Geer: Është interes i përbashëkt që konferenca të caktohet sa më shpejtë

Euroambasadori në Maqedoninë e Veriut, David Geer, në konferencën e sotme për media, duke folur për zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e integrimit të vendit në BE, tha se duhet të miratohet korniza negociuese  e Maqedonisë së Veriut dhe të gjendet datë për mbajtje sa më të shpejtë të konferencës ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk. 

“Në mars të vitit të kaluar, të gjitha 27 vendet atëherë vendosën se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë negociatat qasëse me Bashkimin Evropian. Ai vendim atëherë u miratua, ndërsa ajo çfarë tani duhet të bëhet është të miratohet korniza negociuese në vend dhe të gjendet datë për mbajtje sa më të shpejtë të konferencës ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian. Kuptohet, është në interesin tuaj dhe në interesin tonë që kjo datë të caktohet sa më shpejtë”, deklaroi Geer.

Sipas tij, e gjithë ajo ka marrë kohë por më e rëndësishme, siç tha, është se perspektiva për procesin eurointegrues të vendit nuk vihet në pikëpyetje.

“Ajo çfarë është më e rëndësishme është që vendi juaj të vazhdojë me procesin e reformave dhe të bëjë atë që është e mundur sepse ajo nuk është vetëm në interes të BE-së, por edhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Kuptohet se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdohet dialogu me Bullgarinë, që do të jetë në frymë e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë. Në këtë moment nuk është çështja nëse RMV do t’i fillojë negociatat, por çështja tani është vetëm kur”, tha ai.

Muajin e kaluar, më 17 nëntor, Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese të vendit, për shkak të kontesteve të historisë dhe këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së, nuk mundi që të miratojë kornizën, siç ishte parashikuar më herët.

Edhe përkundër tentimeve diplomatike, Bullgaria nuk tërhiqet nga vetoja e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe për këtë i gjithë diskutimi për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është larguar nga rendi i ditës i mbledhjes së ministrave për Evropë, i cili mbahet nesër në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button