RMV, matura shtetërore “mollë sheri”, nxënësit të ndarë, ministrja e prerë: Provimi do të mbahet!

Përderisa shkollarët e mesëm nuk mund të merren vesh mes vete në lidhje me (mos) mbajtjen e maturës shtetërore, ministria përgatitet për këtë provim. UNSHM-ja sot në një takim me ministren ka bërë kompromis të pjesshëm për dy kërkesat e tyre, ndërsa “Zëri i shkollarëve të mesëm” do të protestoje të premten në disa qytete të RMV-së, nga ku do kërkojnë anulimin e maturës shtetërore, shkruan Portalb.mk.

I vetmi Union i nxënësve të shkollave të mesme i regjistruar në Maqedoninë e Veriut është UNSHM-ja në krye me kryetarin Blendi Hodai. Megjithatë, përveç kësaj ekziston edhe një grup jo formal i nxënësve të shkollave të mesme me emrin “Zëri i shkollarëve të mesëm”, këta të fundit jo gjithmonë kanë pajtueshmëri mes vete në lidhje me kërkesat e tyre sa ju përket të drejtave të nxënësve.

Cilat janë kërkesat e UNSHM-së drejtuar MASH-it?

  • Ministria e Arsimit dhe Shkencës të zvogëloje numrin e lëndëve në maturën shtetërore që nxënësit duhet ti realizojnë. Nga katër lëndë të provimit të maturës ne propozojmë nxënësit të kenë vetëm dy lëndë të maturës.
  • Materiali dhe programi shkollor i mësuar gjatë krizës përmes mësimit nga distanca, respektivisht nga shtëpia dhe nëpërmjet platformave online të mos përfshihet në provimin e maturës shtetërore në 2021.

Kompromisi u arrit për të dyja, mirëpo jo plotësisht

Në lidhje me kërkesën e parë, përfaqësuesit e UNSHM-së, Blendi Hodai dhe Leutrim Bilali janë pajtuar me ministren Carovska, që modeli i maturës shtetërore i cili do të përmbante dy provime në vend se 4 (që janë aktualisht) do të implementohet në vitin e ardhshëm akademik për shkak të pamundësisë teknike dhe praktike që i njëjti të adaptohet këtë vit shkollor.

Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së.
Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së.

“Megjithatë, ne do të mundohemi që ky propozim të kyçet edhe këtë vit arsimor, ne e kemi shumë të rëndësishme që nxënësit ta kenë sa më të lehtë” shtoi Blendi Hodai.

Për kërkesën e dytë, respektivisht e cila parasheh heqjen nga matura shtetërore materialin mësimor të mësuar përmes internetit, ministrja Carovska dhe UNSHM-ja kanë rënë dakord që pyetjet e maturës shtetërore të jenë sa më të thjeshta dhe koncize. Nuk është arritur dakordësi që i njëjti të hiqet tërësisht.

“Mendojmë se është një hap i mirë kjo, nxënësit do të kenë para vetes pyetje më të thjeshta, kjo do të ju ndihmoje që të kalojnë më lehtë” tha Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM).

Hodai dhe Carovska pajtohen për një gjë: Maturë shtetërore duhet të ketë

Sipas ministres Carovska, mbajtja e maturës shtetërore është shumë e rëndësishme për shkak se siç potencoi ajo, nuk mund të lejojmë që pandemia të stopoje arsimimin, ajo shtoi se bashkë me UNSHM-në janë pajtuar që të organizohet matura shtetërore.

Milla Carovska, foto nga MPPS

“Kemi gjashtë muaj për të organizuar maturën shtetërore e cila do të mbahet në afatin e paraparë me ligj me orar të shkurtuar mësimor dhe me protokolle për mbrojtje.  Arsimimi duhet patjetër të vazhdoje edhe në këto kushte, për shkak se bëhet fjalë për të ardhmen e gjeneratave të reja. Të mos lejojmë që pandemia të ndikoje në zhvillimin dhe përparimin e tyre.  Në mbledhjen me Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme sot, biseduam për provimin e ardhshëm të maturës si dhe programet dhe mënyrën se si do të organizohet testimi.  Bashkërisht u pajtuam që provim të maturës duhet patjetër të ketë, për shkak se nuk duhet të bëjmë kompromis me kualitetit e arsimit” tha Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës në RMV.

Nga ana tjetër, kryetari i UNSHM-së, Blendi Hodai potencoi se mbajtja e maturës shtetërore është e rëndësisë së veçantë, për shkak të rëndësisë së evaluimit të njohurive të nxënësve, andaj sipas tij nuk do të kishte logjikë anulimi i të njëjtës.

“Mendojmë se matura shtetërore është e rëndësishme, çdo shtet i botës ka maturën shtetërore si mënyrë për evoluimin e nxënësve për periudhën që ata kanë qenë në shkollim të mesëm. Ne kemi pasur konsultime dhe fokus grupe të vazhdueshme me nxënësit e shkollave të mesme në vend, në të njëjtën kohë kemi pasur komunikime dhe mbledhje online me unionit e nxënësve në shkollave të mesme të vendeve të Ballkanit dhe BE-së, nga ku edhe kemi dalë me disa kërkesa, të cilat do të garantojnë që sigurimi i cilësisë në arsim dhe shëndeti mendor i nxënësve do të jenë imperativ kur do të merren vendimet gjatë pandemisë” theksoi Blendi Hodai.

Mosmarrëveshje mes shkollarëve të mesëm, “Zëri i shkollarëve të mesëm” të premten proteston: Të anulohet matura shtetërore!

Protesta nga "Zëri i shkollarëve të mesëm"
Protesta nga “Zëri i shkollarëve të mesëm”

Në një grup në rrjetin social “Fejsbuk” me gjithsej 6700 anëtarë, nxënësit e vitit të katërt nga të gjitha qytetet e RMV-së kërkojnë që të anulohet matura shtetërore për këtë vit, për shkak të pandemisë me virusin korona.

“Ka shumë arsye pse kërkojmë anulimin e maturës shtetërore. Realisht presim që të anulohet ky provim, sepse i gjithë procesi arsimor përmes internetit është shumë stresues për ne dhe kalon shumë shpejt andaj nuk besoj që do të ketë kohë dhe mundësi, kështu përmes internetit të përgatitemi për maturën shtetërore. Maturantët janë shumë, ndërsa profesorët pak dhe të rrallë që gjinden të ligjërojnë përmes kompjuterit” tha maturantja Viktorija Petrovska.

Përveç kësaj, ditën kur do të protestohet, organizatorët bëjnë thirrje që edhe ata të cilët e kanë të pamundur të protestojnë, të bojkotojnë mësimin përmes internetit duke mos u kyçur atë ditë.

Ndryshe, kjo protestë është paraparë të mbahet me 11 dhjetor, në ora 15:30 në disa qytete të RMV-së si dhe para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Shkup, si dhe para objekteve të komunave në Ohër, Kavadar, Shtip, Prilep, Kriva Pallanka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button