“Liria e shprehjes në internet”, Zylbeari: Të rinjtë ta shfrytëzojnë të drejtën e fjalës, në të kundërtën rrezikohet ardhmëria

“Liria e shprehjes në internet” u diskutua sot nga disa ekspertë të kësaj fushe në organizimin e Institutit për Politikë Evropiane. Elida Zylbeari nga Fondacioni Metamorfozis apeloi deri te të rinjtë të shfrytëzojnë të drejtën e fjalës sa më shumë, sepse në të kundërtën, “shtetit i rrezikohet ardhmëria dhe demokracia e mirëfilltë”. Folës ishin edhe Aleksandar Melamed, Mladen Çadikovski, Meelika Hirmo, Jehona Palloshi dhe Darko Berovski, shkruan Portalb.mk.

Mediat sociale kanë mundësuar lehtësimin e komunikimit në nivel lokal dhe global. Ata lidhën përdoruesit dhe u mundësuan atyre që t’i promovojnë dhe realizojnë qëllimet e përbashkëta. Nga ana tjetër, mediat sociale kanë lënë hapësirë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit.

Për këtë, të rinjtë Jehona Palloshi dhe Darko Berovski kanë hulumtuar në lidhje me këtë, këto sipas tyre janë anët negative dhe ato pozitive të internetit.

Anët pozitive të internetit

  • Ndihmon në kërkimet tona, secili që ka qasje në internet mund të gjeje informata të cilat më parë nuk i ka ditur ndërkaq i kanë interesuar, ka tema që nuk i ndjen të përshtatshme ti diskutoje me dikë ndërsa në internet mund të gjeje informacione për ato.
  • Sipas disa gjetjeve, rezulton që studentët të cilët shfrytëzojnë internetin si mjet për të mësuar, janë për 8% më të suksesshëm
  • Interneti shërben edhe për komunikim më të lehtë me njerëzit tjerë, edhe atë përmes videos me njerëzit nga e gjithë bota, gjë që do të ishte e pamundur po mos të ekzistonte interneti
  • Në internet mund të mësohen edhe fjalë të reja
  • Mënyrë e mirë për bizneset e vogla që të bëjnë marketing biznesit të tyre sepse lehtësisht mund të prekin një masë më të gjerë të njerëzve
  • Në internet mund të gjenden lehtësisht informacione për ngjarje të rëndësishme

Anët negative të internetit

  • Varësia nga interneti, që ndikon negativisht mbi shëndetin mendor dhe perceptimit
  • Mediat sociale i bëjnë njerëzit të bëhen më të ndruajtur për pamjen e tyre, vazhdimisht e krahasojnë veten me të tjerët në rrjetet sociale
  • Siguria në mediat sociale, të dhënat personale mund të vidhen nga persona të caktuar dhe më pas të keqpërdoren në forma të ndryshme
  • Përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës virtuale, liria e shprehjes mund të keqpërdoret në mënyra të ndryshme në rrjetet sociale
  • Interneti lehtëson propagandën, duke përfshirë atë politike
  • Edhe pse mediat sociale mundohet të lehtësojnë jetën e njerëzve, përsëri ekziston një restrikcion i zvogëluar i përmbajtjeve që postohen

A rregullohet me ligj liria e shprehjes në internet?

Sipas Mladen Çadikovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), edhe pse nuk ka kornizë ligjore fikse për punën e mediave online, keqpërdorimet apo shpërndarja e informacioneve të dëmshme mund të dënohet përmes ligjeve tjera pozitive në vend, duke shtuar se nuk duhet të lejojmë që shteti të sjelle kornizë ligjore për mediat online, duke qenë se vetëregullimi sipas tij është mënyra e duhur.

“Ne në punën tonë shumë shpesh i përmbahemi parimit që vetëregullimi duhet të jetë kryesor në rregullimin e internetit, ekzistojnë shumë arsye se pse kjo duhet të jetë kështu, përveç parimeve të BE-së që nuk kanë kornizë ligjore që do ta rregullonte këtë, duhet ta theksojmë se duhet punuar sa më shumë në aspektin e vetëregullimit që të mund të ngrisim edhe kualitetin e gazetarisë dhe në një mënyrë të kontrollojmë edhe lajmet e rreme që janë në internet. E përsëris edhe një herë, te ne mediat online nuk janë të rregulluara përmes ligjit, megjithatë, e gjithë puna e tyre është e rregulluar me ligje të tjera, për shembull ligji për të drejtën autoriale, me ligjet që rregullojnë gjuhën e urrejtjes, pra ekzistojnë disa ligje që në qoftë se në praktikë funksionojnë, nuk do të kishim asnjë problem të funksionim kështu, përmes vetëregullimit që ne e promovojmë vazhdimisht” tha në mes të tjerash Mladen Çadikovski.

Ndërkaq Elida Zylbeari nga Fondacioni Metamorfozis përmendi disa nga projektet që kjo organizatë ka realizuar në drejtimin e reduktimit të lajmeve të rreme dhe edukimit mediatik dhe të menduarit kritik të qytetarëve të RMV-së, ajo theksoi se kjo “luftë” vazhdon sot e kësaj dite sepse sipas saj, lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes janë kërcënim për të drejtat e njeriut.

Elida Zylbeari, Fondacioni Metamorfozis.
Elida Zylbeari, Fondacioni Metamorfozis.

“Fondacioni Metamorfozis dhjetë vite më herët e pa kërcënimin i cili vinte drejtpërdrejtë nga shpërndarja e informacioneve të pasakta dhe dezinformatave me tendencë. Filluam që atëherë me projektin “Vërtetmatës” i cili vazhdon të funksionoje, fillimisht u morëm me politikanët duke e ditur se ata shpesh herë janë burim i dezinformatave, sepse japin premtime të rreme dhe pastaj e mohojnë atë, ishte e nevojshme për një platformë që do t’i demantonte ata me fakte. Më pas, duke parë se nga goja e politikanëve vazhdonte të përcillet dezinformata nga kanale të ndryshme, vendosëm që të zgjerojmë projektin me verifikimin e fakteve përmes Shërbimin për Verifikimin e Fakteve. Me metodologji të caktuar i zbardhnim dezinformatat të cilat përcilleshin në mediat tona dhe që të njëjtat shpërndaheshin në rrjetet sociale. Ndërkaq, lufta jonë kundër dezinformatave vazhdoi edhe në vitin 2018, ku me mbështetje të BE-së, filluam projektin e ri i cili ka të bëje me ngritjen e vetëdijes për mendim kritik. Theksoj, kemi një prodhim të zgjeruar të recensioneve gjatë krizës së koronës e cila vazhdon, sepse ka shumë dezinformata duke nisur nga mënyra si të shërojmë koronën, 5G-ja, informata nga burime të pa verifikuara, dëmet e kësaj natyre mund të kushtojnë jetë”, shtoi Elida Zylbeari.

Pse janë të rëndësishme të drejtat e njeriut dhe posaçërisht liria e të shprehurit?

Aleksandar Melamed, delegacioni i Bashkimit Evropian në RMV theks të veçantë i vendosi mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sidomos asaj të lirisë së shprehjes, ai theksoi se në shtetet e BE-së kjo e drejtë është e çmuar dhe si e tillë mbrohet.

Aleksandar Meramed, delegacioni i BE-së në Shkup.
Aleksandar Meramed, delegacioni i BE-së në Shkup.

“Unë mendoj që sidomos këto ditë duhet ta kujtojmë se liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë diçka shumë të rëndësishme, dhe ne duhet që gjithmonë të jemi vigjilent, normalisht që të drejtat e njeriut janë diçka që çdo person i meriton dhe duhet të mbrohen. Sidomos kur flasim tani për të drejtën e të shprehurit, që ne si BE a mbrojmë jashtëzakonisht shumë. Andaj marrë parasysh të gjitha zhvillimet e fundit teknologjie e kështu me radhë, mendoj se rregullimi i mediave përmes ligjit duhet të jetë opsioni i fundit, ne rregullojmë gjërat esenciale si për shembull mbrojtja e të dhënave personale sepse mund të bëje dëm njerëzve, mirëpo kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, në mënyrë që ta mbrojmë dhe gëzojmë nga të gjitha kërcënimet mendoj se na duhet një qasje gjithëpërfshirëse, duhet që të gjithë ne si shoqëri civile, autoritetet publike, bizneset dhe të tjerët të bëjmë gjithçka për të mbrojtur këtë dhe të drejtat e njeriut sepse bëhet fjalë për diçka universale”, tha Aleksandar Melamed.

Elida Zylbeari apeloi deri te të rinjtë që sa më shumë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të të shprehurit, duke shtuar faktin që në qoftë se rinia sot nuk e shfrytëzon këtë të drejtë për të nxjerrë në pah problemet e tyre, shtetit i rrezikohet ardhmëria dhe demokracia e mirëfilltë.

“Duhet nga njëra anë ta mbrojmë lirinë e shprehjes duke mos e keqpërdorur atë, për ne si gazetarë është e patjetërsueshme liria, si edhe për çdo individ që të funksionojë në një demokraci. Apeloj deri të rinjtë që sa më shumë të shprehin nevojat e tyre, atë që ata mendojnë se duhet të përmirësohet dhe të mos lejojnë që dikush tjetër të ua merr fjalën, normal duke pasur parasysh që ajo të mos kaloje në gjuhë të urrejtjes dhe të mos jetë nxitës me fjalor fyes. Rinia është ardhmëria jonë dhe nëse ata nuk janë të zëshëm, nuk reagojnë dhe nuk bëjnë diçka për ta mbrojtur lirinë e shprehjes atëherë rrezikohet ardhmëria jonë dhe e gjithë demokracia e një vendi si dhe kualiteti i jetës së tyre”, tha Elida Zylbeari.

Ndryshe, kjo ngjarje u organizua sot nga Instituti për Politika Evropiane me mbështetje të Bashkimit Evropian, i gjithë aktiviteti u realizuar përmes internetit, respektivisht përmes platformës “Zoom” dhe zgjati rreth dy orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button