Mesazhi i kryeministrit Zaev pas vetos bullgare (VIDEO)

Kryeministri, Zoran Zaev e ka quajtur gabim të papërgjegjshëm dhe të rëndë gjeostrategjik veton bullgare të vendosur për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Zaev, në fjalimin e sotëm drejtuar qytetarëve, pasi Bullgaria dje vendosi veto për miratimin e kornizës negociuese në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, tha se procesin e zgjerimit si qëllim strategjik të BE-së e ndërpreu Republika e Bullgarisë nga pozita si vend-anëtar, transmeton Portalb.mk.

Arsyet për mosmiratimin e kornizës negociuese, tha ai dëmtojnë parimet fundamentale dhe vlerat e Bashkimit Evropian, duke shtuar se, shpresojnë se dëmi që është shkaktuar nga kjo “veto e paarsyeshme” për integrimin evropian të rajonit dhe për vlerat evropiane, do të mund të kompensohet shpejtë.

“Bullgaria vendosi veto, e shkeli Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi dhe me këtë e pengoi rrugën e integrimit tonë evropian, për të cilën më shumë herë institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare, duke përfshirë edhe Bullgarinë, konfirmuan se në tërësi i plotësojmë kushtet. Qëndrimi i Bullgarisë është tërësisht iracional dhe ofendues për maqedonasit dhe për tërë popullin tonë. Në shekullin 21, nuk është mënyrë evropiane e as demokratike, që t’i tregoni dikujt se si të ndjehet, si të përcaktohet. Nuk është evropiane ta shkruani historinë e një populli tjetër. Ti impononi identitet të një populli tjetër dhe ta bindni që të njëjtin ta pranojë. Për Maqedoninë e Veriut, për popullin maqedonas  dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë këto kushte nuk janë të pranueshme. Prandaj ne qëndruam fuqishëm në mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase. Nuk lejuam që të preket dinjiteti i identitetit maqedonas dhe shtyllat e identitetit, që janë populli maqedonas dhe gjuha maqedonase”, deklaroi Zaev.

Ai më tej ka shtuar se, themelet e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut janë në antifashizmin e ASNOM-it, ashtu siç janë themelet e identitetit maqedonase në popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase.

“Këto janë shtyllat tona nga e kaluara. Këto janë shtyllat tona për të ardhmen. Shteti maqedonas është vend i miqësisë dhe bashkëjetesës. Si shprehje e kujtesës historike, përpjekjes për drejtësi dhe jonkontestueshmërisë të së drejtave të njeriut, kemi ditur të falim dhe të kërkojmë ndjesë në emër të së ardhmes. Ne asnjëherë nuk kemi marrë të huajën. Ne jemi ndërtues. Kjo është në kartën tonë të identitetit si shenjë e jona autentike. Kështu sot na njeh bota: Ne ndërtojmë miqësi. Ne jemi shembull i ndritur për fqinjësi të mirë. Ne asnjëherë nuk kemi nxitur probleme dhe asnjëherë nuk do të jemi problemi. Ne gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

Kryeministri ka falënderuar të gjitha vendeve tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të veçantë për Gjermaninë e cila në kohëra veçanërisht shumë të vështira në krye të udhëheqjes së saj me Bashkim Evropian i vendosi si çështje prioritare Buxhetin e BE-së, luftën kundër COVID-19 dhe zgjerimin, me qëllim që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut si fillim i negociatave për anëtarësim në BE.

Zaev premtoi se, çendi do të mbetet i përkushtuar në kërkimin e zgjidhjes me Bullgarinë fqinje. Kjo, sipas tij, do të jetë zgjidhje e cila garanton fillim të negociatave me BE-në dhe assesi nuk prek identitetin maqedonas.

“Unë sot i bëj thirrje çdo qytetari maqedonas, të marrim pjesë në reforma. Tani nevojitet angazhimi i gjithsecilit. Këto janë momentet kur më së shumti duhet të tregojmë unitetin tonë. Tani më së shumti duhet të punojmë bashkë, që ta bëjmë vendin vend më të mirë për jetesë.  Tani me më shumë besim, përkushtim dhe unitet, të përkushtohemi në ndërtimin e standardeve evropiane në vend. Do të punojmë në mbështetjen e demokracive të zhvilluara evropiane, në mënyrë bilaterale, me çdonjërën nga ato në sferën në të cilën është më e fuqishme, do t’i sjellim standardet evropiane në vend”, theksoi kryeministri Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button