Në Bjellorusi arrestohen me qindra protestues në ditë

Protestat kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko janë duke u zhvilluar çdo ditë në Bjellorusi për të pestin muaj me radhë. Qeveria i konsideron protestat të paligjshme, kështu që policia arreston më shumë se 200 protestues çdo ditë. Shumica lirohen brenda 24 orësh, por ka nga ata ndalimi i të cilave zgjat të paktën një muaj, njofton Portalb.mk.

Në protestën e djeshme, vetëm në kryeqytetin Minsk  u arrestuan më shumë se 300 protestues. Sipas policisë në Minsk, grupe të vogla protestuesish mblidheshin në periudhën midis mesditës deri në orë 3 të pasdites me kohën lokale, shkruan France24.

“Pjesëmarrësit në tubime të paautorizuara në disa zona të qytetit u përpoqën të bllokonin trafikun, por policia ndërmori hapa për të parandaluar aktivitete të tilla”,  informoi policia bjelloruse.

Disa nga të arrestuarit ishin përgjigjur tashmë për pjesëmarrje në protesta, ndërsa disa të tjerët iu kundërvunë policisë, e cila do t’iu kushtojë në dënime deri në 30 ditë paraburgim.

“Domethënë, disa nga të arrestuarit ka shanse që të kalojnë Vitin e Ri në paraburgim në vend që të jenë në shtëpi me familjet e tyre”, thonë nga policia.

Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, ka pasur arrestime të protestuesve edhe në qytete të tjera Bjelloruse.

Protestuesit ndërkohë thonë se nuk janë të dekurajuar nga shtypja.

“Protesta nuk do të zbehet derisa të largohet Lukashenko”, i tha Associated Press Maksim Borovets, një nga ata që ishin mbledhur të dielën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button