Gjuha e urrejtjes ndaj Metamorfozis mbetet e pandëshkuar: “T’i pushkatojmë ose në shtëpi t’u dërgojmë kurora pas vdekjes?“

“Ja kanceri i shoqërisë”, “dalë ngadalë po e kompletojmë listën, po vijnë informata nga të gjitha anët dhe adresat e shtëpive tani më i kemi”, “kopukat e mjerë, nuk e dinë që edhe ata do të fshihen edhe atë shumë shpejtë”, “t’i pushkatojmë ose në shtëpi t’u dërgojmë kurora pas vdekjes?”, “Maqedonas, pështyjini publikisht…”, “Njoftoni dushmanët tuaj dhe të Maqedonisë. Dhe kur t’i takoni në rrugë ose në kafene t’i përshëndetni me përulje që po ju shlyejnë Juve dhe fëmijëve dhe nipat tuaj. Në direkë për varje!”, “cofëtina, pushkë berdare për ta”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Këto janë vetëm pjesë e komenteve me përmbajtje kërcënuese plotë me gjuhë të urrejtjes, thirrje për linç publik, madje edhe kërcënime për jetën e të punësuarve në Fondacionin Metamorfozis që filloi para thuaj një muaji pasi portali lider.com.mk publikoi dezinformatë  me titullin “(FOTO) Këta janë njerëzit që i shlyejnë përmbajtje nga Fejsbuku në Maqedoni!”.

Meqë pas thuajse një muaji të tërë, ende zgjatë fushata kundër të punësuarve në fondacion, Meta.mk ka kërkuar informata nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria Publike nëse është ngritur procedurë për sanksionim të gjuhës së këtillë me urrejtje që është vepër penale sipas Kodit penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga MPB vetëm shkurtë janë përgjigjur që kanë përpiluar njoftim në Prokurorinë Themelore Publike.

“Ju njoftojmë që në adresën zyrtare elektronike të Sektorit për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale janë pranuar tre kallëzime nga Fondacionit Metamorfozis për gjuhë të urrejtjes ndaj të punonjësve vet”, thonë nga MPB-ja.

Ata shtojnë: “”lidhur me kallëzimet, e në pajtim me kompetencat tona ligjore, është përpiluar Njoftim për Prokurorinë themelore publike Shkup”.

Nga Prokuroria themelore publike kanë konfirmuar që kanë pranuar njoftim nga Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë MPB-së dhe që një prokuror publik ka lëshuar urdhër për sigurim të provave.

“Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë MPB-së në Prokurorinë themelore publike Shkup ka dërguar dy njoftime në fund të nëntorit si dhe një njoftim sot më 07.12, ndërsa në lidhje me komunikim nëpërmjet rrjeteve sociale përmes personave të caktuar dhe anëtarëve të Fondacionit “Metamorfozis”, thonë nga PTHP.

Ata shtojnë që “pas shqyrtimit të dhënave në njoftimet, prokurori publik kompetent ka lëshuar urdhër në MPB për t’u kryer kontrollet e domosdoshme dhe të sigurohen prova. Nga provat e siguruara do të varet nëse rasti konkret ka elemente të veprës penale që përndiqet me detyrë zyrtare apo të dëmtuarit do të duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre në procedurë tjetër të rregulluar me ligj”.

Për hir të vërtetës, komunikimi ndërmjet këtyre dy personave dhe të punësuarve në Metamorfozis zhvillohet tërësisht në mënyrë të njëanshme. Përkatësisht, ato kryesisht janë komente me gjuhë të urrejtjes, thirrje për linç publik dhe kërcënime për dhunë fizike të shkruara në rrjetet sociale nën linkat e publikuar nga teksti apo fotografia të cilën së pari e publikoi lider.com.mk. Në disa raste, mesazhe me përmbajtje të ngjashme kanë pranuar një pjesë e punonjësve në Metamorfozis edhe si mesazhe private në rrjetet sociale, por edhe drejtpërsëdrejti para shtëpive të tyre.

Dënimi publik i gjuhës së urrejtjes mbetet arma kryesore e gazetarëve në këto raste

Përvoja e deritanishme tregon që Prokuroria publike shumë rrallë reagon në mënyrë përkatëse lidhur me denoncimet e këtilla. Nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatik (SPGPM) theksojnë që prokuroria “një kohë të gjatë mundohet me veprimet lidhur me këto lëndë, si dhe vërtetimin e tyre, e mbase kjo e zvogëlon edhe dëshirën për iniciativë edhe nga MPB, por edhe nga qytetarët për të denoncuar gjuhën e urrejtjes”.

Njëkohësisht, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), të cilët rregullisht i ndjekin sulmet ndaj gazetarëve, thonë që gjithashtu janë drejtuar në MPB, ndërsa prej atje kanë marrë përgjigje identike, përkatësisht se denoncimi është dorëzuar në PTHP prej nga pritet epilog.

Në lidhje me atë se çfarë mund të ndërmarrin gazetarët dhe punonjësit mediatik në raste të këtilla, nga sindikata e pavarur e gazetarëve thonë që kryesisht kjo është “dënim publik i gjuhës së urrejtjes, apel për sanksionim të gjuhës së urrejtjes, ngritje të vetëdijes për rreziqet nga gjuha e urrejtjes, përfaqësim pranë institucioneve për t’u ndryshuar punët, përkatësisht korniza ligjore dhe ngjashëm”.

“Me një fjali, arma kryesore e gazetarëve dhe punonjësve mediatik është presioni publik dhe sugjerimi për pasojat e dëmshme nga mosndëshkimi që ekziston në shoqëri kur bëhet fjalë për gjuhë të urrejtjes”, thonë nga SPGPM.

SHGM, që në anën tjetër është organizata më e vjetër e gazetarëve në vend, theksojnë që aktiviteti i tyre themelor në raste të këtilla është regjistrim i të gjitha sulmeve me metodologji paraprakisht të harmonizuar të cilën e shfrytëzojnë edhe gjashtë shoqata të gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbajtje dhe azhurnim i regjistrit për çdo sulm dhe kërcënim në gjashtë vitet e fundit.

“Përveç kësaj, vazhdimisht punojmë në promovim të rrezikut nga mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve nëpërmjet fushatave, publikimeve, trajnimeve me gazetarë por edhe me avokatë, pjesëtarë të MPB-së, gjykatës dhe prokurorë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se mosndëshkimi stimulon sulme të reja, ndërsa kjo kontribuon për vetë-cenzurë të gazetarëve”, thonë nga SHGM.

Prej atje shtojnë që punojnë edhe në rritje të mbrojtjes institucionale të gazetarëve, përkatësisht t’u jepen autorizime më të mëdha organeve të jurisprudencës në rast të sulmit ndaj gazetarëve si dhe dënimeve për sulmuesit të jenë më të mëdha.

Edhe nga sindikata e gazetarëve theksojnë që me vite përpiqen të sugjerojnë në problemet që ndodhin për shkak të mosndëshkimit të gjuhës së urrejtjes, ndërsa propozimet janë kryesisht në drejtim të përmirësimit të kornizës ligjore, saktësimit të kompetencave të institucioneve dhe reagim të shpejtë ndaj gjuhës së urrejtjes.

“Më e rëndësishme është të ndërpritet, ose të zvogëlohet mosndëshkimi kur kemi të bëjmë me gjuhë të urrejtjes, për shkak se vetëm në atë mënyrë do të zvogëlohet kjo dukuri e dëmshme jo vetëm për gazetarët dhe punonjësit mediatik por edhe për gjithë shoqërinë”, thonë nga SPGPM.

Partitë politike janë frymëzuesit kryesor të fushatave të këtilla

Sa i përket qëndrimit të partive politike ndaj fushatave të këtilla që ushtrohen kundër gazetarëve, organizatave mediatike apo ndaj sektorit joqeveritar, si dhe qasja e tyre në përgjithësi ndaj dezinformatave, nga shoqatat e gazetarëve thonë që pikërisht ato, partitë politike në fakt janë frymëzuesit kryesorë.

“Nuk është i ndarë mendimi që partitë politike janë frymëzuesit kryesorë për gjuhë të urrejtjes që rezulton nga lufta mes tyre për çështje të ndryshme politike. Së këtejmi, ndoshta ka pengesë sistematike për reagim më të shpejtë të institucioneve, për shkak se ata udhëhiqen para se gjithash nga njerëzit në partitë politike të cilët e fitojnë pushtetin”, thonë nga SPGPM.

Nga SHGM, thonë që për dallim nga e kaluara kur partitë politike publikisht janë thirrur në fushata mediatike kundër gazetarëve dhe organizatave mediatike kritik, për momentin gjendja është më e relaksuar, mirëpo megjithatë ka provokime të përkohshme, para se gjithash nga ana e disa politikanëve.

Në rastin konkret të fushatës kundër Fondacionit Metamorfozis, krahas qindra shpërndarjeve në rrjetet sociale të cilat dukshëm janë bërë në mënyrë të organizuar, fotografia e të punësuarve dhe teksti nga portali Lider.com.mk e publikuan edhe parti politike në disa nga faqet e tyre zyrtare. Bëhet fjalë për Fejsbuk faqen e Komitetit komunal të VMRO-DPMNE -së nga Makedonska Kamenica, si dhe Fejsbuk faqen “Lenka” të partisë politike “Levica”. Megjithëse postimet ishin shlyer pas disa ditëve, fakt është se ato shkaktuan komente negative.

 

Se dezinformimi për Fondacionin Metamorfozis u shpërnda në profilet e dy partive politike në rrjetet sociale konfirmohet nga sindikata e pavarur e gazetarëve, duke theksuar se “me vetë aktin e shpërndarjes hap një fushë të re për gjuhën e urrejtjes”.

“Partitë politike jo vetëm që duhet të dënojnë në mënyrë deklarative gjuhën e urrejtjes dhe në mënyrë deklarative të kërkojnë nga institucionet që të reagojnë, por duhet të jenë një element konstruktiv në shtypjen e tij dhe përmes përfaqësuesve të tyre në parlament duhet të punojnë për të përmirësuar kornizën ligjore e cila do të mundësojnë sanksionim më të lehtë dhe më efektiv të atyre individëve ose organizatave që përdorin gjuhë urrejtjeje “, thonë nga SPGPM.

Agjencia e lajmeve “Meta.mk” u dërgoi pyetje të gjitha partive kryesore parlamentare, duke përfshirë LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, Aleanca për Shqiptarët, Besa dhe”Levica”, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje nga asnjëri prej tyre.

Së bashku me SSNM dhe SHGM, и Instituti i Maqedonisë për media si dhe Këshilli për etikë në media, që në një deklaratë të përbashkët i bënë thirrje Ministrisë së brendshme dhe Prokurorisë publike të ndërmarrin masat e duhura. Ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në RMV Qendra Civile për lirinë Civile. Mbështetje publike ka dhënë edhe ekipi i F2N2, që janë pjesë e luftës kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

Reagime për mbështetje dhe thirrje për autoritetet të ndërmarrin veprime u dërguan gjithashtu nga Ambasadori i BE Dejvid Gir, si dhe Ambasadorja britanike Rejçël Gallouej. Mesazh i ngjashëm i mbështetjes dhe thirrjes për autoritetet erdhi edhe nga “Global voisis“, organizatë ndërkombëtare e gazetarisë civile që boton në më shumë se 40 gjuhë dhe është një partner i vjetër i Fondacionit Metamorfozis.

Përndryshe, është e njohur për publikun se gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE të udhëhequr nga ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski, kërcënimet për jetë dhe thirrjet për linçim publik ndaj gazetarëve ishin praktikë e rregullt. I tillë ishte rasti me gazetarin Borjan Jovanovski, kur në prill 2015, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij të mitur ishin në shtëpi, një kurorë funerale u la para derës së tyre me mbishkrimin “përshëndetja e fundit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button