RMV investon, shtetet “tjera ua shohin hajrin”: Mbi 5.700 studentë studiojnë jashtë vendit (Infografik)

Maqedonia e Veriut, nëpërmjet taksave të qytetarëve çdo vit harxhon miliarda denarë për nxënësit filloristë, të shkollave të mesme, por edhe të fakulteteve me qëllim që të sigurojë zbatim të procesit arsimor, ndërkaq pret që nga kuadrot në të cilët ka investuar, nesër të kyçen në sistemin shtetëror ku do të kontribuonin për shtetin amë. Megjithatë, një pjesë e tyre, pasi mbarojnë shkollimin e mesëm, për shkak dëshirave të tyre për hapjen e perspektivave, nëpërmjet bursave të ndryshme shtetërore, të fakulteteve të ndryshme, por edhe me mjete private largohen nga vendi për të studiuar e më pas për t’u punësuar jashtë vendit. Kjo shteti i kushton humbje financiare, pasi që kuadrin ia ka bërë gati që një shtet tjetër ta shfrytëzojë, pa investuar asgjë në atë, shkruan Portalb.mk.

Mbi 5.700 të rinj nga Maqedonia e Veriut, pasi e kanë mbaruar shkollimin e mesëm, janë larguar jashtë vendit për të studiuar, kështu tregon raporti i një prej organizatave më kredibile në botë, UNESCO, apo Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara. 

Studentët nga RMV studiojnë në shumë shtete të botës e më së shumti, në Turqi, Bullgari dhe Slloveni.

Portalb.mk përgatiti një infografik për këtë:

Për çdo student të larguar, shteti humb para

Sipas raportit të UNESCO-s, studentët e larguar nuk dëshirojnë të kthehen në vendin amë dhe kjo shkon në dëm të shtetit, për shkak se shteti atyre studentëve u ka paguar mësues e profesorë për të shkolluar, u ka siguruar libra, mjete për mësim, ngrohje, trajnime e gjithçka që nevojitet për mjedisin arsimor, ndërkaq shteti që ata kanë shkuar për të studiuar, i ka pranuar si kuadro të përgatitur deri në një shkallë të caktuar ku janë të aftë që pas mbarimit të shkollimit të lartë të punojnë për atë shtet që nuk ka investuar në ato.

Sipas një studimi të organizatës “Western Balkans Democracy Initiative” në bashkëpunim me Ambasadën e Anglisë në RMV, për një të ri, i cili e mbaron shkollë fillore shteti harxhon 9.057 euro, deri në të mesme 14.432, shkollë të lartë (fakultet dhe magjistraturë) 28.934, ndërkaq për doktorat 47.753 euro.

Sipas një matematike të thjeshtë, duke marrë për bazë analizën në fjalë, nëse shtetit i ikin 1.000 studentë, për të cilët deri në shkollimin e mesëm ka investuar për secilin prej tyre nga 14.432 euro, shtetit në këtë rast i bie që të ketë humbur 14.432.000 euro. Mbase numri është shumë më i madh dhe humbjet për shtetin tonë janë shumë më të mëdha.

Arsimi në vend, jo kualitativ

Mbase një ndër arsyet e ikjes, sipas asaj që kemi hulumtuar është dhe mungesa e ofrimit të arsimit cilësor. Këtë e dëshmuan edhe në hulumtimin tonë, ku studentët pa mësuar i blejnë temat e diplomave të baçelorit e magjistraturës – në këtë mënyrë ata nesër kanë diploma të barasvlershme me kuadrin që me dije ka mbaruar shkollimin. Sipas analizave tona, mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. 

Shteti në gjumë ndaj këtij fenomeni. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend. Një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button