RMV, Qeveria miratoi ndryshimet ligjore në lidhje me mjedisin jetësor, planifikohen dënime 20 herë më të larta

Ndryshimet ligjore të propozuara në tetë ligjet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor sot u miratuan në seancën e 26-të të Qeverisë së RMV-së, për të vazhduar procedurat në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor (MMJPH) sqaroi se ndryshimet përfshihen në Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit, Ligjin për mjedisin, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, Ligjin për Ujërat, Ligjin për Kontrollin e Emetimeve të Përbërjeve Organike të Avullueshme gjatë Përdorimit të Benzinës, Ligjin për Shtigjet Malore, Ligjin për Zhurmën dhe Ligjin për Organizmat e Modifikuar Gjenetikisht.

“Për miratimin e këtyre propozimeve, është e nevojshme që Kuvendi i RMV-së të miratojë ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje dhe shpresoj se kjo do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që këto ndryshime kryesore në fushën e menaxhimit të ajrit dhe zonave të kontaminuara dhe të fillojë zbatimi i ndryshimeve në praktikë”, tha Naser Nuredini, ministri i ekologjisë, duke vlerësuar se këto ndryshime do të përmirësojnë cilësinë e mjedisit.

Ai sqaroi se këto propozime ishin parashtruar edhe më parë në Kuvend, por nuk ishin miratuar për shkak shpërbërjes së Kuvendit.

“Në këto plotësim-ndryshime, u bë harmonizimi i  Ligjit për Kundërvajtje dhe Ligjit për Inspektim, dhe parashikohet një rritje shtesë e gjobave (deri në 20 herë), në përputhje me ndryshimin e propozuar më parë në Ligjin për Kundërvajtje, i cili u paraqit në Kuvend për miratim”, sqaruan nga ministria.

Ndryshimet ligjore përcaktojnë rregullat për inspektimin e gjendjes kur tejkalohen parametrat kufitare për ndotjen e ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button