KH: Ende numër i lartë i denoncimeve për gjuhë të urrejtjes, bazuar në përkatësinë etnike

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në muajin nëntor 2020, ngjashëm si në periudhat e mëparshme, vazhdoi të regjistrojë një numër të madh rastesh të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale veçanërisht e theksojnë se gjuha e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike është në rritje të vazhdueshme dhe regjistron një numër rekord të denoncimeve, në fakt 57% e të gjitha rasteve të regjistruara janë mbi këtë bazë, njofton Portalb.mk.

“Fatkeqësisht, në këtë periudhë jemi dëshmitarë të rritjes së nacionalizmit ekstrem dhe diskriminimit për arsye të ndryshme që vazhdojnë pavarësisht nga vetëdija për dëmet dhe pengesat që ato shkaktojnë. Gjithashtu, bazuar në analizën tonë, ne ritheksojmë se popullata më e re (18-26 vjeç) është më e ekspozuar ndaj manipulimit dhe keqinformimit dhe shpesh është kategoria më aktive që përdor gjuhë urrejtjeje në mediat sociale”, informon KH, në raportin mujor.

Në muajin nëntor 2020 Komiteti i Helsinkit ka verifikuar gjithsej 112 denoncime, që paraqet një rritje prej 10% krahasuar me muajin e kaluar. Retorika negative për këtë muaj ishte përshkallëzuar në mediat sociale, që kontribuoi në numrin e madh të rasteve të denoncuara të gjuhës së urrejtjes.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që urgjentisht të marrin masa brenda kompetencës së tyre për të sanksionuar këtë fenomen – respektivisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe një fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

“Sa i përket ndryshimeve të thella që janë të domosdoshme për të parandaluar tendencat negative të urrejtjes dhe krimeve në vend, ne e përsërisim angazhimin tonë për reforma themelore në procesin arsimor, kulturën dhe komunikimin publik, dhe mbi të gjitha në mënyrën se si institucionet kompetente e trajtojnë gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj”, shtojnë nga KH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button