Mariçiq: Pres që metodologjia për pastrimin e gjyqësorit të miratohet më 28 dhjetor

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, në fjalimin e tij online në konferencën “Stacioni i radhës: Evropa” njoftoi se pret që më 28 dhjetor Këshilli për Reforma në Gjyqësor ta miratojë metodologjinë sipas të cilës vitin e ardhshëm do të kryhet filtrimi në gjyqësor dhe prokurori, njofton Portalb.mk.

“Përsëritjet nga e kaluara, penguesit e drejtësisë nuk munden të jenë pjesë e sistemit gjyqësor dhe të miratojnë aktgjykime në emër të qytetarëve dhe nuk munden t’i mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e tyre. Është e nevojshme kornizë kohore, gjegjësisht afate në të cilat do të kryhet ky pastrim dhe do të ndahet prokurorët dhe gjykatësit e ndershëm prej të pandershmëve. Pres që më 28 dhjetor, Këshilli për Reforma në Gjyqësor ta miratojë metodologjinë sipas të cilës do të kryhet filtrim i gjyqësorit dhe prokurorisë”, theksoi Mariçiq.

Ministri tha se shumë raporte ndërkombëtare kanë theksuar konkretisht në disa situata të caktuara në gjyqësor, për të cilat është e nevojshme që të shihet nëse ka fshehje të qëllimshme të lëndëve, vjetërsim të qëllimshëm të lëndëve, nëse është vepruar në mënyrë të padrejtë dhe nëse dikush është mbrojtur.

Ministri në konferencë informoi se në këtë vit dhe të kaluarin janë shkarkuar 8 gjykatës, ndërkaq është ngritur procedurë kundër gjithsej 83 gjykatësve.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button