Propozim-ligji për Regjistrimin e Popullsisë e kaloi leximin e parë

Komisioni kuvendor për Çështje Evropiane sot në lexim të parë me dhjetë vota “për” dhe asnjë “kundër” apo të “përmbajtur” e ka përkrahur dhe e ka dërguar në procedurë të mëtutjeshme propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut, në pajtueshmëri të të cilit duhet që të mundësohet mbajtja e këtij operacioni statistikor në prill të vitit të ardhshëm, njofton Portalb.mk.

Anëtarët e Komisionit të opozitës u pajtuan se është e nevojshme një zgjidhje e këtillë ligjore, por thanë shumë vërejtje dhe paralajmëruan amendamente për përmirësimin e tekstit të ligjit. Ata thanë se duhet që të largohen mangësitë e tekstit, me qëllim ashtu siç theksuan, të shmanget politizimi i këtij operacioni statistikor. Sipas tyre, ligji i propozuar në formën aktuale lë hapësirë për dyshim për ndikim politik. Ata kërkuan edhe organizim të debatit publik me qëllim që të dëgjohet edhe mendimi i ekspertëve të fushës dhe të miratohet zgjidhje ligjore kualitative.

Deputetët e pushtetit theksuan se nuk duhet që paraprakisht të japin kualifikime për këtë proces. Regjistrimi, theksuan, është më se i nevojshëm duke e pasur parasysh që i fundit është zbatuar përpara më shumë se 20 viteve. Nëse ka vërejtje konstruktive të opozitës, paralajmëruan se do të shqyrtohen gjatë diskutimit të amendamenteve.

Deputetja Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE theksoi se pushteti këtë ligj e ka përgatitur në mënyrë jotransparente pa konsultim me të gjitha palët, përfshirë edhe pa opozitën.

“Nga mënyra e këtillë e veprimit del në përfundim se qëllimi i regjistrimit nuk është që të zbatohet operacion statistikor i cili është i rëndësishëm për krijimin e politikave zhvillimore në 10 vitet e ardhshme, por që të zbatohet vetëm për qëllime politike, të cilat tek më pas do të bëhen të qarta”, tha Stojanovska.

Deputetët opozitar e shohin kontestuese edhe atë që metodologjinë për zbatimin e regjistrimit do ta caktojë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave edhe atë pas miratimit të këtij ligji. Me këtë, thonë ata, do t’i jepen autorizime të mëdha drejtorit.

Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët theksoi se problemi me politizimin e këtij në thelb procesit statistikor është i pashmangshëm duke e pasur parasysh, ashtu siç tah, që për fat të keq disa të drejta të qytetarëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve etnike janë të lidhura me përqindjen e popullsisë.

Deputetja Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM tha se nuk sheh arsye për diskutim nga aspekti politik për një proces siç është regjistrimi.

“Nëse duhet të diskutojmë për përmbajtjen. Absolutisht. Nuk ka njerëz të përkryer, as ligje. Sa e di çdo zgjidhje ligjore pa dallim se kush është propozues, nëpërmjet diskutimit konstatohet nëse mundet të ndryshohet ose të përmirësohet. Ky është thelbi i demokracisë parlamentare. Për atë këtu miratohet ligje. Për atë duhet që të kemi debat. Por, me një nuk mundem të pajtohem, a ajo është se ligji ka dimensione politike. Mendoj se është koha e fundit që të fillojmë ne vetë ta kalojmë mendimin tonë dhe të besojmë në ekspertët e fushës në këtë shtet të cilët janë edhe në institucione dhe të cilët janë me ligj të obliguar për disa çështje të caktuara”, tha Kaleska Vançeva.

Paraprakisht, ligjin para deputetëve e ka sqaruar zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu. Ai tha se në kuadër të këtij operacioni statistikor do të munden të nënshkruhen shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë në vendbanim ose vendqëndrim në vend, pa dallim nëse në momentin e regjistrimit gjenden në shtet ose jashtë shtetit.

Shtetasit e RMV-së të cilët janë për punë të përkohshme ose qëndrojnë jashtë vendit, të dhënat e personit i jep një person mbi 18-vjeç, të cilat më mirë i di, gjatë së cilës do ta japë EMBG-në e tij dhe EMBG-në e personit për të cilin jep të dhëna në regjistrim. Për ata që janë jashtë vendit do të mundësohet që edhe vetë të regjistrohen në periudhën prej 1 marsit deri në 21 prillit nëpërmjet aplikacionit të veçantë i cili do të jetë i qasshëm në ueb-faqen e Entit Shtetëror të Statistikave.

Debati për këtë propozim mbaroi, ndërkaq tani vazhdon në fazën tjetër. Në vend regjistrimi i parë është bërë në vitin 1948. Janë zbatuar gjithsej 8 regjistrime, a i fundit është bërë në vitin 2002. Në vitin 2011-të filloi të realizohet, por më pas u ndalua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button