Këshilli i Qytetit të Shkupit pranoi propozimin që Kanjoni i Matkës të shpallet momument natyror

Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme pranoi propozimin për shpalljen e zonës së mbrojtur të Kanjonit të Matkës për monument natyror. Propozimi u përshëndet nga ana e këshilltarëve, transmeton Portalb.mk.

Me këtë, Këshilli i Qytetit të Shkupit i propozon Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të zbatojë të zbatojë procedurë për rivlerësim dhe shpallje të lokacionit të mbrojtur të kanjonit të Matkës për monument natyror. Kjo procedurë do të zhvillohet në pajtueshmëri dhe Studimin për rivlerësim të vlerave natyrore të zonës së mbrojtur të monumentit natyror “Kanjoni i Matkës” i përgatitur në vitin 2010 dhe në revizionin e kryer të studimit për rivlerësim të lokacionit të Matkës, në kuadër të së cilit është realizuar zonimi i hapësirën nga viti 2020, transmeton Portalb.mk.

Këshilltarja e Qytetit të Shkupit nga VMRO – DPMNE, Svetlana Kolariq, bëri thirrje që iniciativa që do t’i dërgohet Ministrisë së Ekologjisë të mos rrijë në sirtar kohë të gjatë dhe të priten mendime nga të gjitha palët e prekura.

“Çdo ditë është e rëndësishme, e dimë se me mbrojtjen e Kanjonit të Matkës do të shkurtohen, do të pamundësohen orekset e shumicës për të cilët e dimë se viteve të fundit e tregojnë edhe në vepër ndërgjegjen e tyre, konkretisht për ndërtimet pa leje. Iniciativa është shumë e mirë, të jemi solid dhe të mundohemi bashkë që Ministria e Ekologjisë sa më shpejtë të sjellë vendimin dhe ky kanjon të shpallet park nacional”, tha Kolariq.

Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni.

Ndërkohë, edhe pas ngritjes së dy akuzave nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me platformat ilegale në Matkë, objektet vazhdojnë të jenë të “palëkundshme” mbi ujë, ndërsa uzurpatorët nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për t’i larguar të njëjtat.

Platformat ilegale janë vendosur para shumë kohësh mbi liqenin e Matkës, dhe edhe pse ky shqetësim është ngritur shumë herë nga mediat, autoritet nuk kanë ndërmarrë masa për ta zgjidhur problemin. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button