Buçkovski sot në Sofje, do të zhvillojë takime me Borisovin, Zaharievën, Karakaçanovin dhe Radevin

Vllado Buçkovski sot do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Sofje prej se u emërua përfaqësues special i Qeverisë maqedonase për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë. Kjo vizitë, siç edhe deklaroi vetë ministri i Jashtëm Bujar Osmani kur e paralajmëroi, është një përpjekje për tejkalimin e dallimeve, me qëllim mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, njofton Portalb.mk.

Buçkovski ka mandat prej një viti dhe do të punojë në zbatimin e planit të veprimit për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Miqësisë.

“Gjatë vizitës sime në Sofje, do të kem takime me Kryeministrin Bojko Borisov, ministren e Jashtme Ekaterina Zaharieva dhe ministrin e Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov“, deklaroi Buçkovski për BGNES.

Ai gjithashtu të enjten do të zhvillojë takim edhe me Presidentin Bullgar Rumen Radev.

“Unë po vij me ftesë të qeverisë bullgare. Vij si miku juaj i madh dhe me vullnet të mirë”, tha Buçkovski.

Pas bisedimeve, Zaharieva dhe Buçkovski do të mbajnë një konferencë për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Vizita zyrtare e Buçkovskit në Sofje vjen më pak se një javë pasi u emërua i dërguar special i Qeverisë së RMV-së për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

“Shpresoj që Buçkoski të pranohet në Republikën e Bullgarisë në nivelin më të lartë të mundshëm, që të mund të bisedojmë hapur për mundësitë për tejkalimin e dallimeve qysh tani, që të ecim përpara drejt mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ende po e përgatisim agjendën, sepse siç thashë, z.Buçkovski do të punojë nën instruksione dhe në suaza të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qeverisë”, u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, kur paralajmëroi vizitën e tij në Bullgari.

Ish Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, si dhe udhëheqës i dikurshëm i LSDM-së, kohët e fundit ishte shpesh i pranishëm në media në Bullgari, ku përcolli pikëpamjet e tij mbi tejkalimin e keqkuptimeve me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Bullgaria edhe një herë dje i vendosi veto Maqedonisë së Veriut për miratimin e kornizës negociuese. Qeveria  e ka quajtur veton si një gabim të papërgjegjshëm gjeo-strategjik, duke theksuar se e “ardhmja maqedonase është evropiane”.

Megjithëse, vizita e Buçkovskit duket shpresëdhënëse, pas takimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave në Bruksel, që përfundoi pa miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, gjasat duken tepër minimale që vendi të fillojë këtë vit negociatat e pritshme për anëtarësim në BE.

Gjasat duken edhe më të vogla kur dihet se edhe komisioni për çështje të historisë me Bullgarinë nuk ka progres. Bashkë-kryesuesi i palës maqedonase Dragan Gjorgiev, tha se përfaqësimi i Mbretit Samoil dhe përdorimi i mbiemrit “maqedonas” në protokollin – janë dy çështjen në të cilat ka ngecur ky komisioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button