Edukimi si emocion dhe Universiteti

Sipas Aristotelit, “edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim”, dhe po kështu edukimi si aktivizëm, pa edukimin e shpirtit demokratik, në shekullin që po jetojmë është thjesht një fabrikim i mendimit. Universiteti sot, përballet me problematika të shumta. Diskutohet për problematika infrastrukture, për kopetenca digjitale, për fasada, për mësim online, por është harruar se Universiteti nuk mbetet vetëm këtu, tek burokracia demode që ekziston të paktën në Ballkan. Edukimi është një proces që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës në rritjen e tij individuale, të njohurive, vlerave dhe besimeve, por lufta për vlera dhe virtyte  ka prodhuar luftën për shkresa dhe dokumente.

Edukimi estetik mungon në sistemin arsimor shqiptar që fatkeqësisht përmbushet me lëndë të pafundme, shpesh boshe në kuptimësinë e tyre, libra të shkruar keq, pa logjikë dhe përkthyer gabim që u jepet nxënësve e shpesh studentëve, duke u përballur kështu me një proces edukimi që edhe funksionin njohës si parësor në edukim, nuk përmbushet cilësisht. Ka një gabim logjik edukimi shqiptar, pikërisht në modelin që kërkon të u japë studentëve, ndërkohë që sfida e cilësisë përkthehet vetëm në parametra sasior. Gjithësecili nga ne mund të pyesë se cila është filozofia e edukimit shqiptar? Çfarë sistemi edukativ prodhojmë ne? A mund të prodhojmë sot elitat intelektuale?

Kanti e shihte njeriun si produkt të asaj që bën edukata, ai kërkonte ta përsoste natyrën njerëzore, jo ta kthente atë në gjendjen natyrore siç përmendte Rusoi. Por ne sot po prodhojmë pikërisht atë gjendjen natyrore, ku sistemi i edukimit nuk prodhon më vlera. Si gjendet studenti shqiptar përballë edukimit? Çfarë emocionesh i ngjall Universiteti, studentit?

Studenti shqiptar, sot është hero i heshtur, ku përballë vështirësive ekonomike,sociale zgjedh të arsimohet me shpresën për t´u larguar jashtë. Sot studentët shqiptar detyrohen të braktisin jetën akademike, për të siguruar jetesën, e ndonjëherë mbijetesën. Jetojmë në një epokë paradoksesh, sot jetojmë në një shekull modern, por realiteti është migjenian. E çfarë emocionesh mund të ngjallë edukimi, për të mos braktisur realitetin shqiptar?

Edukimi si emocion është një domosdoshmëri për Universitetin, është një nevojshmëri për identitetin e edukimit shqiptar, ku vlera si atdhedashuria, respekti, toleranca, humaniteti kanë mbizotëruar tek elitat shqiptare të hershme. Edukimi si emocion ka nevojë për të prodhuar impakte. Impakti i motivimit nxit inkurajimin tek studentët që procesi i mësimit të jetë afatgjatë dhe të ngjallë emocione. Impakti psikologjik i ndihmon studentët të përjetojnë procesin e edukimit si një eksperiencë për të dashur dijen. Impakti social prodhon vlera si barazia dhe bashkëpunimi në emër të interesit të përbashkët, të edukimit të gjithësecilit. Impakti konjitiv ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, ku edukimi të përball me koncepte që shpesh herë janë këndvështrime të reja për botëkuptimin e një studenti.

Por emocionet tek ne, shpesh fshihen pas rolit të edukatorit që në mungesën e mirërritjes së tij në akademizëm, psikologjike, kthehet në burime të autoritarizmit që nuk ngjallin aspak emocione apo dëshirë për të ndjekur ´´ëndrrën e studimeve´´. Duke zbehur kështu shpirtrat e studentëve e duke i ndrydhur mendimet, ndjenjat, duke shuar kështu shpirtin e revoltës, ndryshimit dhe shpresës për të ardhmen. Dhe kështu ne kemi prodhuar një edukatë morale, ku moraliteti i edukimit qëndron vetëm tek ´´urtësia përballë autoritetit“ dhe jo urtësisë si vlerë nga edukimi estetik.

Disiplina në edukimin shqiptar shihet si një formë e realizimit të procesit arsimor, ndërkohë që determinimi i ideve të reja, kriticizmit gjithmonë shihet si një shpengim i detyrës së edukatorit, duke arritur në një ç´interesim për gjendjen shpirtërore, psikologjike të studentit apo dhe nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.

Sokrati në diskutimet që bënte me studentët e tij, i linte ata të zbulonin të vërtetat duke i shtuar atyre dyshimet mbi atë çfarë mendonin, ndërsa sot në sistemin e edukimit më shpejt të mësohet sesi të përgjigjesh sesa të pyesësh, duke shformësuar realisht edukimin si një proces ku kërkohet të prodhojë mendim, ide, vlera dhe virtyte.

Edukimi si emocion është një nevojë emergjente për sistemin arsimor shqiptar, kriza për vlera në arsim është një krizë e qytetarit që angazhohet në demokraci, është krizë e jetës publike, është krizë humane aq sa dhe krizë e shoqërisë civile që janë individë të formuar në auditoret shqiptare. Kriza për një sistem vlerash tek ne është një përgjegjësi që i takon nevojës për ideale, për një pedagogji identitare, për mësues që profesioni i edukatorit nuk është profesion, por mision.

Filozofi Wittgenstein është shprehur se filozofia e bën botën më të qartë, por rreth kësaj ideje më lind pyetja, cila filozofi edukimi e bën të qartë idenë e Universitetit?

Adriana  Istrefi                

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button