Madeleine Albright: Është tragjedi që Bullgaria, për arsye të brendshme bllokon integrimin e RMV-së në BE

Pas vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, ish sekretarja e Shtetit e SHBA-së thekson se duhet të shtrohet pyetja se si Bullgaria i përmbush detyrimet e saj ndaj BE-së. Nuk duhet të lihet asnjë asnjë vakum politik në Ballkanin Perëndimor për të lejuar ndikim më të madh nga Rusia dhe Kina në rajon, tha Abright, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se është tragjedi e plotë që pas një kohe të gjatë të harxhuar në zgjidhjen e çështjes së emrit me grekët, bullgarët, për arsye të brendshme, bënë kërkesa të tilla për Maqedoninë e Veriut. Kjo është arsyeja pse duhet të shtrohet pyetja se si Bullgaria i përmbush detyrimet e saj ndaj BE-së”, tha Madeleine Albright, ish sekretare e Shtetit e SHBA-së.

Në seancën para Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Albright u përgjigj pyetjeve të kongresistëve rreth politikës së SHBA-së në Ballkan.

Në pyetjen e kongresmenit Gregory Mix, një demokrat nga New Yorku, se si administrata e re e Joe Bidenit dhe Kamala Harrisit duhet të punojë me Brukselin për të mos mbajtur aspirantët e BE-së në “dhomën e pritjes” për shkak të fqinjëve të tyre, duke pasur parasysh bllokadën që vendosi Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut për shkak të çështjeve të identitetit dhe gjuhës, ajo tha se administrata e re duhet të punojë për atë çështje.

“Për shkak të faktit se grekët arritën një marrëveshje, ndërsa për këtë u shpenzua aq shumë kohë dhe u punua kaq shumë, mendoj se është një tragjedi, dhe në përgjithësi, që bullgarët, për arsye të brendshme, tani po e theksojnë këtë”, tha Albright.

Ajo shtoi se pyetja tani është se si Bullgaria po përmbush detyrimet e saj ndaj BE-së.

“Unë mendoj se ajo është çështje shumë e rëndësishme që nënvizon përpjekjet tona në Ballkan, ndërsa ajo është që duhet të ketë bashkëpunim ekonomik dhe politik”, u shpreh Albright.

Albright me prejardhje është nga Çekia, dhe është gruaja e parë në historinë e SHBA-së që shërbeu si Sekretare e Shtetit. Ajo e mbajti këtë pozicion nga viti 1997 e deri në vitin 2001, nën administratën e Bill Clintonit dhe gjatë konfliktit në Kosovë dhe bombardimeve të ish Republikës Federale të Jugosllavisë nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ngjarjen e cila zgjati tre orë, përveç ish Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, të pranishëm ishin edhe dy analistë dhe ekspertë të vjetër për rajonit, Daniel Server i Universitetit Johns Hopkins dhe Janusz Bugajski i Fondacionit Jamestown, shkruan Dojçe Vele.

“Nuk guxon të lihet vakum politik në Ballkanin Perëndimor, duke mundësuar ndikim më të madh nga Rusia dhe Kina në rajon”, tha Bugajski lidhur me nevojën për prani më të madhe SHBA-së në rajon.

Server tha se “presidenti i sapozgjedhur Biden duhet të konsultohet me aleatët me BE-së për të koordinuar përpjekjet për të afruar Bosnjën post-dejtoniste më pranë BE-së”.

Sipas tij, është e nevojshme të bëhet presion mbi Beogradin që t’i lejojë Kosovës të zhvillohet si një shtet i pavarur drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE.

Ndryshe, Bullgaria edhe një herë dje i vendosi veto Maqedonisë së Veriut për miratimin e kornizës negociuese. Qeveria  e ka quajtur veton si një gabim të papërgjegjshëm gjeo-strategjik, duke theksuar se e “ardhmja maqedonase është evropiane”.

Ndërkohë Vllado Buçkovski, i emëruari special i Qeverisë së Maqedonisë për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë sot do të zhvillojë vizitë zyrtare në Sofje. Kjo vizitë, konsiderohet si përpjekje për tejkalimin e dallimeve, me qëllim mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Megjithëse, vizita e Buçkovskit duket shpresëdhënëse, pas takimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave në Bruksel, që përfundoi pa miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, gjasat duken tepër minimale që vendi të fillojë këtë vit negociatat e pritshme për anëtarësim në BE.

Gjasat duken edhe më të vogla kur dihet se edhe komisioni për çështje të historisë me Bullgarinë nuk ka progres. Bashkë-kryesuesi i palës maqedonase Dragan Gjorgiev, tha se përfaqësimi i Mbretit Samoil dhe përdorimi i mbiemrit “maqedonas” në protokollin – janë dy çështjen në të cilat ka ngecur ky komisioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button