Komuna e Tetovës sërish e shkel ligjin, këtë herë nuk jep informata për parkingjet dhe bulevardin “Iliria”

Redaksia e Portalb.mk ka dorëzuar ankesë deri tek Agjencia për Qasje të Lirë të Informacioneve me Karakter Publik kundër Komunës së Tetovës, për shkak se kjo e fundit ka shkelur ligjin duke mos na dhënë informacione të cilat i kërkuam përmes Ligjit për qasje të lirë në Informacione të karakterit publik. Rikujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Komuna e Tetovës e shkelën këtë ligj, duke treguar papërgjegjësi dhe jotransparencë kundrejt taksapaguesve tetovar, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vazhdimisht ka premtuar transparencë dhe llogaridhënie. Megjithatë, në praktikë, kjo nuk ndodhë pasi që pyetjet e Portalb.mk të cilat janë shumë legjitime, ngelën pa përgjigje.

Cilat informacione refuzon ti japë Komuna e Tetovës?

Redaksia e Portalb.mk deri te Komuna e Tetovës ka kërkuar informacione më të detajuara në lidhje me Ndërmarrjen Publike “Parkingjet e Qytetit”, kjo pasi pasi publikuam raportin financiar të kësaj ndërmarrje ku rezultoi që harxhonte 25 mijë euro në muaj vetëm për punëtorë ndërsa edhe pse në borxhe dhe krizë, kjo ndërmarrje ende kërkon punëtorë të ri.

Ne nga Komuna e Tetovës dhe NP “Parkingjet e Qytetit” kërkojmë:

  • Emër, mbiemër, shkollimin e mbaruar dhe datën kur janë punësuar të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit”.
  • Numrin e përgjithshëm të të punësuarve (listën).
  • Pagat dhe pozicionet e të punësuarve te NP “Parkingjet e Qytetit”

Kërkesa e dytë

Redaksia e Portalb.mk gjithashtu ka kërkuar nga Komuna e Tetovës informacione më të zgjeruara në lidhje me procedurën e rikonstruimit të bulevardit “Iliria” në Tetovë, kjo për shkak se punët për këtë bulevard disa herë janë ndërprerë ndërkaq ekziston edhe proces gjyqësor mes kompanisë që fitoi tenderin dhe Komunës së Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës kërkojmë këto informacione:

  • Informacione në lidhje me rikonstruimin e bulevardit “Iliria”, kur duhet të përfundoje?
  • Informacione në lidhje me procesin gjyqësor të Komunës së Tetovës me kompaninë “IR GRUP” për punët për rikonstruimin e bulevardit “Iliria”, a ka epilog gjyqësor?
  • Sa para (gjithsej) ka harxhuar Komuna e Tetovës deri tani për rikonstruimin e bulevardit “Iliria”?
  • Cila kompani ka fituar tenderin për vazhdimin e punëve për bulevardin “Iliria”?
  • Sa para (gjithsej) do të kushtoje rikonstruimi i bulevardit “Iliria” përfshirë këtu edhe borxhet që Komuna e Tetovës i ka kompanisë “IR GRUP”?

Informojmë lexuesit se gjithkush që paguhet me taksat e qytetarëve si në rastin e lartpërmendur, bën pjesë te interesi publik dhe kësisoj, çdokush ka të drejtë të kërkoje informacione në lidhje me atë, kjo sipas Ligjit për qasje të lirë në informacione të karakterit publik.

Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Tetovës thyen këtë ligj duke treguar jotransparencë

Në dhjetor të vitit 2018 Portalb.mk u ankua deri te Agjencia për Qasje të Lirë deri te Informacionet me Karakter Publik për shkak se Komuna e Tetovës i mbante të fshehur në mënyrë të paligjshme informacionet për inspektoratin komunal.

Rikujtojmë se beteja e Portalb.mk atë kohë me Komunën e Tetovës u fitua, nga ku kjo e fundit u detyrua të dërgoje në mënyrë të detajuar të gjitha përgjigjet në pyetjet e kërkuara nga redaksia jonë.

Redaksia jonë, në asnjë mënyrë nuk do të ndalet së kërkuari përgjigje dhe transparencë nga Komuna e Tetovës për qytetarët tonë, ne do ta bëjmë punën tonë.

Rikujtojmë se në intervistën e Portalb.mk dhe Vertetmates.mk, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button