Zgjedhjet 2013 : Punësimet në bazë të Marrëveshjes së Ohrit – shpërblim për aktivistët e merituar?

Gazeta përplot me konkurse për punësim nëpër ministri, komuna, institucione shtetërore, shkolla, çerdhe. Shpallje të paguara qeveritare për publikimin e masave për t’u ndihmuar bujqve dhe personave me gjendje të rëndë sociale. Edhe pse Kodi zgjedhor dhe Ligji për parandalimin e korruptimit e ndalojnë reklamimin dhe financimet plotësuese nga buxheti shtetorër dhe ato komunale, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve – fushata tashmë ka filluar. Cak janë të gjithë votuesit potencialë. Janë paralajmëruar rroga më të larta për mjekët, pensione më të larta për pensioninstët.

“Gjithsesi, e gjithë kjo është pjesë e fushatës zgjedhore, por është edhe pjesë e korruptimit të trupit votues, si dhe e konsolidimit të radhëve partiake, e poashtu në një masë më të vogël edhe e krijimit të perceptimit publik se puna është kryer ashtu siç duhet. Por të merremi vesh, këtu asnjëra palë nuk mund të amnestohet nga faji, si partitë politike, ashtu edhe qytetarët të cilët e pranojnë këtë si një dukuri normale, e madje një numër i madh i tyre kanë edhe përfitim afatshkurtër ose afatgjatë nga kjo, qoftë kur bëhet fjalë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve, e qoftë kur bëhet fjalë për punësim të anëtarëve partiakë” – thotë analisti Albert Musli, për Portalb. 

Sipas tij, “pjesë e këtij ambienti parazgjedhor” janë edhe punësimet masovike sipas Marrëveshjes së Ohrit, për të cilat, Agjencia për administratë këto ditë shpalli konkurs. 

“Partitë politike shqiptare nuk janë imune ndaj kësaj dukurie dhe kjo është duke ndodhur një kohë më të gjatë. Vetë koncepti i përfaqësimit të drejtë, qëllimi primar i të cilit ishte përmirësimi i shërbimeve të administratës për qytetarët e bashkësive joshumicë, si dhe përforcimi i ndjenjës së të qenit i përfshirë, u zhvendos në një valvulë sociale dhe mundësi për partitë që t’i shpërblejnë aktivistët e tyre për punën e kryer mirë” – thotë Musliu.

I padyshimtë është fakti se partitë politike, në përpjekjet e tyre për t’i ruajtur votuesit ekzistues dhe për të rekrutuar votues të rinj, me dekada e zbatojnë mënyrën më të lehtë për ta bërë atë, duke punësuar njerëz në aparatin shtetëror, por që praktikisht paraqet “minim” të buxhetit. Prej viti në vit, rritet numri i njerëzve që presin rroga nga buxheti, rrite edhe shuma për rroga, që arriti në pothuajse 400 milionë euro në nivel vjetor. Mbetet e hapur pyetja të cilën na e parashtron Bashkimi Evropian në çdo Raport të tij “A bazohet administrata në profesionalizëm dhe në efikasitet ose bëhet fjalë për aparat të partizuar dhe gllomaz administrativ”. 

Modeli i punësimit gjatë periudhës parazgjedhore nuk është praktikë e panjohur, por kyçe është pyetja se a janë planifikuar këta punonjës të rinj administrativë në buxhet, a janë ndarë para për këtë qëllim që më parë – konsideron Zhaneta Trajkovska nga Instituti maqedonas i mediumeve.
“Partitë në pushtet konsiderojnë se punësimi para zgjedhjeve është një instrument i suksesshëm për marrjen e më tepër votave. Planifikimi që ato e bëjnë në këtë rast është në korelacion me zgjedhjet lokale dhe përsëri, kjo nuk është diçka që na ndodh për herë të parë. Këtu, çështja që duhet të aktualizohet dhe që duhet të vendoset në debat publik është se a janë planifikuar këto punësime në ministritë përkatëse, a janë paraparë në buxhet, a ka nevojë për to, pse ato bëhen disa muaj para zgjedhjeve ose pak para se të shpallen zgjedhjet” – thotë Trajkovska për Portalb.

Mu për këtë arsye, thekson ajo, mediumet, qytetarët dhe organizatat joqeveritare duhet të kërkojnë përgjigje në të gjitha këto pyetje.

“Konsideroj se me presion të vazhdueshëm qytetar për etikë më të madhe nga ana e të gjitha partive politike mund të krijojmë ndonjë rezultat që nuk fitohet brenda nate. Ndryshimi i vetëdijes dhe edukimi i qytetarëve janë procese afatgjate.” – vlerëson Trajkovska.   

Zgjedhjet lokale tashmë janë shpallur. Opozita është në rrugë, shumica që është në pushtet, ka kontroll të plotë mbi të gjitha mekanizmat para mbajtjes së zgjedhjeve. A ka mundësi të ketë fushatë korrekte zgjedhore në një ambient të këtillë politik?

“Mendoj se nuk ka mundësi të ketë një fushatë korrekte, madje besoj se shumat që harxhohen për çdo vit janë gjithnjë e më të mëdha, e siç janë duke shkuar punët, mendoj se kjo dukuri do të jetë problem që do të duhet të luftohet në afat të gjatë. Për këtë ka shumë arsye. E para, nuk ekziston përgjegjësi dhe llogaridhëni politike për harxhimin e shumave të mëdha të parave. Pastaj, mediumet dhe pronarët e tyre, në vend që, si faktor i rëndësishëm për krijimin e vetëdijes shoqërore, t’i sulmojnë këto dukuri, ato “gëzohen” me këto para, duke mos menduar se në afat të gjatë, kjo mund të shndërrohet në model të favorizimit të mediumeve të afërta me pushtetin dhe ndëshkimit të atyre që padëgjueshme” – e argumenton qëndrimin e tij, Musliu. 

Qeveria duhet ta ndërpresë reklamimin dhe duhet të tregojë pjekuri politike për fushatë korrekte zgjedhore, konsideron Trajkovska. 

“Thellë ne vetëvete shpresoj se si shoqëri do të tregojmë seriozitet dhe përgjegjësi për ardhmërinë tonë, dhe në periudhën para zgjedhjeve gjithçka do të zhvillohet në përputhje me kornizat ligjore dhe parimet etike të një demokracie, siç pretendon të jetë Maqedonia. Qeveria duhet të tregojë pjekuri politike dhe t’i zbatojë në praktikë ndryshimet e fundit që janë bërë në Kodin zgjedhor” – thotë Trajkovska dhe thërret për ndërprerjen e reklamimit të aktiviteteve qeveritare, e me këtë, në mënyrë indirekte edhe të aktiviteteve partiake.

“Në mes tjerash, duhet të ndërpritet i gjithë reklamimi, përveç asaj që është theksuar si “e lejuar” gjatë fushatës zgjedhore. Kjo do të thotë se dhe reklamat/fushatat të cilat, thënë kushtimisht, bëhen në emër të interesit publik, duhet të hiqen nga mediumet, për shkak se nëpërmjet tyre në mënyrë indirekte reklamohen edhe partitë që momentalisht janë në pushtet. Nënkuptohet, këtu nuk hyjnë fushatat dhe reklamat që janë të dedikuara për informimin e votuesve për të drejtat e tyre të votimit dhe për lehtësimin e procesit votues më 24 mars.” – shton ajo.

Në përpjekje për ta penguar “korruptimin shtetëror” dhe “manipulimin” me paratë publike, Komisioni për antikorruptim kërkon respektimin e Ligjit për parandalimin e korruptimit, ku në mes tjerash thuhet: 
– Nuk mund të përdoren mjete buxhetore dhe para nga buxhetet e komunave të dhe qytetit të Shkupit, nga fondet publike dhe mjete nga ndërmarrjet publike dhe institucionet publike ose personat juridikeë që disponojnë me kapital shtetëror, përveç nëse kjo nuk është e rregulluar ndryshe me ndonjë ligj tjetër. 
– Nuk mund të fillojë ndërtimi i objekteve të reja të infrastrukturës me mjete nga buxheti ose nga fondet publike ose me mjete nga ndërmarrjet publike, si për shembull rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizime, shkolla, çerdhe, përveç nëse për këtë qëllim, më parë janë siguruar mjete nga buxheti.
Ligjet janë të qarta – por mbetet e paqartë se kush dhe në çfarë mase do t’i respektojë, gjegjësisht do t’i shkelë ato. Praktika e deritanishme në vend ka treguar se lopatat, kordelete e kuqe dhe punësimet mbeten mekanizëm kyç i partive në pushtet për ruajtjen e pushtetit. 

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button