Maqedonia e Veriut shënoi përmirësim në indeksin e Integritetit të Qeverive në Sektorin e Mbrojtjes

Sipas një hulumtimi të realizuar nga  “Transparency International” që ka të bëjë me indeksin e Integritetit të Qeverive në Sektorin e Mbrojtjes, Maqedoninë e Veriut renditet në vendin e dytë në mesin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për sa i përket integritetit të mbrojtjes, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi u botua sot, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër korrupsionit, ndërsa rezultatet u kumtuan në një konferencë për shtyp nga ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryetarja e “Transparency International- Maqedoni”, Slagjana Taseva.

“Indeksi i “Transparency International” për Integritet të Qeverive në Mbrojtje vlerësoi edhe më shumë rezistencën ndaj korrupsionit në Mbrojtje në fushën e prokurimit dhe burimeve njerëzore. Sipas këtyre kritereve, Maqedonia e Veriut është një vend me rrezik të ulët korrupsioni. Buxheti ynë është transparent, ka rregullore anti-korrupsion që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, ne jemi të hapur dhe diskutojmë me sektorin joqeveritar, dhe përmes hyrjes së lirë në informacionin publik, si dhe me qytetarët. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë procesin në mënyrë më të detajuar. Kjo është arsyeja pse tashmë kemi filluar të punojmë në planin e ri të integritetit, me mbështetjen e ekspertëve nga Mbretëria e Norvegjisë, i cili duhet të miratohet deri në fund të marsit 2021”, tha Shekerinska.

Indeksi i Integritetit të Qeverive në Sektorin e Mbrojtjes

Kryetarja e “Transparency International- Maqedoni”, Slagjana Taseva shprehu kënaqësinë me rezultatet e hulumtimit që shënuan me të gjelbër Maqedoninë e Veriut në hartën e vendeve të analizuara.

“Republika e Maqedonisë së Veriut mban rezultat të dytë menjëherë pas Letonisë. Ne kemi rezultate më të larta se Gjeorgjia, Lituania, Polonia, Estonia, Bosnja dhe Hercegovina, Armenia, Kosova, Serbia, Hungaria, Ukraina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Azerbajxhani. Pra, ne jemi të renditurit si më të mirët pas Letonisë në këtë indeks të integritetit të qeverive në sektorin e mbrojtjes. Unë me të vërtetë do të doja ta përgëzoja ministren Shekerinska për mënyrën se si sigurohen të gjitha kushtet rregullore, normative dhe institucionale në mënyrë që hulumtimi, i cili është shumë i hollësishëm, të mund të tregojë një shkallë kaq të lartë të pajtueshmërisë së sistemit të integritetit në mbrojtjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me treguesit për vlerësimin e integritetit në këtë sektor në botë”, tha Taseva.

Shekerinska shtoi se angazhimi i fortë i Qeverisë për transparencë dhe integritet maksimal në operacione do të bartet edhe në nivelin lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button