Eurodeputeti bullgar Kovaçev: Gjasat janë shumë të vogla të ndryshojmë qëndrim deri nesër për negociatat Maqedoni-BE

Eurodeputeti bullgar nga partia GERB e Bojko Borisovit, Andrej Kovaçev, thotë se ka pak shanse që të ketë një ndryshim në pozicionin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut përpara takimit të nesërm të Këshillit të Ministrave të BE, njofton Portalb.mk.

“Është shumë pak e besueshme që nesër ose në orët e ardhshme të ketë zhvillim për situatën aktuale, veçanërisht duke pasur parasysh dështimin e takimit të fundit të Komisionit të përbashkët historik bullgaro-maqedonas javën e kaluar”, tha Kovaçev, raporton BGNES.

Ai akuzon palën maqedonase se përpiqet të gjejë justifikime të ndryshme dhe siguron se zgjedhjet bullgare, të cilat do të mbahen në mars, nuk kanë asnjë lidhje me pozicionin bullgar, sepse të gjitha partitë politike në Bullgari pajtohen që me historinë dhe faktet e qarta historike nuk mund të bëhet kompromis. Ai thotë se nevojitet  guxim më i madh nga Kryeministri Zoran Zaev, ndërsa ekipi maqedonas në komisionin historik ka frikë të pranojë faktet, atëherë do të duhet të gjendet një mënyrë tjetër për të zbatuar Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë.

“Nuk mund të lejojmë që të rinjtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut të edukohen me urrejtje ndaj Bullgarisë. Për tre dekadat e fundit, ne kemi treguar vazhdimisht vullnet të mirë, duke qenë të parët që i njohëm si shtet i pavarur, e mbrojtëm integritetin e tyre territorial, duke ofruar një shumëllojshmëri të ndihmës, përfshirë ndihmën ushtarake dhe duke i kthyem përsëri në rrugën e integrimit evropian. Nga ana tjetër, ne shohim se ata nuk janë në gjendje të ndahen nga qasja e Titos dhe nuk janë të gatshëm të heqin ndarjet e vendosura nga regjimi komunist”, thotë Kovaçov.

Ndërkohë tre ditë më parë dështuan edhe përpjektjet e takimit të 11-të të Komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje të historisë, konfirmuan dy bashkë-kryetarët e Komisionit, Angel Dimitrov nga pala bullgare dhe Dragi Gjorgjiev nga pala maqedonase, pas mbledhjes dy ditore online.

Dimitrov në konferencën e përbashkët online tha se rezultati i takimi ishte zero dhe akuzoi kolegët maqedonas se kanë refuzuar të nënshkruajnë procesverbale nga takimet e kaluara.

Ai tha se pala maqedonase ka këmbëngulur që të vihet gjithkund mbiemri “maqedonas”, që sipas tij, nuk është në pajtueshmëri me praktikën e vendosur.

Sipas tij, pa rezultat ka përfunduar edhe pika për mbretin Samoilin, sepse pala maqedonase është tërhequr nga një tekst i përbashkët veç më i përgatitur.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 8 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi përfundimtar nëse do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por, duke parë deklaratat e krerëve të shteteve kyçe të BE-së, përfshirë këtu edhe të kancelares Merkel, duket se gjasat janë shumë të vogla që kjo të ndodhë deri në përfundimin e këtij viti.

Kujtojmë se, më 17 nëntor, në mbledhjen e këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Bullgaria vendosi veton e paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut sa i përket kornizës negociuese të vendit, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Duke parë të gjithë këto ngecje dhe mospajtime, gjasat duken shumë të vogla që Maqedonia e Veriut të marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave këtë vit. Nëse Bullgaria nuk dorëzohet tani, gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila ka më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button