet ta ushtrojë rolin e presidentes së shtetit deri në zgjedhjen e një presidenti të ri. Partitë politike tanimë kanë filluar të publikojnë emrat e kandidatëve të tyre për  postin e kreut të shtetit dhe  përplasjet e tyre për këtë post janë duke u rritur deri në atë nivel saqë koalicioni qeverisës po rrezikon të prishet. E keqja e kësaj është se qytetarët janë ata të cilët po dëmtohen më së shumti, sepse vendi po përballet me shumë procese të rëndësishme dhe mos-koordinimi i partive politike po i vështirëson edhe më shumë gjërat.

Çështja e zgjedhjes së presidentit po bëhet temë në një kohë kur Kosova po përballet me vështirësi në menaxhmin e pandemisë e cila ka shkaktuar dëme të mëdha në shëndetin e njerëzve dhe në ekonominë e përgjithshme. Spitalet janë të stërngarkuara me pacientë dhe gjendja e tyre është e mjerueshme, e në anën tjeter shumë biznese kanë falimentuar për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre muajve për të ndalur numrin e infektimeve me covid 19. Tani kësaj situate të jashtëzakonshme po i bashkangjitet edhe tema për postin e presidentit e cila ka filluar të përplasë partnerët e koalicionit qeverisës. Kjo po ndodhë për shkak të sistemit aktual i cili e përcakton zgjedhjen e presidentit përmes Kuvendit të Kosovës e ky proces i zgjedhjes së presidentit zhvillohet deri në tri raunde votimi. Në dy raundet e para kërkohet  2/3 e votave të deputetëve, e në rast dështimi në të dy raundet. Atëherë në raundin e tretë, kërkohet vetëm shumica absolute e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe pikërisht për shkak të këtij modeli po ndodhin përçarjet mes partive politike, kjo sepse secila prej tyre po e pretendon këtë post dhe po propozojnë kandidatë të cilët nuk janë adekuat për postin e kreut të shtetit dhe në këtë mënyrë përplasjet e tyre vetëm po rriten.

Presidenti i Kosovës duhet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit dhe person apartiak, por kjo nuk po i bon përshtypje partive politike të cilat po insistojnë për postin e presidentit. Kjo qasje e tyre po krijon kriza politike të cilat po rrezikojnë që ta dërgojnë vendin edhe në zgjedhje të parakohëshme, prandaj për të evituar kriza të tilla duhet që në të ardhmen të ketë konsensus të plotë nga elita politike që të ketë ndryshime kushtetuese tek çështja e postit të presidentit dhe që kreu i shtetit në të ardhmen të zgjedhet direkt nga populli. Modelin e zgjedhjes se presidentit direkt nga populli e praktikon shteti fqinj, Maqedonia e Veriut, e cila është republikë parlamentare, por  në Kushtetutën e saj, postin i presidentit e ka të përcaktuar të vendoset nga vota popullore me sistem dy raundesh. Sistemi dy raundesh është sistem mazhoritar në të cilin në fillim mbahet raundi i parë i zgjedhjeve dhe nëse në raundin e parë të zgjedhjeve asnjë kandidatë nuk arrin të fitoj shumicën absolute të votave mbi 50%. Atëherë në raundin e dytë të zgjedhjeve zhvillohet gara vetëm në mes të dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë. Dhe në raundin e dytë kandidati i cili fiton më së shumti vota shpallet president i vendit. Aplikimi i këtij modeli edhe në Kosovë do të prodhonte një president me legjitimitet të plotë sepse do të vinte nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e popullit, e jo nga marrëveshjet politike parlamentare. Në këtë mënyrë ky ndryshim do të ndikojë në shmangien e krizave politike dhe sigurimin e stabilitetit politik të vendit.

Gentrit Misini

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button