Çdo i treti fëmijë në Maqedoninë e Veriut jeton në varfëri

Çdo i treti fëmijë në Maqedoninë e Veriut jeton në varfëri, kurse vlerësohet se edhe 16,000 fëmijë të tjerë do të bien nën pragun e varfërisë për shkak të krizës nga pandemia e Kovid-19. Vlera monetare e përfitimeve sociale është shumë e ulët, ndërsa kujdesi dhe mbështetja sociale janë të pazhvilluara dhe nuk ofrojnë një standard të duhur jetese për fëmijët. Përveç presionit të varfërisë, fëmijët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj shuplakave nga bashkëmoshatarët dhe të rriturit. Deri në dhjetë përqind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës, ndërsa më shumë se 20% njohin një bashkëmoshatar i cili ka qenë viktimë e dhunës, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Fëmijët shpesh përmendin shembuj të moshatarëve të tyre në shkolla. Në këto konkluzione kanë dalë organizatat joqeveritare në hulumtimin i cili është përmbledhur në Raportin Alternativ mbi Situatën e të Drejtave të Fëmijëve në Maqedoni, i cili u botua dje, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – 10 Dhjetor.

Në vend të kujdesit institucional – aksione humanitare

Raporti i paraqitur nga Ambasada e parë e fëmijëve në botë Megjashi, tregon se shumë nga familjet më të varfra me fëmijë janë të përjashtuara nga sistemi i ndihmës sociale. Më të goditur janë fëmijët më të varfër për shkak të efekteve të kombinuara të më shumë rreziqeve dhe disavantazheve, të tilla si qasja e pamjaftueshme në internet dhe kushtet e këqija të strehimit, të cilat ndikojnë në përparimin e tyre në mësim. Fëmijët nga familjet me një prind dhe ata që marrin ndihmë të garantuar minimale përballen me një rrezik në rritje të varfërisë për shkak të mungesës së ushqimit në kushtet e ndërprerjes së vakteve falas për shkak të mbylljes së institucioneve parashkollore dhe shkollore. Me ribalancin e buxhetit nga maji i vitit 2020, u bënë shkurtime në disa programe në lidhje me fëmijët, të cilat përkeqësojnë më tej cenueshmërinë e tyre dhe aftësinë e institucioneve për t’u përshtatur me krizën afatgjate. Në hulumtimin e Megjashit, fëmijët ndajnë shembuj të shumtë nga rrethi i tyre për moshatarët që jetojnë në varfëri, duke deklaruar se më shpesh, në vend të kujdesit institucional për këta fëmijë, ndihma sigurohet përmes aksioneve humanitare.

“Ka shumë fëmijë nëpër Shkup që lypin dhe nuk kanë një shtëpi të ngrohtë, as nuk u jepet dashuri dhe kujdes. Populli ynë është me të vërtetë mizorë dhe rrallë u ndajnë para fëmijëve të tillë. Mendoj se nuk janë mjaft të edukuar që të dinë se si të veprojnë me fëmijë të tillë që t’i ndihmojnë”, thanë disa nga fëmijët që morën pjesë në sondazhin e OJQ-ve.

Fëmijë pa identitet

Ende ka fëmijë që nuk janë regjistruar në librin amë të të lindurve, prej të cilëve shumica janë romë. Pengesat kryesore për regjistrim shtesë janë mungesa e dokumenteve personale të prindërve, harxhimet e larta të analizës së ADN-së si provë e lidhjes familjare të gjakut, si dhe mosrespektimi i afateve ligjore për regjistrim për shkak të të cilave procedurat mund të zgjasin disa vjet.

.Në vitin 2018, u identifikuan rreth 700 persona të paregjistruar. Nuk ka informacion se sa prej tyre janë fëmijë. Në shkurt të vitit 2020, u miratua Ligji për personat e pa evidentuar librin amë të të lindurve, i cili parashikon që të regjistrohen në një regjistër të veçantë të lindjeve, i cili do t’u sigurojë atyre qasje në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Sidoqoftë, me evidentimin në librin e veçantë, fëmijët nuk pajisen me shtetësi, për çka është i domosdoshëm regjistrimi në librin e rregullt të lindjeve.

Fëmijë rrugëve

Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve në rrugë, por vlerësohet se ka rreth 300 vetëm në Shkup. Shumica e fëmijëve janë romë. Ata zakonisht janë të detyruar nga ana e familjeve të tyre të punojnë dhe janë të përfshirë në kërkim të lëmoshës, shitjen e sendeve të vogla, mbledhjen e mbeturinave dhe pastrimin e xhamave të makinave nëpër udhëkryqet e rrugëve.

Puna në rrugë është forma më e zakonshme e abuzimit të fëmijëve dhe rrallë sanksionohet. Plani akcional për fëmijët e rrugëve (2013-2015) skadoi në 2015, asnjë informacion nuk mund të gjendet për vlerësimin e kryer, bile as për planin e ri të miratuar akcional. Nuk ka sisteme monitorimi as për dokumente të tjerë të politikave publike që përfshijnë aspekte në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në rrugë. Qendra për Punë Sociale e Qytetit të Shkupit menaxhon dy qendra të kujdesit ditor për fëmijët në rrugë dhe fëmijët marrin mbështetje nga organizatat e shoqërisë civile, siç është Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Sidoqoftë, mbulimi i fëmijëve në qendrat ditore është i pamjaftueshëm. Ekzistojnë një numër faktorësh të rrezikut personal, institucional dhe sistematik që i çojnë fëmijët të punojnë në rrugë.

Djemtë janë viktimat më të zakonshme të dhunës

Hulumtimet tregojnë se fëmijët janë viktima të shumë llojeve të abuzimit dhe neglizhimit, prej të cilave më e zakonshmja është dhuna fizike dhe psikologjike / emocionale. Fëmijët viktima, janë kryesisht të moshës 11 deri në 14 vjeç, dhe shumica janë djem. Sipas hulumtimit, 10% e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës, ndërsa më shumë se 20% njohin dikë që ka qenë viktimë e dhunës. Fëmijët shpesh përmendin shembuj të dhunës nga moshatarët në shkolla, si dhe raste në rritje të sajber-dhunës. Dhuna e moshatarëve është e pranishme në një numër të shkollave fillore, ndërsa masat pedagogjike të aplikuara janë të pamjaftueshme për të zgjidhur problemin. Në shkollat e mesme dominojnë më shumë lloje të sjelljes së dhunshme, përfshirë fyerjen dhe përqeshjen ndërmjet nxënësve, shkatërrimin e inventarit, rrahjen midis nxënësve, fyerjen e nxënësve nga mësuesit dhe fyerjen e mësuesve nga nxënësit.Treguesit e pranisë së tensioneve ndëretnike dhe incidenteve tregojnë se ato janë rritur në vitin 2019, krahasuar me vitet 2011 dhe 2012. Fëmijët në rrugë / fëmijët e rrugës dhe fëmijët me kujdes institucional janë në rrezik në rritje të dhunës. Dhuna nuk njihet, paraqitet ose monitorohet si duhet, duke i lënë autorët të pandëshkuar dhe duke kontribuar në një nivel të lartë të vazhdueshëm të tolerimit të dhunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button